Të vetmit xhelozë për luftën jeni ju Xhavit Haliti, që nuk mund t’i ngjallni Ahmet Krasniqin, Hallaçin, Ilirin, Enverin...

Aktuale

Të vetmit xhelozë për luftën jeni ju Xhavit Haliti, që nuk mund t’i ngjallni Ahmet Krasniqin, Hallaçin, Ilirin, Enverin...

Nga: Idriz Morina Më: 13 qershor 2022 Në ora: 21:05
Donika Gërvalla me Sali Çekun, njeriun kryesor në organizimin e gueril dhe institucional të luftës

Shumë debat për asgjë. Ata që nuk kërkuan asnjëherë llogari, por vetëm i duartrokitën atyre komandantëve, që kurrë askujt nuk i kanë dhënë llogari, asnjë raport të vetëm, as financiar dhe si bilanc, të numrit të ushtarëve, numrit të të vrarëve dhe të të plagosurve, po kapën për mënyrën e nderimit të luftëtarëve.

I duatrokitnit copëtuesve të Kosovës

Pra, ata nuk pranuan asnjë raportim të bëjnë, sikurse për paratë e fondit “Vendlindja thërret”. Dhe duartrokitësit nuk i kërkuan llogari as për para. Nuk i kërkuan llogari as për shokët e vrarë në luftë, as për ata që i lanë gjymtyrët, dhe as për ata që i lanë pa bukë, e madje edhe pa shtëpi. Nuk i kërkuan llogari as kur e pranonin Pakon e Ahtisarit, apo kur merrnin pjesë ta bënin në dëm të shqiptarëve, në dëm të luftës së shenjtë, dhe të dëshmorëve e heronjve të UÇK-së! Por, tash kapen për fjale, po të njëjtit që nuk u kapën, as kur Hashim Thaçi nuk e zinte në gojë atë, me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës!

Donika Gërvalla tha: “Në një ditë si kjo i kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, ata që luftuan pa u ndalur me përkushtim dhe sakrificë të jashtëzakonshme, të gjithë ata që kontribuuan në të gjitha format për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Fitimtarë jemi gjithmonë atëherë, kur jemi të bashkuar”.

Pra, ajo tha sikur pa dashur t’i ndajë, ata që ishin ushtarë të Hashim Thaçit dhe ushtarë të Ibrahim Rugovës në luftë. Në luftë ishin dy organizime, ani pse ju që kapeni për fjale dhe akuzoni, nuk e pranoni dhe vazhdoni ta mohoni organizimin institucional. Edhe për këtë jeni ju fajtorë moralisht, sepse zgjodhët t’i besoni një organizimi anarkik, që nuk dha llogari, para asnjë institucioni organi, madje edhe para një trupe, që vetë ata do të mund ta krijonin. Këtë kanë mundur ta bëjnë edhe gjatë ekzistimit disa mujor të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (QPK-së). Kanë mundur ta japin zyrtarisht apo solemnisht një bilanc lufte, apo të paktën një bilanc financiar. Këtë të dytin, të paktën formalisht dhe solemnisht, e pat dhënë Qeveria e Republikës së Kosovës, e njohur edhe si qeveria Bukoshi, para Kuvendit të Republikës, dhe presidentit Rugova në janar të vitit 2000, në ditën e shuarjes së institucioneve të Kosovës, pikërisht për shkak të refuzimit të klanit të Thaçit për një marrëveshje për të pasur institucione të Kosovës.

Thaçi 21 vjet pas lufte i mohonte meritat e Rugovës

Por, ta citojmë edhe Hashim Thaçin çfarë ka thënë pikërisht për Ditën e Lirisë, dy vjet më parë: “Liria e Kosovës është mbi të gjitha rezultat i luftës dhe sakrificës së pashembullt heroike të burrave e grave të vendit tonë. Në këtë rrugëtim historik, ndihma nga aleatët tanë në NATO është e patjetërsueshme”, shkruante Thaçi në një postim pak më të gjatë, por pa e përmendur fare UÇK-në.

Pra, edhe Hashim Thaçi i atribuohet UÇK-së, nëpërmjet sintagmës: “luftës dhe sakrificës së pashembullt heroike të burrave e grave të vendit tonë”!

Në të dyja postimet, dominon si cilësor, fjala ‘sakrificë’ për meritën e atyre, që “luftuan”! tek Hashim Thaçi, meritat i atribuohen të dyja gjinive, sigurisht nisur nga fakti, që të mos dukej diskriminues ndaj femrave. Por, tek Thaçi mungon çdo falënderim për mënyrat tjera të luftës, që i shpreh me nënkuptim mirënjohje, znj.Gërvalla: ... të gjithë ata që kontribuuan në të gjitha format për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Kjo fjali i atribuohet të gjithë lëvizjes së rezistencës të udhëhequr nga Rugova si prijës dhe LDK-ja, por edhe atyre që sakrifikuan para saj, burgjeve apo në mënyra të tjera, dhe gjatë kohës sa ishte LDK-ja dhe institucionet paralele, por sakrifikuan në mënyrë për Kosovën, qoftë duke dalur në protesta, duke refuzuar regjimin okupues, dhe madje duke braktisur vendet e punës dhe duke lënë veten dhe familjen pa siguri ekzistenciale materiale, dhe natyrisht duke hequr dorë nga përfitimet që mund t’ua ofronte një regjim kriminal, po të pranonin të ishin “shqiptarë të ndershëm”.

Pra, askush nuk e kritikoi Thaçin, që nuk e përmendi UÇK-në, dhe që la miliona shqiptarë pa ia njohur kontributin, ndërsa Donikën duan ta ‘shqyejnë’ politikisht, vetëm pse nuk bën dallime, dhe në fund, për dallim nga prijësi i ‘duartrokitësve’, kjo bën thirrje për bashkim për të pasur sukses (fitore)!

Pra, siç shihet nga dy tekstet, kërcënimet, zhurma, diskriminimi vjen nga i njëjti grupim, që nuk ka dhënë llogari për të bëmat e veta, përveçse që për vrasjet politike, që pritet të jap llogari në Hagë, në gjykatën speciale, madje të krijuar me ngulm nga ata vetë.

E folura me urrejtje, kërcënim, nuk vjen nga luftëtarët e vërtetë, ajo sërish vjen nga mercenarët, nga ata që nga 15-20 mijë luftëtarë të vërtetë sa ishin i bën rreth 60 mijë, që i futën në listë pagash e përfitimesh, rreth 20 mijë veteranë të rrejshëm! Pra, zhurma kryesore, vjen nga ata që dëshmuan rrejshëm për veteranët dhe ata që përfituan rrejshëm!

Veteranët e vërtetë nuk mund të pranojnë dallime dhe të mos e njohin kontributin që dhanë vëllezërit, motrat, axhallarët, dajat, kushërinjtë e tyre, fqinjët e tyre, në një mënyrë apo tjetër. Kjo nuk mund t’i lëndojë ata!

Askush nuk mund të ndihet xheloz për ata që dhanë jetën në luftë siç pretendon Xhavit Haliti, sepse ajo kohë nuk përsëritet. Të vetmit njerëz xhelozë për luftën jeni ju, që nuk mund ta riktheni kohën, që të ngjallen Ahmet Krasniqi, Behajdin Hallaçi, Ilir Konushevci, Enver Maloku.... etj.

”Nuk kanë frikë, xhelozirat politike janë këtu. Xhelozirat në raport me autoritetin, dhe frika mos këta rikthehen në pushtet”, ka thënë Haliti për Tv Klan.

Fakti, që ju e përmendni xhelozinë, pa pasur asnjë lidhje, sipas shpjegimeve frojdiste, jeni ju xhelozët e vetëm, se nuk keni vlerat e duhura atdhetare dhe intelektuale, siç i kishin kundërshtarët tuaj me Rugovën në krye, apo ata që qeverisin sot.

Kush i shkroi komunikatat?

I gjithë ky debat, po ashtu mund të jetë një zhurmë për asgjë, pasi siç tha një komentues Fb, duket sikur komunikata e Thaçit dhe ajo e Gërvallës, janë shkruar nga e njëjta zyre, por unë do të shtoja, nga ‘zëdhënësit’ e Hashim Thaçit, me qëllim apo pa qëllim, duhet ta dëshmojnë ata, nëse ishin autor!

Por, fushata ndaj Donikës, duket qartazi se burimin e ka për t’i larguar me çdo kusht nga qeverisja, ministrat e pathyeshëm nga klanet Thaçi, Haradinaj etj.! Dhe si qëllim të fundit, të shfrytëzohet si mjet për prishjen e koalicionit dhe rrëzimin e Qeverisë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat