Osmani kërkoi nga Schallenberg mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Aktuale

Osmani kërkoi nga Schallenberg mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Më: 14 qershor 2022 Në ora: 14:07
Foto nga takimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e jashtëm të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg.

Në takim, Osmani ka diskutuar me Schallenberg për angazhimin e Kosovës në rrugën evropiane të saj.

Presidentja ka theksuar se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash, ndaj sipas saj, i takon BE-së që ta mbajë premtimin në raport me popullin e Kosovës.

Në këtë kontekst, Osmani ka kërkuar mbështetjen austriake jo vetëm për këtë çështje, por edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Gjatë diskutimit për zhvillimet në raport me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, Osmani ka deklaruar se qëndrimi i Kosovës është plotësisht në përputhje me BE-në, SHBA-të dhe të gjitha vendet demokratike.

Kurse për dialogun Kosovë-Serbi, presidentja ka theksuar se ai duhet të përqendrohet në njohjen reciproke.

“Kosova është palë konstruktive në këtë proces dhe rendi kushtetues, sovraniteti dhe kufijtë aktualë janë të panegociueshëm”, ka thënë Osmani.

Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore, në të cilën dy palët shprehën gatishmëri për thellimin e tyre, në fushën e politikës së jashtme, arsimit, shkëmbimit tregtar, si dhe fusha të tjera të interesit reciprok.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat