Misteri i vrasjes së Dino Asanajt, drejtorit të AKP-së / A u zbuluan vrasësit?!

Aktuale

Misteri i vrasjes së Dino Asanajt, drejtorit të AKP-së / A u zbuluan vrasësit?!

Nga: Idriz Morina Më: 14 qershor 2022 Në ora: 20:10
Dino Asanaj i vrarë 10 vjet më parë

Ish-kreu i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, duket se është harruar nga drejtësia dhe të afërmit.

Por, sot, në 10 vjetorin e vrasjes, dikush në Amerikën e largët është kujtuar ta kthejë sado pak në vëmendje.

Por, mediat duket se nuk i dhanë asnjë jehonë.

I njohur nga informacione të ndryshme me rastin, në kohë të ndryshme, rezulton se rasti i Dino Asanaj, është një krim politik dhe ekonomik.

Motivimi vrasjes dhe maskimi

Përplasjet ekonomike e bën të veten, duke e shtyrë në zgripc të jetës, por në fund, ai konflikt thjesht mund të jetë shfrytëzuar nga njerëz të fuqishëm të politikës, që ta vrisnin atë.

Fillimisht u projektua vrasja, pastaj u gjet momenti, dhe motivi u maskua me konfliktin për shit-blerje, përkatësisht mos realizim të mbrojtjes së investimeve.

Sipas raportimeve në media, ish kreu i Agjencisë së Privatizimit, para se të vritej ndodhej nën presion të fuqishëm të çështjes “Grandi”, ndërsa njëri prej ish aksionarëve e kishte akuzuar se Asanajn i kishte kërkuar hiq më pak se 4 milionë euro ryshfet që ta zgjidhur çështjen, hoteli i famshëm, dikur i Prishtinës, të mos ritenderohej dhe sipas tyre do të humbin më shumë se tetë milionë investime.

“R. E. dhe A. K. ma kanë shkatërruar jetën dhe familjen time dhe unë vendosa ta zbatoj ligjin duke vepruar kështu”, janë fjalët në letrën, që thuhet se u gjet në vendngjarje e shkruar nga dora e vetë Asanaj, raportonin mediat në Kosovë, pak ditë pas vrasjes.

Analiza e letrës, nuk e parashikonte vetëvrasje, ndërsa nuk e përjashtonte as vrasjen. Letra, nuk ishte një kamerë që regjistronte ngjarjet e ardhshme, pavarësisht mesazheve që mbartte. Një mundësi tjetër është se edhe krimi ishte inskenuar ashtu, që letra e rrejshme të përdorej për inskenimin e ngjarjes si vetëvrasje.

Image
Pamje nga varrimi i Dino Asanajt

 

Në dy ditët e para, me 14 të vrasjes dhe me 15 të varrosjes u tha se Dino Asanaj kishte nëntë plagë. Nuk e di, pse ishte raportim qëllimisht i shtrembëruar nga burimet, apo nga të tjerë, që donin ta paraqisnin Dinon si hero, dhe me 9 plagët, duke i dhënë një krahasim të nënkuptuar, me Gjergj Elez Alinë, heroin kreshnik të shqiptarëve.

Sipas policisë, trupi gati pa shenja jete, i Asanajt ishte gjetur nga shoferi i tij, mesditën e së enjtes së 14 qershorit 2012. Dërgimi i shpejt në QKUK, nuk ia kishte shpëtuar jetën, sipas policisë.

“Në zyrë përveç gjakut të shumtë nuk është parë ndonjë parregullsi tjetër. Në tavolinën e punës ka qenë një pako cigaresh, shkrepësja mbi të, dy duqe të cigares në shpuzore, telefonat si dhe letra e stilolapsi”, shkruanin mediat, sipas informacioneve të siguruara.

Vrasja e Dino Asanajt, 4 vjet pas Pavarësisë dhe 13 vjet pas çlirimit, ishte një tronditje e thellë.

Policia dhe hetuesit nuk mund ta bënin sigurisht punën e tyre të penguar nga politika, ndikimi i madh i njerëzve të pasur.

Varianti zyrtar duket se ende mbetet se Dino Asanaj është vetëvrarë, pavarësisht nëse u soll në dëshmi të reja apo jo, opinioni asnjëherë nuk e besoi këtë tregim. Përkundrazi i u bë rast ilustrimi për të shpjeguar dhunën e pushtetit, rrezikshmërinë, dhe pasigurinë e jetës.

Dëshmi të sjellura ndërkohë, e përforconin bindjen e opinionit se ai ishte vrarë nga bashkëpunimi i kriminelëve në politikë dhe ekonomi.

Pavarësisht që kishte pasur një rreth të fuqishëm, ish-zëdhënës i UÇK-së në SHBA, i kthyer të jetojë në Kosovë për shkak të dashurisë për atdheun, puna e gjatë në AKP, përveç se i kishte krijuar miq të rinjë, i kishte krijuar edhe shumë armiq, jo pse ai ishte zbatues i flaktë i ligjit, por moszbatimi i tij, herë për të ndihmuar miqtë, herë edhe i ngushtuar prej tyre, si drejtor i Bordit të Agjencisë së Privatizimit.

A ishte një masakër e paparë

Miqtë dhe armiqtë e tij, duket sikur ishin bërë të pangopshëm në kërkesa.

Dino do të bëhej edhe gjithnjë e më i vetmuar, pavarësisht se figura të caktuara ishin fuqizuar nëpërmjet Agjencisë, që në fakt ai ishte personaliteti kryesor.
Nga disa, kjo është cilësuar se mund të ishte vrasja e shekullit.

Hetimet e publikuara para disa vitesh, për vrasjen e Dino Asanajt duket se kishin zbuluar gjëra tronditëse. Dino Asanaj, nuk kishte marrë vetëm 9 goditje thike, si ishte thënë në fillim, por diku 12 goditje me thikë në rezidencën e tij në “Fshatin Amerikan”, i cili besohet se ishte ideator dhe ndërtues i atij projekti, ku e kishte një zyre pune.

Sipas atyre burimeve, nga hetimet e mëtejshme të rastit sipas dokumenteve të agjencive të inteligjencës besohej se Dino Asanaj kishte vdekur nga rreth 30 plagë. Pra, ai ishte goditur me më shumë se dyfishin e plagëve që thuhej se kishte marrë në rezidencë. Shumë më shumë se sa kreshniku Gjergj Elez Alia, në luftë me “Bajlozin e zi”, të përtej detit!

Image
Policia duke kryer hetime për vrasjen e Dino Asanajt

Kush mund të ishte personi që ia bëri plagët, tjera. Informacionet diskrete të agjencive perëndimore, kanë arritur të argumentojnë se Dino Asanaj, pavarësisht plagëve të marra në trup, ai ishte gjallë, dhe mund të shpëtonte në spital, në QKUK ku ishte dërguar, si thuhej për ta shpëtuar. Andaj, grupet kriminale ishin tejshqetësuar dhe ishin vënë në veprim.

Sapo ishte kuptuar që atentati nuk kishte përfunduar me sukses, do të dërgohej një ekip, realizimi dhe mbulimi.

Sipas atyre raporteve, besohet, se ai ishte maskuar si një mjek me një mantelë, kapelë, gojën mbuluar, dhe më shumë se sa një kirurg me fytyrën të izoluar, hyn de. dhe i jep fund jetës së tij!

Numri i goditjeve nuk dihet përfundimisht se sa ishin, madje nuk dihet se ku e mori armën e ftohtë, por më në fund kreu punë, ia dha goditjet përfundimtare, që Dino të mos mund të kthehej më në jetë. Më në fund, ata ishin liruar nga frika, se ai mund të dëshmonte!

Një skenar i zhvillimit të ngjarjes

Ish-polici hetues me më se 10 vjet përvojë në policinë e Kosovës, Gazmend Halilaj, beson se bëhet fjalë për vrasje, duke e përjashtuar çdo dyshim për vetëvrasje.

“Në asnjë formë nuk besoj se bëhet fjalë për vetëvrasje. Është vrasje e pastër e kryer nga kriminel gjakftohtë”, thotë avokati Halilaj.

Madje ai e ka menduar edhe një mënyrë se si ka mund të ndodhte ngjarja në skenën e krimit. “Mendoj se fillimisht e kanë goditur, me detyru të nënshkruajë apo të pranojë diçka, që ai ka rezistuar. Dhe në fund e kanë vra krejt”, thotë Halilaj.

Sipas tij ky rast është vepër penale, vrasje e rëndë, e kryer në mënyrë mizore apo dinake. Vepër kjo e sanksionuar me nenin 173 të Kodit Penal të Kosovës.

Ngjashmëritë e këtij rasti, me një krim tjetër të rëndë i kishte ndërlidhur avokati, Tomë Gashi.

“Ekipi i njëjtë ishte në rastin e Hasanajt dhe në rastin Sopa. Unë mendoj Dino Asanaj është vrarë. Vrasjen e kanë bërë vetëvrasje”, ka thënë edhe avokati Tomë Gashi, kohë më parë.

Sipas raportit të policisë, në vitin incidenti ka ndodhur në zyrën e viktimës në fshatin amerikan me një ‘armë të ftohtë – thikë’.

Ndërsa, më 29 janar 2013 rreth orës 16:05, në banesën e tij në Prishtinë, për motive ende të panjohura, e kishin privuar nga jeta ish-gazetarin Hamdi Sopa, i cili punonte në zyrën për komunikim të Qeverisë së Kosovës.

Sipas të dhënave të botuara në vitin 2013 nga raporti përfundimtar i autopsisë së viktimës Hamdi Sopa konfirmoheshin gjetjet e raportit preliminar, i cili konstatonte vrasjen e ish-zyrtarit të Qeverisë.

Kush ishte Dino Asanaj?

Dino Asanaj ishte i lindur në Pejë, por në vitin 1985 kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë luftës në Kosovë ishte përfaqësues i UÇK-së në SHBA. Pas luftës një kohë ishte edhe këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Dino Asanaj në një intervistë të dhënë në fund të vitit 2002, UNMIK-u i dukej si një pushtues i Kosovës. “Vendosjen e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar e shoh si një pushtim modern”, thoshte Dino Asanaj, si kundërshtar i pranisë së UNMIK-ut, në një intervistë e botuar në librin “Shqiptarët e Amerikës”, të Vehbi Bajramit.

Ai parapëlqente bashkimin kombëtar, në formë konfederate të shteteve shqiptare, ku do të përfshihej edhe Shqipëria e Kosova, për të shkuar drejt një bashkimi kombëtar në BE.

Qindra miq dhe të tjerë njerëz ia patën dhënë lamtumirën e fundit Dino Asanajt, në varrezat e qytetit në Dragodan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat