Besnik Mustafaj: Komuniteti ndërkombëtar ndjente keqardhje për Serbinë pas luftës në Kosovë

Aktuale

Besnik Mustafaj: Komuniteti ndërkombëtar ndjente keqardhje për Serbinë pas luftës në Kosovë

Më: 15 qershor 2022 Në ora: 21:12
Besnik Mustafaj

Shkrimtari Besnik Mustafaj, i cili në periudhën e negociatave për statusin final të Kosovës ishte ministër i Jashtëm i Shqipërisë, ka folur për diplomacinë shqiptare në atë kohë, si dhe disa nga deklaratat e tij që atëbotë kishin ngjallur reagime të ashpra në Prishtinë, Tiranë e Beograd.

Mustafaj, në vitin 2005, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të OKB-së, kishte deklaruar se Kosova e pranon pavarësinë e kushtëzuar. 17 vjet më pas, ish-shefi i diplomacisë shqiptare e vë këtë deklaratë në kontekst.

“Unë kisha lirinë e faktit që Berisha si kryeministër kishte ndjeshmëri prioritare, absolute, për zhvillimet në Kosovë. Një javë pasi u krijua qeveria, ne shkuam në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York në shtator të vitit 2005. Meqenëse ishte 50-vjetori i themelimit të OKB-së, atëherë ishte edhe Moisiu si president i Shqipërisë edhe Berisha kryeministër dhe unë si ministër i Jashtëm, po i përmend këto të them se ishte një liri e madhe për mua, sepse nuk isha kryesori i protokollit dhe unë ia kushtova javën e parë për të takuar gjithë personalitetet që ishin faktorë për Kosovën dhe i takova të gjithë pa asnjë përjashtim,” tha Mustafaj.

Mustafaj, në Rubikon, tha se aty kishte arritur në konstatimin shqetësues se komuniteti ndërkombëtar ndjente keqardhje për Serbinë.

“Serbia ishte bombarduar, Millosheviqi ishte në burg, po dënohej, bile gjatë atyre ditëve vdiq dhe në pamundësi për ta lavdëruar Serbinë, filluan të thoshin që janë njësoj, pra për shqiptarët dhe serbët, që nuk flitet me ta, nuk punohet me ta, thoshin se janë njësoj si shqiptarët si serbët,” tha Mustafaj.

Ish-ministri tha se diplomacia shqiptare synonte ta ndryshonte këtë perceptim të ndërkombëtarëve.

“Unë thashë nuk janë njësoj, me shqiptarët flitet, thashë që shqiptarët e pranojnë pavarësinë e kushtëzuar që ju e jepni pavarësinë dhe ju e menaxhoni këtë pavarësi, m’u kthyen mua në Tiranë, në Prishtinë edhe në Beograd. Unë jam i shkollës së Kissingerit në diplomaci, unë besoj se diplomacia më serioze është ajo që operon mbi të mundshmen, që synon të mundshmen, të synosh të pamundshmen nuk merresh seriozisht,” tha Mustafaj.

Mustafaj vlerëson se me këtë deklaratë ia kishte arritur qëllimit, ndonëse nga opozita në Shqipëri e ajo në Kosovë ishte cilësuar si tradhtar i çështjes së Kosovës.

“Unë e arrita atë që dëshiroja, tërheqjen e vëmendjes si simpati të diplomacisë ndërkombëtare te faktori i Kosovës, jo te vënia në një kandar,” tha Mustafaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat