“Stenta 1”, Ferid Agani thotë se marrëveshjet me spitalet private i nënshkroi Fondi për Sigurime Shëndetësore pasi hyri në fuqi e jo MSH

Aktuale

“Stenta 1”, Ferid Agani thotë se marrëveshjet me spitalet private i nënshkroi Fondi për Sigurime Shëndetësore pasi hyri në fuqi e jo MSH

Më: 17 qershor 2022 Në ora: 18:43
Ferid Agani

Ish-ministri i Shëndetësisë i akuzuar për korrupsion, Ferid Agani, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, tha se marrëveshjet e lidhura mes Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) dhe spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, janë lidhur për periudhë njëvjeçare deri në hyrjen në fuqi të Fondit për Sigurime Shëndetësore.

Këtë deklarim, Agani e ka dhënë në seancën e së premtes, në rastin e njohur si “Stenta 1”, ku bashkë me ish-Sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabanin po akuzohen se kishin lidhur marrëveshje me spitale private për ofrimin e shërbimeve që nuk ofroheshin në spitale publike pa procedurë tenderuese dhe në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë seancës së të premtes, Agani ka vazhduar t’i përgjigjet pyetjeve të prokurores Florije Shamolli.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Shamolli, i akuzuari Agani tha se Fondi për Sigurime Shëndetësore ka hyrë në fuqi më 26 prill 2013 dhe se ky Fond ka vazhduar t’i nënshkruajë marrëveshjet me spitalet private e jo Ministria e Shëndetësisë.

I njëjti ka shtuar se dërgimi i qytetarëve në këto spitale është bërë në bazë të marrëveshjes për Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësisë së Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor dhe po ashtu dërgimi i qytetarëve është bërë edhe konform Udhëzimeve Administrative.

Tutje, i akuzuari Agani tha se spitalet kanë qenë të licencuara në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes dhe atë në afat pesë vjet, pasi që këto spitale çdo pesë vite rilicencohen.

Lidhur me vendimin e 28 tetorit 2013 për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë shëndetësore në spitalin “Intermed EDA”,  i akuzuari Agani, ka thënë se ka qenë vendim i Inspektoratit Shëndetësor, e nga momenti i marrjes së atij vendimi, spitali nuk ka mundur të ushtrojë veprimtari mjekësore, derisa ka përmbushur përsëri kushtin për rilicencim.

Ndërsa, sa i përket zbatimit të vendimit të lartcekur, i njëjti ka thënë se nuk ka qenë kompentencë e tij si ministër, por e Inspektoratit të Shëndetësisë si organ i pavarur dhe ai nuk ka mundur të ndërhyjë në punën e tyre.

Në pyetjen e prokurores Shamolli, Agani ka deklaruar se nuk ka qenë kompetencë e tij ta dijë se cilët mjekë kanë punuar në këto spitale dhe se sa kanë qenë të kualifikuar sepse Bordi për Profesionist Shëndetësor është marrë me një gjë të tillë.

“Nuk kam pasur nevojë të di as për emra të përveçëm të mjekëve as të spitaleve”, tha Agani.

I njëjti shtoi se me Borche Petrovskin njihen dhe kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë.

“Po, më ka telefonu dhe më ka tërheq vërejtjen se MSh nuk po i përmbush obligimet financiare ndaj spitalit Intermed EDA me muaj të tërë”, deklaroi Agani.

Tutje në pyetjen e kryetari të trupit gjykues Kujtim Krasniqi, i akuzuari Agani tha se kërkesa e Petrovskin i është dukur legjitime dhe më pas është interesuar për një gjë të tillë.

Në këtë seancë nuk janë paraqitur dy avokatët mbrojtës, mbrojtësi kryesor i të akuzuarit  Agani, avokati Adem Vokshi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Shabani, avokati Skender Musa.

Ndërsa, mbrojtjen për të akuzuarin Agani e ka ushtruar avokati dytë, Urim Vokshi.

Seanca e radhës është caktuar më 24 qershor 2022.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Më 26 shkurt 2018, ky rast ishte veçuar në tri pjesë, ashtu që të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas, kurse mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si “Stenta 2”, ndërsa pronarë e mjekë të spitaleve private akuzohen në rastin “Stenta 3”.

Ish-ministri Agani së bashku me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, po akuzohen se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale.

Sipas aktakuzës e cila ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare të mbajtur më 18 prill 2019, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 22 prillit 2012 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.

Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik., mirëpo, i njëjti kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.

Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.

Të dy të akuzuarit, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2018.

Ndryshe, kur janë bërë afër pesë vite që nga ngritja e aktakuzës në këtë rast, epilogu gjyqësor i kësaj aktakuze nuk duket as afër.

Derisa rasti “Stenta 1”, kishte marr njëherë epilog në shkallë të parë dhe tashmë është kthyer në rigjykim, dy rastet e tjera, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, ende mbesin në gjykim në shkallë të parë. Për rastin “Stenta 3”, është mbajtur vetëm një seancë e shqyrtimit gjyqësor, kurse në rastin “Stenta 2”, janë mbajtur disa seanca, porse çështja ende mbetet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet. Pas ngritjes së aktakuzës, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat