Glauk Konjufca po e kërkon një ‘saç’ për gjykatën speciale! / Një kontroll të drejtësisë sipas Thaçit e Veselit a po?!

Aktuale

Glauk Konjufca po e kërkon një ‘saç’ për gjykatën speciale! / Një kontroll të drejtësisë sipas Thaçit e Veselit a po?!

Nga: Idriz Morina Më: 21 qershor 2022 Në ora: 18:46
Hashim Thaçi, kur e injoronte edhe me gjeste gjykatën speciale, pallton sipër, si në shëtije, tash po i kërkon shërbime Glaukut

“Kjo gjykatë nuk është në kontrollin e askujt”. Është ndër fjalitë që të bën më së shumti përshtypje, nga ajo që deklaroi Glauk Konjufca, pas kthimit nga Haga.

Glauk Konjufca, i cili po tregon aq shumë dhembshuri, dhe njënjëshmëri me ata që vet ai i ka akuzuar për krim të organizuar dhe partia juaj, në fushata zgjedhore, duke kërkuar zbardhjen e vrasjeve politike, a je i gatshëm t’ua lësh postin tënd, Kadri Veselit apo Jakup Krasniqit, dhe në vend të Albinit të vjen kryeministër Hashim Thaçi apo Kadri Veseli?

Kur njerëzit masivisht ju kanë votuar, ju kanë besuar edhe akuzave tuaja edhe të tjerëve se ata janë krerë të krimit të organizuar, korrupsionit, shkatërrues të shtetit, autorë të gjakderdhjes financiare, falës të territoreve, autor të “Zajednicës”... kush më shumë e kush më pak.

Ata ju kanë votuar me shpresën e çlirimit nga zinxhirët e atij krimi të organizuar.

Ju që po merakoseni se mos gjykata speciale po i shkel procedurat, a mendon ndonjëherë nëse ata, u bën merak se po shkelnin ndonjë ‘procedurë’ para se të vrisnin Ahmet Krasniqin, Ilir Konushecin, Behadin Allaçin, Ali Ukën...

Ju ishit ndryshimi apo kontrolli i drejtësisë!?

Si po mendon Glauk me kontrollu drejtësinë, kështu si e kontrollonte Hashimi me Kadrinë, dhe me të tjerët a po?

Njeriu e ka parë vdekjen me sy, vrasësin me sy, sepse ka mbijetuar, dhe prokuroria e gjykata, ia dërgon në sallë, një tjetër person që kurrë se ka parë me sy, që si përgjigjet as gjatësisë, e ndoshta as nuk e dinte deri atë ditë se kush ishte avokati Gazmend Halilaj.

Image
Glauk Konjufca duke dalur nga burgu i Hagës, pas vizitës së Kadri Veselit, Thaçit e tjerëve

Përplot njerëz në Kosovë janë, me shkelje ligjore –zvarritje të pakufishme, me dhjetëra jet, unë i kam parë e dëgjuar njerëz që prej me dekada për një ftesë, mos të flasim, për 7 vjet, 5 e më pak... asnjë seancë dhe asnjë ftesë gjyqësore. A po e kuptoni se ku e kemi drejtësinë në Kosovë dhe në çfarë niveli?!

A nuk është pikërisht ky motiv që ju shtyn si shumicë të kërkoni veting në drejtësi, sepse ata e rrënuan!?

Po ky sistem drejtësie ende i kontrolluar nga grupet kriminale, përndjek njerëzit më të ndershëm, dhe ju jep fitore gjyqësore njerëzve më të korruptuar!

Për gabimin më të vogël në fjalë këta sot mund t’ju ndëshkojnë nëpërmjet padive, ndërsa neve kundërshtarëve, edhe kur kërcënohemi me jetë nuk vepron drejtësia!

Njerëzit i kanë besuar pamjes suaj intelektuale, që ju bën të keni distancë të madhe në dije me të akuzuarit (pavarësisht diplomave, studimeve doktorale etj)!

Si po mendoni, që ju duhet të jeni në shërbim të atyre, avokat i atyre!

A po ju duket se pak para po shpenzon buxheti i shtetit dhe vetë ata, për të paguar avokatët më të shtrenjtë në botë, e ne shumica s’kemi sot as bukë e kos me honger!

Para disa ditësh bëri një kthim intelektual etik prof.Dr. Blerim Latifi, pas disa shkrimeve kritike ndaj tij, dhe ai tashmë po u kërkon të gjithë intelektualëve t’i braktisin grupet kriminale, pra si ata të Hagës dhe degët e tyre në Kosovë, ndërsa ti tash po e bën një kthim pas!

Si po mendon Glauk me kontrollu drejtësinë?

Që t’i duke u pispillosur kur ta thirrsh gjykatësin e prokurorin ai me tu dridhë dhe të thotë ty, urdhëroni, çfarë doni që të bëjë zotrote!?

Etiketimi që ju i bëni gjykatës speciale si ‘absolutiste’ është i padrejtë. Pse vendimet e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë kush mund t’i kontestojë, kush mund t’i ridrejtojë!? Shqiptarët as nuk mund të ankohen në Strasburg, dhe as në Komisionin e Venecias!

Tribunali i Hagës, a nuk ishte i atillë?! Është tjetër gjë se si arrijnë të ndikojnë shtete, grupe, individ, por atë askush nuk mund ta kontrollonte, juridikisht apo në aspektin administrativ.

A po ndoshta po mendon me ju ba veting atyre të gjykatës speciale!

Pra, ti e paske pa vetën vetëm si zëvendësim të tyre, si vazhdues i tyre, dhe aspak në linjë më demokracinë, barazinë, legalitetin, perspektiven dhe të ardhmen, shpresën dhe drejtësinë etj.

A nuk e dinë ende se gjyqësori, ekzekutivi dhe legjislativi janë të ndarë nga njëri tjetri (Sigurisht se e dinë, kur t’ju pyesin të tjerët)!

D.m.th., ty të pengon pavarësia e gjykatës speciale, madje sa nuk po thua se mos e krijuan rusët, siç po pretendon tani, Rama, t’i tregojë presidentit Biden, se mos ishte një grackë ruse?!

E si ishte ruse, nëse atë e votoi Kuvendi i Kosovës, deputetët i detyroi Hashim Thaçi etj.!?

Po nëse e paskan krijuar rusët, pse e mbrojtën amerikanët, atëherë kur edhe ju VV-ja e LDK-ja, nuk e lejuat shpërbërjen e saj, dhe me të shpërbërjen e shtetit!

Nëse e paskan krijuar rusët gjykatën speciale, atëherë e kanë krijuar agjentët e Rusisë, dhe kundërshtarët e drejtësisë, pra vetë krimi i organizuar, ata për të cilët t’i po ankohesh se nuk paska drejtësi!

Por, lëreni këtë sepse më nuk ka asnjë pikë kuptimi.

Nuk mbrohen ata që kanë kryer vëllavrasje!

Nuk mbrohen ata që kanë kryer vëllavrasje! Vrasja e rreth 100 patriotëve shqiptarë vetëm në luftë është tronditëse, dhe qindra të tjerëve në paqe, vetëm për qëllime personale, pa asnjë proces gjyqësor, pa asnjë mundësi për t’u mbrojtur, pa u ndëshkuar thuajse askush nga viti 1997 e deri më sot, janë 25 vjet!

A i keni pyetur dhe a keni bërë balancë, se këta që janë në Hagë, nën urdhërat e tyre për luftë luftë, sa serbë janë vrarë dhe sa shqiptarë në luftë e pas luftës?!

Shumë nga këta familjarë ju kanë votuar ju, madje duke shpresuar pikërisht që ju ishit ndryshimi, dhe jo si po ju citojnë juve se ke thënë: “Jemi si gishtat e një dore me ata (në Hagë)”!

Me këtë, pra jo vetëm që i ke dëshpëruar votuesit tuaj, por ju rezulton se i keni mashtruar, sepse keni premtuar dhe jeni zotuar se jeni ndryshe! Ndërsa, tash, po e demantoni që të keni premtuar, duke thënë se jeni njësoj, nuk dalloni.

Po ashtu edhe në emër të popullit fole, thuajse ti je mbreti apo ata, ‘gishtat e dorës’, të kanë premtuar se do t’ju votojnë për mbret.

Pra, ktheje nga ta kthesh, Glauk, ke gabuar shumë, nëse jo me vizitën, me deklarimet tuaja gjithsesi.

Glauk ata edhe pse sot janë atje, nëse jo vetë, njerëzit e tyre ende porosisin vrasje, duke i shpallur pengestarët tradhtarë, dhe pastaj duke kërkuar ekzekutimin e tyre, njëjtë siç kanë bërë me Rugovën (disa atentate), kolonelin Krasniqi, “Drinin”, Allaçin, Enver Malokun, Xhemail Mustafën...

Image
Foto ilustrim me disa nga viktimat e vrasjeve politike

Akuzat me fakte të NATO-s, UNMIK-ut e policisë

Ju po harroni qëllimisht se për shumë vrasje që kanë ndodhur, për të cilat sot akuzohen Hashim Thaçi apo Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale, janë bërë hetime edhe nga policia e UNMIK-ut, SHPK-ja, policia e Kosovës dhe EULEX-i. Po ashtu hetime dhe informacione janë siguruar edhe nga inteligjenca e NATO-s dhe KFOR-i.

Pas luftës në shumë raste ka kryer arrestime edhe KFOR-i. Pra, NATO-ja ka siguruar informacione edhe në mënyrë të pavarur.

Kur u zhdukën dosjet apo u vodhën nga Dhoma e Dëshmive, a nuk u tha se një pjesë e dosjeve (kopje e tyre është e siguruar në KFOR!).

Mund të diskutohet gjithmonë për cilësinë dhe nëse mund të ishte bërë më mirë, por kanë faktuar shumë veprime të pasluftës, dhe madje kanë mundur të sigurojnë informacione mjaftueshëm edhe gjatë luftës.

Në dosjet e KFOR-it të botuara për krimin e organizuar, rezultojnë shumë më shumë veprime të nevojshme.

Pra, ju kur po besoni në pafajësinë e tyre, po e injoroni punën dhe hetimet e kryera nga aq shumë misione. Dhe ju po i lëndoni zemrat e qindra familjarëve të pashpresë!

Edhe një pyetje Glauk e kam për ju, në fund. Pas shumë ngjashmërive që ke gjetur, me të akuzuarit për vrasje, a dëshiron të jesh edhe ti oligark, si shumica prej tyre!?

Z.Glauk, a keni pyetur se sa dëshmitarë të vrasjeve të shqiptarëve të pafajshëm janë vrarë, dhe sa prej tyre, pas arrestimit në detyrë të presidentit Thaçi, (sepse ai shkoi në Hagë, nga konferenca e shtypit!, pa dhënë së paku 24 orë më parë dorëheqje), dhe të tjerëve!?

A i keni pyetur se në çfarë ankthi jetojnë dhjetëra familje shqiptare, që shpresën e vetme për drejtësi e kanë gjykatën speciale, si familjet Krasniqi, Allaqi, Mustafa, Ramqaj, Dajaku, Ajeti, Behrami, Kastrati, Imeri etj., etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat