​Aliu: Autostradat do të vazhdojnë të përmbyllen por fokusin e kemi te infrastruktura hekurudhore

Aktuale

​Aliu: Autostradat do të vazhdojnë të përmbyllen por fokusin e kemi te infrastruktura hekurudhore

Më: 22 qershor 2022 Në ora: 13:17
Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se qeveria e ka në fokus të madh infrastrukturën hekurudhore. Ai ka thënë se projekti Durrës-Prishtinë është një mundësi e mirë për Kosovën por nuk ka dhënë shifra të kostos apo më shumë detaje, duke theksuar se këtë e përcakton studimi i fizibilitetit.

Pas mbledhjes së qeverisë, Aliu ka thënë se rrjeti hekurudhor ekzistues i Kosovës duhet të modernizohet.

Aliu: Autostradat do të përmbyllen por tani e kemi në fokus të madh infrastrukturën hekurudhore

“Orientimi i Qeverisë së Kosovës për një dekadë të themi ka qenë kryesisht tek autostradat, ato do të vazhdojnë të përmbyllen por tash do të kemi fokus të madh nga infrastruktura hekurudhore e cila do të sjell mundësi që të kemi transport të gjelbër dhe më të lehtë e më të përshtatshëm për vendin tonë, transport si të udhëtarëve sit ë mallrave. Por ky rrjet hekurudhor dhe ky lloj transporti nuk mund të jetë mjaftueshëm profitabil nëse Kosova nuk është e kyçur në korridore, këtë do ta mundësojmë përmes, meqenëse porti i Durrësit e ka projektin për zhvillimin e tij si në aspektin e transportit të udhëtarëve, si në fushën e transportit të mallrave, pra porti i Durrësit dhe porti i Romanos, kjo është një mundësi e mirë edhe për Republikën e Shqipërisë edhe për Republikën e Kosovës”, ka thënë Aliu.

Ai ka thënë se me modernizimin e infrastrukturës hekurudhore ekzistuese, Porti i Thatë në Prishtinë, do të shërbejë për të gjithë rajonin.

Aliu: Koston dhe lokacionet për projektin Durrës-Prishtinë i përcakton studimi i fizibilitetit

“Porti i Thatë do të jetë në afërsi të Aeroportit të Prishtinës dhe ku ne do të kemi mundësi me ndërtuar një terminal ajror për mallra. Cila do të jetë kostoja, ku do të jenë lokacionet e këtyre, ne kemi pa disa opsione, kryesisht është përgjatë hekurudhës në zonën Fushë Kosovë - Obiliq, rreth e përqark zonës së KEK-ut, ku do të jetë saktë e tregon studimi i fizibilitetit përafërsisht do të jetë aty diku. Sa do të jetë kostoja e kësaj mbetët me e tregu studimi i fizibilitetit dhe projekti”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e tetë më radhë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshje për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat