Qeriqi: Nga Kurti presim veprime konkrete, jo vetëm deklarime në media

Aktuale

Qeriqi: Nga Kurti presim veprime konkrete, jo vetëm deklarime në media

Më: 22 qershor 2022 Në ora: 20:13
Xhevdet Qeriqi

Protesta e veteranëve të UÇK-së pasi Qeveria i la jashtë Projekligjit për pagën minimale është përcjellur me reagime të shumta. Kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të veteranëve, Xhevdet Qeriqi, thotë se shpreson se do të kenë takim me kryeministrin Albin Kurti dhe që i njëjti ta kuptoj që veteranët duhet të trajtohen më dinjitetshëm.

Qeriqi thotë se veteranët duhet të përfshihen njëherë në Projektligj e pastaj të bëhet riverifikimi i listave.

“Po shpresojmë që do të ketë takime të tjera dhe do ta kuptoj edhe kryeministri që veteranët e luftës meritojnë të trajtohen më dinjitetshëm dhe përfundimisht, sidomos në këtë kohë të përfshihen në këtë ligj të pagës minimale, më pas të punohet për ndryshimin e ligjit dhe pastrimin ose riverifikimin që e ka thënë kryeministri”, tha ai.

Ai shtoi se nga kryeministri Kurti presim veprime konkrete, e jo siç thotë ai, deklarime në media.

“Presim që të merr edhe vendime sepse unë i kam pasur dy takime çdo herë e kemi diskutu, ne i kemi dhënë mbështetjen për riverifikim, mirëpo nuk ka ndonjë veprim konkret. Ne po presim veprime konkrete jo vetëm deklarime në media”, deklaroi Qeriqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat