Bashkëpunëtori i Kadri Veselit, Fatmir Sheholli luftonte në Kroaci për Serbinë / Nëna e tij kërkonte t’ju këputej kryet shqiptarëve si pula

Aktuale

Bashkëpunëtori i Kadri Veselit, Fatmir Sheholli luftonte në Kroaci për Serbinë / Nëna e tij kërkonte t’ju këputej kryet shqiptarëve si pula

Nga: Idriz Morina Më: 12 korrik 2022 Në ora: 20:56
Fatmir Sheholli, edhe babain e kishte ose besohej se ishte spiun i UDB-së

Fatmir Sheholli, një figurë jo kontraverse, por që nuk e fsheh fare se ka punuar kundër Kosovës dhe kombit të tij, duke pranuar të bënte punën me rrogë për Serbinë, ka dhënë deklarata që duhen analizuar mirë, edhe për shkak të jehonës së krijuan.

Kanë kaluar 23 vjet nga liria e Kosovës, por ne, mbase edhe si e kam tejtheksuar, vuajmë nga rrjeti i tejmadh i spiunëve, që kryesisht është i shtrirë dhe strukturuar në politikë, dhe që në asnjë plan nuk punon për të mirën e shqiptarëve. Kuptohet përveç në rastet kur, ka konkordanca të rastësishme.

Cilat janë motivet e tij tani të këtij rrëfimi, sa ‘krenarie’ për të, mund të kuptohen më vonë. Sigurisht se s’kemi nevojë të çajmë kokën, me atë sintagmën e famshme të socializmit, në kritikën letrare të asaj kohe, ‘se çfarë ka dashur të thotë autori me këtë...’

Neve po na intereson ajo, se çfarë vërtetë tha autori, pra me shprehjen denotuese të tij (parësoren), jo me atë konotative, dhe se si mund të përdoret apo për çfarë vihet në qarkullim ky informacion. Duke e ditur, se ai ka pasur dhe ka tutor shërbimin e informimit të Serbisë, nga i cili thotë se është ‘dëbuar’, sigurisht se është e pritshme, ‘ana tjetër e lojës’! U bëftë mirë atyre që do ta luajnë.

Ua mbylli gojën patriotëve të Kadri Veselit&Co

Ai tha sot, se personalisht ka punuar në UDB, shërbimin inteligjent të Serbisë, si quhej para luftës në Kosovë, e aktualisht BIA.

Por, ai tha, ‘unë kam punuar në SHIK dhe shef e kam pasur Kadri Veselin’. Këto mesazhe padyshim që janë edhe të karakterit dhe të interesit personal.

Këto dy informacione ai i dha, për t’ju treguar mbështetësve të SHIK-ut, të paraqitur gjithnjë kinse si një krah radikal në Kosovë, se ‘unë jam patriot’, pastaj ‘Unë jam i rëndësishëm sepse shef e kam pasur Kadri Veselin’!

Por, kjo përçon edhe mesazhin tjetër, se nëse unë nuk jam i mirë (për shkak të kaluarës), ‘jam i përlyer’, si mund të mos jetë i ‘përlyer’ Kadri Veseli, njëshi i SHIK-ut, Agjencisë famoze të informimit, të themeluar nga Shtabi i Rognerit, dhe që sipas vlerësimeve në dokumentet e KFOR-it amerikan, udhëhiqej nga Kryesia e PDK-së.

Po ashtu, ai e sipërthekson se e ka pasur bashkëpunëtor të ngushtë Elmi Reçicën. Edhe ky sipas dokumenteve të KFOR-it amerikan, rezultonte të ishte numri dy i SHIK-ut, madje aq i fuqishëm dhe në bashkëveprim me Kadri Veselin, sa së bashku e mbanin epërsinë, por jo edhe të arrinin ta mundin fuqinë e Xhavit Halitit në SHIK dhe përtej tij.

Po ashtu ai thotë se ka bashkëpunuar ngushtë edhe me një eksponent tjetër të SHIK-ut, Latif Gashin, të cilin jo publikisht e akuzon shumë, dhe që e kishte përgjegjësinë në SHIK, për Zonën e Llapit!

Image
Elmi Reçica dhe Kadri Veseli

Vrasja e babait

Megjithatë deri në deklaratën e fundit, Sheholli ka udhëtuar për në Serbi lirshëm, dhe ndër të tjera është interesuar edhe se kush mund t’ia ketë vrarë babain atij.

Por, në Podujevë, sipas dëshmitarëve të kohës, thuhet se Zahari Pajaziti ia vrau babën për spiun. “Ia kishin kërkuar një shkrepës babait të Fatmirit, derisa ky po mundohej ta nxirrte atë nga xhepi, plumbi e kishte goditur në kokë, duke e plandosur për toke”, thotë ky burim.

Ndërsa, një autor shkruan, se nëna e Fatmirit para kamerave televizive serbe para luftës fliste për “Kosovën e Metohinë dhe fjalët më miradie për ta”!
Ndërsa, sipas burimeve të tjera në një emision në RTP, nëna e tij thoshte se shqiptarëve që nuk janë me Serbinë (Jugosllavinë) “duhet me ia këput kryet si pulës”.

Po ashtu një rrëfenjë tjetër pohon, se kjo familje aq besnike ishte ndaj Serbisë, aq sa ky së bashku me një grup kishin shkuar në Kroaci të luftonin përkrah Serbisë.

“Ka qenë në grup në luftë në Kroaci për Serbinë, me një grup shqiptarësh të ndershëm, si Halit Tërnavci nga Drenica etj”, thotë ky burim.

Por, çka konoton kjo deklaratë e tij. Duke qenë një person i lidhur me UDB-në, sepse si thuhet kush hynë aty njëherë nuk del kurrë më!, ai po tregon se Kadri Veseli dhe SHIK-u që e drejtonte është i komprometuar.

Në këtë situatë, për ta lidhur me perin, e këputur lart, qëllimi diskret i këtyre deklarimeve është për të nxitur një konflikt të ri të brendshëm: se atdhetarët shqiptarë u vranë nga bashkëpunëtorët e Serbisë apo nën ndikimin e UDB-së!

SHIK-SHISH-UDB

Sipas dokumenteve të KFOR-it, është edhe fakt notor, se SHIK-u ka bashkëpunuar apo ka qenë thuajse nën drejtimin edhe të SHISH-it të Shqipërisë. Ura kryesore në këtë mes ka qenë Xhavit Haliti, i cili ka qenë, sipas dokumenteve të KFOR-it amerikan truproje e Fatos Klosit, para luftës në Kosovë, dhe më pas shok e bashkëpunëtorë të pandashëm. Po ashtu nëpërmjet kësaj linje, Xhaviti shquhej nga KFOR-i, si një bosht i tretë në SHIK.

Gjithashtu sipas komenteve të KFOR-it, SHISH-i historikisht ka dërguar top operativët e vet në Beograd. Pra, duke pasur bashkëpunim të përhershëm me SHISH-in, me shumë gjasë ndikimi i UDB-së, ishte edhe indirekt nëpërmjet SHISH-it të Shqipërisë.

Sipas të dhënave të shumta së paku mbi 100 atdhetarë shqiptarë, mbështetës të Rugovës janë vrarë në luftë dhe pas luftës, me urdhra të SHIK-ut, dhe të njerëzve që paraprakisht ishin të angazhuar në luftë. Sali Berisha thotë se janë rreth 200 anëtarë të LDK-së, viktima të këtij organizimi.

E ju mbështetësit e SHIK-ut, të vrasjeve politike, për të cilat ne po i akuzojmë këta, me kë jeni tash, me Fatmir Shehollin apo me ne!?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat