​Përfundon konferenca për çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

Aktuale

​Përfundon konferenca për çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

Më: 13 korrik 2022 Në ora: 06:56 Përditësuar në ora: 19:36 më 13.07.2022
Konferenca për gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve

Përfundon konferenca për çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes nga Thaçit dhe të tjerëve, gjykatësi i procedurës paraprake ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që deri më 2 shtator të dorëzojë një listë dëshmitarësh që përditëson mënyrën e marrjes në pyetje për secilin dëshmitar.

Këtë urdhër, Nicolas Guillou e ka lëshuar pas parashtrimeve të mbrojtjes e cila edhe në konferencën e sotme adresoi kritika për prokurorinë e cila nuk po u dorëzon listat me dëshmitarë.

Guillou: Deri më 2 shtator ZPS të dorëzojë një listë dëshmitarësh

“Duke marrë parasysh parashtrimet e palëve urdhëroj ZPS-në që të dorëzojë një listë dëshmitarësh që përditëson mënyrën e marrjes në pyetje dhe paraqitjen e kohës për secilin dëshmitar deri më 2 shtator 2022. Duke marrë parasysh parashtrimet e palëve urdhëroj ZPS-në të plotësojë njoftimin sipas rregullës 102(3) deri më 7 tetor 2022”, ka thënë gjykatësi i procedurës paraprake”, ka thënë ai.

Ndërsa paraprakisht në këtë konferencë, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, avokati Gregory Kehoe ka thënë se Zyrës së Prokurorit të Specializuar do t’i paraqesin dokumente të krimeve serbe në Kosovë. Kehoe ka thënë se ato janë të shumta në numër dhe sipas tij planifikojnë që t’u tregojnë prokurorisë vrasjet e kryera nga Serbia kundër shqiptarëve të Kosovës.

Kehoe: Shpresojmë të mund t’i shikojmë krimet e kryera nga Serbia kundër shqiptarëve të Kosovës

“Nuk jemi në gjendje të biem dakord me fakte të tjera, për shkak të arsyeve që i kam përmendur kohë më parë, por kemi ndërmend të dorëzojmë disa propozime që janë të shumta në numër dhe shpresojmë të mund t’i shikojmë këto krimet e kryera dhe kundër shqiptarëve te Kosovës dhe vrasjeve të shqiptarëve të Kosovës nga serbët dhe kjo do të na shkurtojë shumë kohë”, ka thënë ai.

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve, prokuroria ka deklaruar se nuk planifikojnë të zvogëlojnë çështjen sa i përket numrit të dëshmitarëve.

Prokurorja Claire Lawson ka thënë se nuk e përjashtojnë mundësinë e zvogëlimit të numrit të dëshmitarëve por sipas saj deri tani nuk e kanë parashikuar një gjë të tillë.

Lawson: Nuk planifikojmë zvogëlimin e numrit të dëshmitarëve

“Ne nuk po shikojmë të zvogëlojmë çështjen në vetvete por mënyrën e paraqitjes së dëshmive. Sa i përket zvogëlimit të numrit të dëshmitarëve ne nuk e përjashtojmë këtë, por atë që po e bëjmë deri tani ne nuk e kemi parashikuar një gjë të tillë. E dimë që kjo do të ndikojë të përgatitja e mbrojtjes dhe do të njoftojmë mbrojtjen sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka thënë ajo.

Lidhur me këtë, ka reaguar avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Emmerson: Kjo është përpjekje që të gjykohet UÇK-ja

“Në shumë raste në përgjigje të një parashtrimi me gojë apo shkrim, jo është një përpjekje faktikisht që të vihet Ushtria Çlirimtare e Kosovës në gjykim, të sillet para gjyqit, dhe prokuroria thotë që nuk është ky gjykim kundër UÇK-së por para disa anëtarëve të saj, nëse kjo është e vërtetë atëherë nuk duhet të ketë asnjë kundërshtim që të hiqen vendndodhje të krimeve ku e vetmja lidhje që është vendosur është një lidhje nëpërmjet dikujt që identifikohet si anëtar i UÇK-së dhe nuk ka asnjë lidhje me ndonjë prej këtyre të akuzuarve dhe vendndodhjen e krimeve. Nëse hiqen këto raste atëherë kjo do ta reduktonte shumë çështjen dhe mund të kursej muaj e muaj dëshmish të cilat nuk do të kishin lidhje me çështjen e prokurorisë, nëse prokuroria i përmbahet qëndrimit të saj se ky nuk është sulm ndaj UÇK-së”, ka thënë ai.

E avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe ka thënë se parashkrimi prokurorisë nuk është i drejtë.

Kehoe: Paragrafët e aktakuzës praktikisht përfshijnë të gjithë anëtarët e UÇK-së

“Kjo do të thotë që përgjigja është që ata nuk do të zvogëlojnë çështjen, nuk do të ulin numrin e dëshmitarëve dhe vendndodhjes së incidenteve... Ky parashtrim që bëri prokuroria nuk është i drejtë, paragrafët e akuzës përfshijnë të gjithë anëtarët e UÇK-së praktikisht. I ftoj të gjithë të shikojnë paragrafin 35 të aktakuzës dhe kush nga UÇK është lënë jashtë këtij përshkimi”, ka thënë ai.

Disa pika të tjera të kësaj konference, cilat nuk ishin përfshirë në rend dite, janë diskutuar në seancë private.

Ndërsa konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve është caktuar të mbahet më 8 shtator 2022.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Avokatët kërkojnë që prokuroria të dorëzojë listën e dëshmitarëve për tre muajt e parë të gjykimit

Avokatët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kërkuar që Zyra e Prokurorit të Specializuar të tregojë listën e dëshmitarëve të cilët do t’i thërrasë në tre muajt e parë të gjykimit. Ata kanë kërkuar që për një gjë të tillë të jap urdhër gjykatësi i procedurës paraprake, meqë sipas tyre në këtë mënyrë mbrojtja do të mund të vijonte me përgatitjen e saj.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka kërkuar që prokuroria të jap një informacion të tillë derisa e ka kritikuar atë për mos efikasitet dhe zvarritje të procesit.

Emmerson: Nëse ZPS vazhdon në këtë mënyrë do të mund të përfundojë si prokuroria e Millosheviqit

“Prokuroria nëse vazhdon ashtu siç po bënë tani nuk mund të paraqes një çështjen në mënyrë të kuptimplotë dhe mund të përfundojë sikur edhe prokuroria e zotëri Millosheviq e cila vazhdojë pa fund dhe në fund dështoi. Na tha kryeprokurori në fillim të kësaj çështje, zotëri Smith, se prokurorial është e dizajnuar të jetë më e shpejtë se prokuroritë e tribunaleve të tjera dhe na akuzoi ne, mbrojtjen, se po e zmadhojmë çështjen e kohëzgjatjes së gjykimeve të kësaj natyre, tani jemi në një situatë në fakt është dashur të jemi në fazën përfundimtare kur një çështje është e gatshme për gjykim por ne nuk jemi as afër një statusi të tillë, pse, sepse prokuroria nuk di se kush janë dëshmitarët, cilët do ti thërras me cilën radhitje, çfarë dokumente do të paraqesin nëpërmjet tyre, cila është prejardhja e tyre ata janë në gjendje që do të duhej të ishin para dy vitesh. Me gjithë respektin ju ftoj të caktoni të paktën shtatë ditë para konferencës së ardhshme që prokurorial të na jep informacionin që e kemi kërkuar”, ka thënë Emmerson.

Edhe avokati i Thaçit, Gregory Kehoe ka kërkuar nga gjykatësi që të urdhërojë Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të japë listën e dëshmitarëve që planifikon t’i thërras në tre muajt e parë të gjykimit.

Kehoe: ZPS të na jap listën e dëshmitarëve që do t’i thërrasin në tre muajt e parë të gjykimit

“Jam dakord me dorëzimin e listave të dëshmitarëve për tre muajt e parë të gjykimit, kjo është një procedurë normale, mund të ndodh që ndonjë dëshmitarë do të duhej të ndryshojë për shkak të kalendarit, por është jashtë logjikës që një çështje e përmasave të tilla që të jetë planifikuar në mënyrë të tillë që të na jepet lista e dëshmitarëve që synojnë të pyetet nga prokuroria, jam i sigurt që prokuroria e ka këtë listë, nëse ata nuk duan të na japin është punë për ta, por nuk mund të kesh një çështje të një dimensioni të tillë pa e pasur idenë si do të fillosh çështjen, kë do të thërras të parin. I kërkoj gjykatësit të urdhërojë ZPS të na jap listën e dëshmitarëve që do të thërrasin gjatë tre muajve të parë”, ka thënë ai.

Me këtë kërkesë janë pajtuar edhe mbrojtja e Rexhep Selimit dhe ajo e Jakup Krasniqit, sipas së cilëve lista me dëshmitarët duhet të dorëzohet sa më parë.

Avokati i Kadri Veselit i kërkon Prokurorisë që të anulojnë pushimet verore

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, i ka kërkuar stafit të Prokurorisë në Dhomat e Specializuara që të anulojnë pushimet verore, dhe në vend të kësaj të punojnë, që të bëjnë një listë të dëshmitarëve që do t’i thërras.

Ai akuzoi Prokurorinë se edhe pas dy vitesh nuk është në gjendje të paraqes një listë reale të dëshmitarëve që do të thërrasë.

“Nuk mund të na e thonë këtë në kohën e afërt, sepse nuk e dinë as vetë”, tha Emmerson.

“Prokuroria nuk ka plan për gjykim as pas 2 vitesh që katër të akuzuar po mbahen në paraburgim, është shokuese. Duhet ta detyroni prokurorinë që të arrijë, apo të marrë vendime të rëndësishme gjatë kësaj vere. Stafi i prokurorisë duhet të anulojë pushimet dhe ta formulojë çështjen e vet, të tregojë se cilët dëshmitarë do t’i thërrasë në tre muajt ë parë të gjykimit, cilët janë 167 dëshmitarët e parë, pra duhet të disiplinohen nga ana profesionale, në të kundërt do të kemi një prokurori tërësisht dembele, dhe gjykimi mund të zgjasë nga 5 deri në 7 vjet”.

“Është vendim i juaji zotëri gjykatës që të thoni se kur arrihet pika e fundit, por mos na lini këtë vendim për shtator. Nuk mundet prokuroria që të vijë para jush dhe të kërkojë njëfarë të mire. Nuk e kam detyrë ta detyrojë prokurorinë të sillet ashtu siç duhet, por e kam për detyrë ta mbrojë klientin tim si duhet”, u shpreh tutje avokati i Veselit.

“Ne duhet ta dimë çështjen me të cilën ballafaqohemi. Ju me plot të drejtë na pyesni se kur do të jeni të gatshëm e kur do të filloni hetimet e kështu me radhë, por ju duhet ta keni parasysh një pikëpamje të përgjithshme se sa i përket intervistave të dëshmitarëve dhe protokollit të dëshmitarëve është e dukshme dhe e pashmangshme që mbrojtja do të dëmtohet. Duhet të ndihmohet mbrojtja, këtë ndihmë mund ta jap prokuroria, por prokuroria nuk është e gatshme ta ndihmojë mbrojtjen”.

Tutje Emmerson tha se Prokuroria mund të përfundojë njëjtë si ajo në rastin e gjykimit të Sllobodan Millisheviqit.

“Prokuroria siç po bën tani mund të përfundojë sikur prokuroria e Millosheviq, e cila vazhdoi pa fund, dhe në fund dështoi”.

“Na tha kryeprokurori në fillim të kësaj çështje, z. Smith vetë, që prokuroria është e dizajnuar të jetë më e shpejtë se tribunalet tjera, dhe na akuzoi ne mbrojtjen se po e zmadhojmë kohëzgjatjen e kësaj çështje. Ne në fakt është dashur tani të jemi afër përfundimit të çështjes dhe të gatshëm për gjykim, por nuk jemi as afër, sepse prokuroria nuk e di as kush janë e as kur do të paraqiten dëshmitarët. Pra jemi në të njëjtin vend si para dy vitesh. Prandaj kërkoj që para konferencës së ardhshme ta marrim informacionin që po kërkojmë”, përfundoi Emmerson.

Avokati i Veselit akuza Prokurorisë: Nuk i ka lëshuar dokumentet e ardhura nga...

Avokati i Kadri Veselit në Hagë, Ben Emmerson, ka thënë në seancën e sotme për ecurinë e çështjes në Speciale se Prokuroria e Specializuar nuk po e kryen punën e vet në nxjerrjen e materialeve.

Ai ka thënë se Prokuroria ka shkaktuar paqartësi në nxjerrjen e materialeve duke i përzier ato.

Kjo për faktin se sipas Emmerson, Prokuroria ka përfshirë materiale të rregullës 103, në nxjerrjen e materialeve të rregullës 107.

“Ne kemi përpara afatin e dorëzimit  të dosjeve paraprake dhe kemi ndërmend që ky afat të mbetet i pandryshuar. Ësht pika që ndikon në zhvillimin e mëtejshëm të procedurave. Nuk duam që të kërkohet zgjatja e afatit sepse Prokuroria nuk i ka përmbushur detyrimet e veta të nxjerrjes së materialeve. Ajo që është një problem akut për nxjerrjen e materialeve të rregullës 107 është se mund të jenë përfshirë materiale që mund të jenë të rëndësisë së konsiderueshme për Trupin Gjykues që do të caktohet në këtë çështje. Materiale prej burimeve të pavarura, që janë jashtë dy protagonistëve kryesor”, tha ai

Ai ka thënë se materialet që duhet të nxirren janë të rëndësishme sepse vijnë nga jashtë Kosovës e Serbisë.

Emmerson shton se dokumentet në fjalë janë nga agjenci qeveritare dhe ndërqeveritare.

“Ne kemi bërë një parashtrim në lidhje me nevojën e identifikimit se cilat provat janë nga burimet e korruptuara dhe të dyshimta. Pra, ky është qëndrimi jonë sa i përket palëve në konflikt. Këto materiale janë të rëndësishme sepse janë nga palë që nuk kanë qenë të përfshira në konflikt. Sasia e materialeve për të cilat ende nuk është marrë autorizim dhe s’janë lëshuar, është 400 dokumente. Ne e kemi të qartë se çfarë ndikimi ky lloj dokumentacioni mund të ketë. Dokumentacion nga burime qeveritare apo ndërqeveritare dhe që mund t’i jep njëfar forme çështjes. Shihet më së miri me materialin e rregullës 107 dhe materiale kyqe nuk i janë nxjerrë mbrojtjes. Kjo mund të zgjidhet duke përmendur edhe pasojat që mund të ketë për dorëzimin e dosjes paraprake. Nëse bëhet kjo në fillim të tetorit, mbrojtja do të jetë e dëmtuar nga vet fakti që Prokuroria s’do mund t’i përmbush detyrimet e nxjerrjes. S’mund të ndodhemi në një situatë kur mbrojtja do të bëj kërkesë për afatin e pandryshuar”, tha Emmerson.

Ai thotë se Prokuroria duhet të përcaktohet nëse materialet janë fajësuese apo shfajësuese.

“Do të ishte thelbësore që të dihet si moment i fundit, në qoftë se Prokuroria mendon që pjesa më e madhe e këtyre materialeve është fajësues apo shfajësues në mënyrë që kjo të mos ketë ndikim në dosjen paraprake”, tha në fund avokati britanik i Veselit.

​Rasti ndaj Thaçit dhe të tjerëve, gjykatësi thotë se mbrojtja duhet të marrë materialet shfajësuese

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka theksuar se mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve ka të drejtë të marrë materialet shfajësuese, për çka i ka kërkuar prokurorisë t’i dorëzojë ato nëse i posedon.

Në konferencës mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së, avokatët kanë kritikuar Zyrën e Prokurorit të specializuar për vonesë në dorëzimin e materialeve shfajësuese.

Sipas mbrojtjes, prokuroria posedon dokumente të tilla por nuk i nxjerr ato.

Lidhur me këtë, gjykatësi Guillou i ka thënë prokurorisë se e njëjta duhet të nxjerrë materiale shfajësuese nëse i posedon ato, duke theksuar që mbrojtja ka të drejtë të marrë dokumente të tilla.

Guillou: Prokuroria të dorëzojë materialet shfajësuese, mbrojtja ka të drejtë t’i marrë ato 

“Materialet që ju i keni por që mund të bëhen shfajësuese sepse mund të ketë një arsyetim të ri ose mund të ketë informacion të ri, ose mund të ketë gjëra të cilat mund të jenë konsideruar shfajësuese, mund të bëhen fajësuese, dhe në kohën e momentin të analizës fillestare ju nuk i keni menduar këto materiale si shfajësuese por ndërkohë tani dalin shfajësuese, ajo çka kuptoj unë tani është që ajo çfarë duhet të konsiderohet shfajësues tani pra nuk e kuptoj pse etiketime të tilla të kontrolluara nuk mund të realizohen tani. Nëse është e qartë se kemi të bëjmë me materiale shfajësues tani, duhet të nxjerret, kaq, pikë. Pra mënyrën si e bëni ju procesin është puna e juaj, mbrojta nuk ka të bëjë fare me këtë gjë, por mbrojta duhet të marrë atë çfarë ka të drejtë të marrë, pra duhet të marrë materialin shfajësues”, ka thënë gjykatësi i procedurës paraprake. 

Konferenca mbi ecurinë e çështjes nga Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit po vazhdon me diskutime në mes të palëve. Ndërsa të akuzuarit po marrin pjesë përmes video lidhjes.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë

​Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve kërkon nga prokuroria dorëzimin e materialeve shfajësuese

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, avokatët kanë kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për vonesa në dorëzimin e materialeve shfajësuese. Mbrojtja ka kërkuar që prokuroria t’u vë në dispozicion menjëherë dokumentet të cilat lidhen me materialet shfajësuese dhe sipas tyre ZPS posedon materiale të tilla por nuk i dorëzon ato.

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe ka thënë se prokuroria duhet t’i dorëzojë materialet shfajësuese menjëherë dhe jo t’i kërkohet të bëjë një gjë të tillë duke shtuar se kjo është detyrim për ZPS-në.

Kehoe: ZPS posedon dokumente shfajësuese 

”Kur ZPS vendohet në pozitë të vështirë atëherë ata dorëzojnë material shfajësues, është shumë e thjeshtë, kjo është një çështje e cila ka hasur shumë probleme nga ana e prokurorisë, ka dokumente shfajësuese në posedim të ZPS aktualisht duke lënë me një anë mocionin që kemi dorëzuar sot lidhur me dokumente serbe të cilat ju e keni parë i nderuar gjykatës, pra është një proces që duhet bërë dhe bëhet mirë të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ata duhet ta bëjnë dorëzimin e këtyre materialeve tani”, ka thënë ai.

Për këtë ka folur edhe mbrojtja e Jakup Krasniqit, Aydan Elis i cili ka thënë se nxjerrja e materialeve shfajësuese nuk duhet të shtyhet më.

Elis: Nxjerrja e materialeve shfajësuese është detyrim për prokurorinë

“Ajo për të cilën ne duam që t’i dalim situatës përpara është që nxjerrja e materialeve shfajësuese është detyrim i vazhdueshëm për prokurorinë kështu që prokuroria nuk duhet t’i bëjë bisht për të nxjerrë materialet shfajësuese menjëherë në momentin kur prokuroria e ka një dokumentacion të tillë në duar. Ne sugjerojmë që përveç ta lidhim atë me kontrollime shtesë të synuara, ajo çfarë kërkojmë ne është që kontrollimet e synuara të cilat i ka përmendur prokuroria, pra ato të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejt me listën e dëshmitarëve dhe listën e provave materiale, pra në qoftë se këto kontrollime lidhen me materiale shfajësuese duhet që materialet shfajësuese të na vihen në dispozicion menjëherë”, ka thënë ai.

Ndërsa nga prokuroria kanë thënë se mbrojtja po e keq përfaqëson natyrën e detyrimit sipas rregullës 103.

Sipas prokurorisë, kontrollimet janë duke u kryer dhe nuk përjashtohet mundësia që mund të ketë kontrolle të reja gjatë procedurës.

ZPS e ka kundërshtuar caktimin e një afati për nxjerre të tilla duke thënë se kufizimi i prokurorisë në këtë aspekt nuk është në interes të askujt.

Konferenca mbi ecurinë e çështjes nga Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit po vazhdon me pikat e tjera të rendit të ditës. Ndërsa të akuzuarit po marrin pjesë përmes videolidhjes.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Pas një kohe të gjatë Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi dalin para ekranit

Ka nisur seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Për herë të parë pas një kohe të gjatë ata kanë dalë në ekranet që bëjnë përcjelljen e drejtpërdrejtë të seancës.

Seanca e sotme do të jetë konferencë mbi ecurinë e çështjes.

Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së nuk pritet të nis deri në fund të këtij viti apo fillim të vitit të ardhshëm.

Vendimi pro-prokurorisë i shkakton probleme Thaçit: Mbrojtja e tij anulon disa intervista me dëshmitarë

Një vendim në favor të Prokurorisë së Specializuar që mori para disa ditësh gjyqtari paraprak në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur t’i shkaktojë probleme mbrojtjes së krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykatësi paraprak, ndër të tjera, para pak kohësh aprovoi manualin e intervistimit të dëshmitarëve, duke pranuar edhe kërkesën e prokurorisë që të jetë prezente apo të ketë qasje kur avokatët mbrojtës intervistojnë dëshmitarët.

Sipas vendimit të marrë, kjo mund të bëhet me një kërkesë te trupi gjykues.

Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, ka njoftuar se si rrjedhojë e një protokolli të tillë të vendosur nga gjyqtari paraprak, është detyruar t’i anulojë disa intervista me dëshmitarë.

Kjo pasi që paraprakisht, dëshmitarët në fjalë kishin pranuar të takohen me mbrojtjen pa asnjë kusht.

“Mbrojtja po vazhdon hetimet. Megjithatë, siç u parashtrua më parë,  hetimet mbeten të penguara nga një sërë faktorësh jashtë kontrollit të mbrojtjes dhe do të ndikohen ndjeshëm nga zbatimi i kohëve të fundit i “Kornizës për trajtimin e informacionit konfidencial gjatë hetimeve dhe kontaktit midis një pale ose Pjesëmarrësit dhe dëshmitarët e palës kundërshtare ose të një pjesëmarrësi’ (“Protokolli i dëshmitarit”). Për shkak të këtij Protokolli të Dëshmitarit, Mbrojtjes iu desh të anulonte disa intervista të planifikuara të dëshmitarëve të prokurorisë, të cilët ishin të gatshëm të takoheshin me Mbrojtjen pa asnjë kusht”,  ka thënë avokati i Thaçit, Gregory Keohe.

“Përgatitja për depozitimet e propozuara është vonuar pa masë nga zbatimi i Protokollit të Dëshmitarëve, për shkak të nivelit të përgatitjes, organizimit dhe koordinimit që tani kërkohet për ndërveprimet me dëshmitarët që bien brenda parametrave të tij. Mbrojtja nuk mund t’i propozojë ndonjë datë reale për intervista Prokurorisë, pa folur më parë me dëshmitarin. Pushimi veror fillon pas pak ditësh dhe kjo periudhë festash e bën më të vështirë çdo intervistë me dëshmitarët”, ka thënë tutje avokati i Thaçit në një parashtresë.

Këto detaje, avokati i Thaçit i ka bërë të ditura në shkresën që e ka dërguar para seancës që mbahet sot, e cila do të jetë konferencë për ecurinë e çështjes.

Kjo çështje, do të diskutohet pikërisht sot ndërmjet avokatëve, prokurorisë dhe gjykatësit të procedurës paraprake.

Avokati i Thaçit indinjohet me Prokurorinë: “Po tjerrin kontrollimet e materialeve, s’janë vigjilentë”

Avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe, ka fajësuar Prokurorinë e Speciales për vonesa të tejskajshme në nxjerrjen e materialeve.

Keohe në seancën e sotme ka thënë se vigjilenca, është fjalë që nuk i përshtatet Prokurorisë në punën e saj.

Ai ka kërkuar që materialet sipas rregullës 103 të nxjerren menjëherë.

Ndoshta prokurori s’është i njohur për procedurat e deritanishme. Ne kemi gjashtë muaj që flasim për materiale që duhet të nxirren. Vigjilenca është fjalë që nuk është etiketimi i duhur për të përshkruar prokurorinë në këtë aspekt. Materialet sipas rregullës 103 duhet të dorëzohen menjëherë, dhe kjo do të thotë tani. Fjala menjëherë, do të thotë tani. Kështu që të bësh tjerrje të kontrollimeve që duhet të nxjerren sipas rregullës 103 është e pavlerë. Kur ZPS-ja vendoset në një pozitë të vështirë, atëherë ata dorëzojnë materialin shfajësues. Kjo është çështje që është problem i prokurorisë”, tha Keohe.

Ky është një proces që duhet bërë, dhe duhet bërë sa më shpejtë që të jetë e mundur”, shtoi ai.

Sot mbahet konferenca e 13-të ndaj Thaçit e të tjerëve

Sot ( e mërkurë) do të mbahet konferenca e 13-të për ecurinë e çështjes në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Kjo konferencë do të fillojë në orën 13:30.

Ndryshe aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret. ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021.

Më 23 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet.

Pas hedhjes poshtë të apeleve të Thaçit dhe Veselit kundër këtij vendimi prej Panelit të Gjykatës së Apelit më 22 mars 2022, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të aktakuzës së ndryshuar më 29 prill 2022. Aktualisht, kjo është aktakuza në fuqi në këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat