Politika malazeze “në ethe”, ja dy opsionet që Gjukanoviq i ka lënë në tryezë Abazoviçit

Aktuale

Politika malazeze “në ethe”, ja dy opsionet që Gjukanoviq i ka lënë në tryezë Abazoviçit

Më: 13 korrik 2022 Në ora: 11:08
Dritan Abazoviq dhe Milo Gjukanoviq

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq miratoi marrëveshjen me Kishën Serbe, të cilën në Podgoricë e kanë quajtur si tradhti kombëtare. Sipas Kushtetutës malazeze, rrëzimin e qeverisë mund ta kërkojnë 25 deputetë të Kuvendit, partitë që janë në koalicionin qeverisës, ose Presidenti i vendit. Të tri këta faktorë janë kundër shqiptaro malazezit.

Asi nën mëngë i tij është vetëm partia pro-serbe Fronti Demokratik, e cila është pro marrëveshjes me Kishën e Beogradit. Gjithashtu faktori kyç që mund të shpëtojë qeverinë e Dritan Abazoviqit është Kisha Ortodokse Serbe, përmes ndikimit të saj te Demokratët.

Vetë, Abazoviq nuk e konsideron si tradhti miratimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, por si hap për ta shtyrë Malin e Zi drejt pajtimit. Në lidhje me mundësinë e humbjes së shumicës së qeverisë që drejton, ai u shpreh se ka kërkuar mbështetjen e të gjithëve për ta formuar. Kreu i qeverisë malazeze nënkuptoi edhe zgjedhje të parakohshme, nëse qeveria e tij do të përballej me një mocion mosbesimi.

“Kemi kërkuar mbështetjen e 81 deputetëve, nëse ka shumicë mirë, nëse jo, të gjitha opsionet janë në tavolinë, kjo është e pranueshme për mua”. Nuk bëj bujë, nuk e përmend termin tradhti. Ne kemi pikëpamjet tona politike, pohoj se kjo nuk ka të bëjë me Marrëveshjen Themelore”, theksoi ai.

Gjukanoviç, dy opsione në tryezën e Abazoviçit

 “Ose do të iniciojmë votë mosbesimi, ose shkurtim të mandatit qeverisës në Kuvend.” Këto janë dy mundësitë të cilët janë në tavolinë, shpjegoi Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, pas situatës së krijuar me miratimin e marrëveshjes mes Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, nga kryeministri Dritan Abazoviq.

“Fatkeqësisht, pavarësisht asaj çfarë ne propozuam, qeveria miratoi propozimin e marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe”, u tha gazetarëve, Gjukanoviç. “Do të bisedojmë me partnerët për të parë se si do vazhdojmë, sepse ju e dini se përpara i kemi dy mundësi, ose votë mosbesimi ndaj qeverisë, ose shkurtim të mandatit të asaj në Kuvend”. “Nuk mund të jetë kontratë e dimensioneve ndërkombëtare”, u shpreh presidenti.

“Siç edhe e dini, ne këso kontrate nuk kemi me Selinë e Shenjtë të Vatikanit, sepse në atë rast nuk kemi të bëjmë me një komunitet fetar, por shtet, një anëtare të Kombeve të Bashkuara”.

A janë opsion zgjedhjet e reja?

DPS-ja dhe SDP-ja kanë gjithashtu mundësi që të ndërmarrin një iniciativë për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, e cila do të çonte pastaj në zgjedhje të jashtëzakonshme. Edhe për këtë iniciativë, si në rastin e mosbesimit ndaj Qeverisë, përveç votave të partive të pakicave, të cilat nuk dihet nëse i kanë, u duhet së paku edhe një votë nga radhët e partive të mbledhura rreth Frontit Demokratik pro-rus ose Demokratët.

Edhe pse këto parti, pas rënies së Qeverisë së mëparshme, në prill të këtij viti, kanë kërkuar zgjedhje të reja, duke i konsideruar ato si opsion më korrekt sesa zgjedhjen e Qeverisë pakicë të Abazoviqit, ato, aktualisht, nuk duan të deklarohen nëse do ta mbështesnin ose jo shkurtimin e mandatit të Kuvendit. As qëndrimi i partive të pakicës për këtë çështje nuk është i qartë. Por, një tjetër pengesë në rrugën drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme është edhe situata në Gjykatën Kushtetuese. Ajo garanton mbrojtjen e të drejtave të votës dhe pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale, nuk do të ketë mbrojtje institucionale në rast se shkelen të drejtat zgjedhore të qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat