Grenell: Nuk mendoj se Kurti është lider i mirë për popullin e Kosovës, përparimi më i madh ishte me Thaçin

Aktuale

Grenell: Nuk mendoj se Kurti është lider i mirë për popullin e Kosovës, përparimi më i madh ishte me Thaçin

Më: 15 korrik 2022 Në ora: 09:56
Richard Grenell, ish i dërguari special i Donald Trump

Ish-i dërguari special i SHBA-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell, ka vlerësuar se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, “nuk është lider i mirë për popullin e Kosovës” dhe shtoi se liderët e tjerë ishin më të mirë, si p.sh. ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Nuk është vetëm mendimi im, besoj se edhe qeveria aktuale amerikane e sheh në këtë mënyrë. Mos harroni se ai (Kurti) shkoi në Uashington, nuk arriti as në Shtëpinë e Bardhë, nuk hyri brenda. Ai ishte matanë rrugës me stafin e administratës”, tha Grenell për gazeten serbe ‘Politika’.

Grenell, i cili ishte i dërguar i posaçëm gjatë mandatit të presidentit amerikan Donald Trump, vlerësoi se një gjë e tillë nuk mund të ndodhte nën drejtimin e Trump dhe se do të organizoheshin takime të nivelit të lartë dhe do të dërgoheshin mesazhe të forta dhe të qarta.

Kur është fjala për ish-presidentin e Kosovës, Thaçi, Grenell vlerëson se Evropa nuk është dashur ta vendosë atë në Hagë, ku po gjykohet si një nga liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për krime lufte në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999.

“Populli i Kosovës, nëse dëshiron të ecë përpara, e di se ne kemi bërë shumë më tepër përparim kur Thaçi ishte president”, tha ai.

Grenell shtoi se administrata e presidentit aktual të SHBA-së Joseph Biden deklaroi se nuk dëshiron të përfshihet në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe shtoi se “pret shumë biseda dhe pak veprime” nga BE-ja, e cila tani është në krye.

Duke folur për Marrëveshjen e Uashingtonit, ai vlerësoi se disa pjesë janë shkelur, pjesë ende po tentojnë të zbatohen, por se “nuk ka udhëheqje amerikane, nuk ka presion për ta zbatuar atë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat