“Albin Kurti në listën No Fly të SHBA-së”, Uk Lushi i kundërpërgjigjet Florin Krasniqit

Aktuale

“Albin Kurti në listën No Fly të SHBA-së”, Uk Lushi i kundërpërgjigjet Florin Krasniqit

Më: 15 korrik 2022 Në ora: 21:40
Uk Lushi, Albin Kurti dhe Florin Krasniqi

Veprimtari shqiptar në SHBA dhe ish-ushtari i UÇK-së Uk Lushi i është kundërpërgjigjur ish-deputetit të LVV-së, Florin Krasniqi, në raport me marrëdhëniet e kryeministrit Albin Kurti me Uashingtonin.

Lushi përmes një reagimi në Facebook ka thënë se nuk është në interesin e shqiptarëve të cilësohet Kurti si anti-amerikan.

“Të sulmosh përfaqësuesit e shqiptarëve si anti-amerikanë është jo vetëm e pasaktë, por është edhe anti-shqiptare. Populli shqiptar si tërësi është pro-amerikan dhe e kupton që vlerat dhe interesat amerikane dhe shqiptare janë konvergjente gati në çdo aspekt”.

Ish-pjesëtari i Batalionit Atlantiku ka thënë se Kurti nuk është anti-amerikan, pasi sipas tij shqiptarët nuk kanë vota për anti-amerikanët.

“E njëjta vlen edhe për KM Albin Kurti. I pari i qeverisë së Kosovës nuk është anti-amerikan. Elektorati shqiptar askund në Ballkan nuk i jep vota dikujt që aktualisht nuk është pro-amerikan. Kurti ka metodat e tij të të bërit politikë”.

Sipas Lushit Kurti mund të kritikohet për qeverisje, por jo edhe duke përdorur (anti) amerikanizmin.

“Amerika dhe shqiptarët janë aleatë natyrorë dhe bërthama e kësaj lidhjeje nuk është cenuar asnjëherë. KM Kurti mund të kritikohet për qeverisje, për gabime, mirëpo sulmet kundër tij duke përdorur (anti) amerikanizmin, janë sulme kundër interesit shqiptar”, ka shkruar tutje Lushi.

Ndryshe, në Debat Plus, ish-deputeti i LVV-së Florin Krasniqi ka akuzuar Kurtin për prishje të raporteve shtetërore me Amerikën.

Sipas Krasniqit, i cili poashtu jeton dhe vepron në SHBA, Kurti nuk është i mirëpritur në Amerikë nga strukturat e larta të Departamentit të Shtetit.

Ai tha poashtu se Kurti është në listën No Fly të SHBA-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat