Nga shpërthimi në lokalin “Sekiraqa” deri te dyshimet për korrupsion në EULEX – Krejt çfarë tha Bamieh

Aktuale

Nga shpërthimi në lokalin “Sekiraqa” deri te dyshimet për korrupsion në EULEX – Krejt çfarë tha Bamieh

Më: 17 korrik 2022 Në ora: 09:12
Maria Bamieh

Ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, e cila kishte sinjalizuar për korrupsion brenda këtij misioni, të shtunën ka mbajtur një konferencë për media. Ajo ka folur për përfshirjen e zyrtarëve të EULEX-it në afera për mbylljen e rastit penal kundër Ilir Tolajt dhe për rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraqa”. Menjëherë pas përfundimit të konferencës, Bamieh mori ftesë për intervistim nga Prokuroria në Prishtinë.

Të shtunën para gazetarëve, Bamieh tha se në shpërthimin në lokalin “Sekiraça” kishte dy dëshmitarë.

“Për rastin e shpërthimit në lagjen “Bill Clinton”, kisha dy dëshmitarë që thonin se kishin paguar para për Florit, për lirimin e dy personave dhe mua më kritikonin pse kam lejuar dëshmitarët ta thonë këtë në gjyq dhe kjo shkaktoi turbulencë ndaj EULEX-it”, tha ajo dje.

Bamieh tregoi se ka pasur përgjime të ligjshme, të cilat përfshinin disa ndërhyrje.

“Unë kam pasur përgjime të ligjshme të cilat përfshinin disa ndërhyrje. Kolegu im gjerman i kishte përgjuar këto telefonata por aty nuk ishte dëgjuar të ishin thënë ato gjëra në ato përgjime, por unë pastaj nga një informator dëgjova se Ilir Tolaj e posedonte një telefon në burg dhe pastaj e mora një urdhëresë të gjykatës për përgjimin e atij telefoni të cilin e posedonte Tolaj”, tha ajo.

Bamieh deklaroi se nga përgjimet zbuloi se gjyqtari i rastit të Tolajt po takohej me ndërmjetësues të ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Nga këto përgjime unë dëgjova se gjyqtari francez po takohej me ndërmjetësuesit e z. Tolaj. Ata ishin takuar në Villa Gërmia me gjyqtarin Francesco Flori dhe prokurores Jaroslava Novotna dhe unë u shkova këtyre përgjimeve në detaje. Ato të gjitha ishin të rëndësishme”, tha ajo të shtunën.

“Ata po mundoheshin që ta zhduknin këtë rast”, tha Bamieh. “Ata donin nga gjyqtari Flori që t’i garantonte atyre që Tolaj do të lirohej dhe se rasti do të përfundonte”.

Bamieh deklaroi se grupi i Tolajt “kishin një aleancë të fortë politike brenda Qeverisë së Kosovës dhe ata në këto përgjime, po i referoheshin këtij politikani të fuqishëm si personi nga Kaltrina”.

Menjëherë pas kësaj konference, Bamieh u ftua për intervistim nga Prokuroria në Prishtinë. Këtë e bëri të ditur vetë ajo përmes një postimi në Facebook.

“Ju njoftoj që sot menjëherë pas konferencës për shtyp një zyrtar policor më dorëzoi një ftesë për intervistim nga prokurorja Fitore Sadikaj nën dyshimin që kam kam kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete. E pranova ftesën dhe e njoftova zyrtarin policor që do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kosovare”, ka shkruar Bamieh në Facebook.

Media dje ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë për të kuptuar arsyet e kësaj ftese. Zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj, tha se ftesa është bërë për shkak të pamundësisë për sigurimin e deklaratës së Bamieh viteve të kaluara.

“Mund t’ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të pamundësisë për sigurimin e deklaratës nga znj. Maria Bamieh viteve të kaluara, i ka bërë ftesë për intervistim të njëjtës, pas zhvillimit të konferencës së sotme”, ka thënë Ulaj të shtunën.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar misioni i EULEX-it.

EULEX në një komunikatë për media ka thënë se Bamieh ka përsëritur akuza e thashetheme, si dhe ka bërë “përgojime të pabazuara”.

Sipas EULEX, Bamieh nuk prezantoi asnjë provë të re.

Tutje, ky mision ka thënë se edhe hetimet nga Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës gjatë vitit 2016 kanë vërtetuar se nuk ka pasur shkelje nga gjyqtarët e tyre.

Britanikja kishte denoncuar korrupsionin në misionin më të madh të BE-së në Kosovë për Rend dhe Ligj, EULEX. Bamieh para disa ditësh ka rënë dakord për një marrëveshje me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për t’i marrë 423 mijë funta. Maria Bamieh, pretendoi se gjatë tetë viteve të fundit se Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar dështoi t’i ofrojë mbështetje pasi ajo u përpoq të ekspozonte bashkëpunimin e mundshëm midis zyrtarëve të BE-së dhe kriminelëve të dyshuar në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat