Vuçiqit iu ndalua hyrja në Kroaci, Ramës i vjen propozimi: Të ndërtojmë një “Ballkan të Hapur” të ri!

Aktuale

Vuçiqit iu ndalua hyrja në Kroaci, Ramës i vjen propozimi: Të ndërtojmë një “Ballkan të Hapur” të ri!

Nga: A.ZH Më: 17 korrik 2022 Në ora: 12:07
Albin Kurti, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq

Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i është ndaluar hyrja sot në Kroaci. Ai kishte planifikuar të vizitonte privatisht dy qytete kroate, Jasenovac dhe Pakrac, por autoritetet kroate nuk e kanë lejuar atë të hyjë në vend.

“Kryeministri Plenkoviq dhe Qeveria thanë qartë jo. Ne jemi një vend i pavarur, anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe ai nuk mund të bëjë çfarë të dojë këtu. Politika e ‘botës gjithëserbe’ nuk do t’i funksionojë në Kroaci”, citohet të kenë thënë autoritetet kroate.

Për këtë lajm ka reaguar profesori universitar dhe analisti i çështjeve politike Enver Bytyçi, përcjell Bota sot.

Ai ka drejtuar disa pyetje për kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke i kërkuar atij që të marrë shembull nga autoritet kroate në raport me Beogradin.

Profesori ka propozuar që të krijohet një “Ballkani i Hapur” në linjën Zagreb-Sarajevë-Podgoricë, Tiranë-Prishtinë-Shkup-Sofje.

Sipas tij, edhe nëse do të ftohej, Serbia nuk do të hynte në këtë projekt.

Reagimi i Bytyçit në Facebook:

Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk i është lejuar sot një vizitë private në një qytet kroat, në të cilin do të organizohej një ceremoni përkujtimore e dhunës kundër serbëve gjatë Luftës së Dytë Botërore!

Me këtë rast kam disa pyetje për zotin Rama:

1. Pse ju kujdeseni që të mos e lëndoni presidentin e Serbisë e t'ia kujtoni krimet serbe në Kosovë, ndërkohë që ai marroset pas "varreve serbe" të para mbi 80 viteve?! Kështu bën edhe në Fushë Kosovë prej më shumë se një shekulli!

2. A ju vendos ju në pozita inferiore dhe shërbyese ndaj Vuçiq, kur ju i ofroni atij faljen për të shkuarën dhe rehabilitimin për të ardhmen, ndërsa presidenti serb jeton gjithnjë në të shkuarën e tij, me qëllim krijimin e Serbisë së Madhe?!

3. Pse doni të përdorni standarde të tjera në marrëdhëniet me Serbinë?! Së paku pse nuk ruani balancën në respektimin e sjelljes ndaj saj?! Pse pra nuk silleni si ai në raportet me të shkuarën?!

4. Çfarë ju shtyn ju të mëshironi një agresor, Serbinë, për t'i bërë padrejtësi viktimave të tij, shqiptarëve në Kosovë, kur agresori nuk le rast pa dëshmuar se do të mbetet si i tillë, gjithnjë në të shkuarën e vet?!

Ajo që bënë autoritetet kroate duhet të jetë shembull i sjelljes diplomatike e politike edhe për qeverinë e Tiranës, së paku sa kohë që Beogradi spekulon me projektet e Serbisë së Madhe dhe "varret serbe" në Ballkan! "Varret e serbëve" në Ballkan, nga mesjeta e këtej, ruhen e nderohen për ta destabilizuar rajonin tonë. Këtë e dëshmon gjithashtu tentativa e Aleksandar Vuçiq për të shkuar në Kroaci dhe "përkujtuar" disa serbë të vrarë në një luftë civile, në territorin e Kroacisë!

Prandaj, ka nevojë të ndërtojmë një Open Balkan në linjën Zagreb-Sarajevë-Podgoricë, Tiranë-Prishtinë-Shkup-Sofje. Nëse Beogradi i bashkohet kësaj, mos e refuzoni! Por të jeni të sigurt se Serbia nuk hyn në një projekt të tillë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat