“S’ka me i konfisku dy tre pula, por miliona”, Thaçi jep vërejtjet e tij për Byronë e Kurtit

Aktuale

“S’ka me i konfisku dy tre pula, por miliona”, Thaçi jep vërejtjet e tij për Byronë e Kurtit

Më: 18 korrik 2022 Në ora: 22:18
Jusuf Thaçi

Opinionisti Jusuf Thaçi ka folur për Byronë Shtetërore për Verifikimim dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ai ka thënë se ky institucion duhet të ngritet, por duke respektuar vërejtjet e Komisionit të Venecias.

Thaçi ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta pranojë që ky institucion është politik. Sipas tij, kjo gjë nuk do të duhej të përbënte problem.

“Ky është një instrument para së gjithash politik, sepse po të mos ishte politik do të duhej të kryente Prokuroria e Shtetit. Absolutisht, një ligj i tillë duhet të bëhet patjetër”, ka thënë ai në emision.

Thaçi ka kritikuar hartuesit e ligjit, duke thënë se ata janë vetëm disa entuziastë që nuk kuptojnë shumë në këtë fushë.

“Ky ligj është hartu prej do entuziastëve që s’kanë lidhje me hartimin e ligjeve. Shumë mirë që ky ligj ka shkuar në Komisionin e Venecias. Shqetësimet kryesore të Komisionit janë të qëndrueshme, 1: mundësia për politizim dhe 2: frika nga arbitrariteti nga një institucion i tillë”, ka thënë ai.

Megjithatë, ka thënë ai, të gjitha këto janë të adresueshme, por ka thënë drafti ekzistues duhet të rishkruhet nga fillimi.

Thaçi e ka parë shqetësuese edhe pushtetin e madh të drejtorit të kësaj agjencie. Ai ka thënë se duhet të ekzistojë një trupë e ndërmjetme mes tij dhe adresimit te institucionet tjera.

“Kompetencat e tepruara të drejtorit të agjencisë duhet të adresohen. S’ka me i konfisku dy tre pula aty, por dhjetëra miliona. S’ka asnjë vendim kolegjial, por një zyrtar i vetëm, kjo është absurde. Duhet të ketë ndonjë trup të ndërmjetme kolegjiale”, ka thënë Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat