Dëshmitë e agjentit të dyfishtë Fatmir Sheholli. I shërbente Serbisë, ndërsa e lartësonin Thaçi, Veseli, Çeku / Serbët e poshtëronin

Aktuale

Dëshmitë e agjentit të dyfishtë Fatmir Sheholli. I shërbente Serbisë, ndërsa e lartësonin Thaçi, Veseli, Çeku / Serbët e poshtëronin

Nga: Idriz Morina Më: 19 korrik 2022 Në ora: 08:02
Fatmir Sheholli

Lidhjet e dyshimta të SHIK-ut me UDB-në duhet të hetohen, dhe dosjet e agjentëve të deklasifikohen! Rasti i dëshmisë së dhënë nga agjenti i UDB-së Fatmir Sheholli, duhet ta ngrisin në këmbë ndërgjegjen shqiptare dhe të kërkojnë llogari nga udhëheqësit e SHIK-ut, ata që janë në Kosovë, (dhe kurdo që të kthehen edhe nga ata që janë në Hagë).

Figurat e tilla duhet të hetohen për dëmet që ia bën lëvizjes për Pavarësi dhe procesit të shtetndërtimit të Kosovës, para luftës, gjatë luftës dhe pas saj.

Fatmir Sheholli deklaroi në një emision televiziv dit më parë se e ka pasur shef në SHIK Kadri Veselin, dhe se ka bashkëpunuar ngushtë, me nurmin dy të SHIK-ut, Elmi Reçicën, dhe drejtorin tjetër Latif Gashin.

Është e habitshme, që duke përjashtuar Kadri Veselin, që është në Hagë nuk reagoi askush prej tyre, dhe as drejtuesve të tjerë të SHIK-ut. As nuk e mbrojtën veten dhe as nuk e mbrojtën shefin e tyre të madh, Kadri Veselin.

Mosreagimi i tyre është pranim fajësie! Edhe kjo do të kishte mirëkuptim, sikur të kërkonin falje publikisht! Por, pas kësaj kërkimfalje duhet të pasojë një kërkimfalje shumëherë më e madhe, sepse në emër të atij bashkëpunimi që e ka bërë struktura e SHIK-ut, njerëzit e fuqishëm të tij, janë përpiluar po nga ata lista ekzekutimi, që besohet se ishte mbi njëmijë veta! Kokat kryesore të inteligjencës, patriotizmit dhe të udhëheqjes së shqiptarëve e kishin emrin aty, madje, pa prova dhe pa pasur dyshime për bashkëpunim. Mjaftoheshin vetëm me akuzën publike, para ose pas vrasjes!

Për ta pasur më të qartë lexuesit, se me çfarë njerëzish kanë bashkëpunuar drejtuesit e SHIK-ut, po i sjellim disa informacione nga një shkrim, i botuar në media serbe, ku përmendet për të gjitha punët që ka kryer Sheholli për serbët, llojllojshmëria e tyre, në kohën që shqiptarët tjerë kishin braktisur punën dhe e kishin rrezikuar edhe bukën dhe strehimin për veten dhe familjet e tyre.

Modelet e UDB-së

Redaktorët e revistës serbe Tabloid rreth shtatë vite më parë, e kanë botuar një letër të cilën e kishin pranuar nga një gazetar serb shumëvjeçar i “Radio Prishtinës”, së okupuar, kur gazetarët shqiptarë, që nuk pranuan masat e dhunshme u dëbuan nga aty.

Në këtë letër ku përshkruhet karakteri i ulët i drejtorit të sapozgjedhur të asaj kohe (2015), të Radio Beogradit Milivoj Mihailoviq, zbulohen edhe miqësitë e tij të ngushta me Fatmir Shehollin dhe Veton Surroin.

Mihajlloviçi në atë letër teksa goditet se gjatë bombardimeve të NATO-s e mbështeti retorikën perëndimore, të cilën serbët e akuzojnë, si “demonizim i serbëve dhe Serbisë”, po ashtu ai përvijohet si “një besnik ndaj të gjitha regjimeve (autoriteteve), kameleoni Miki Prodani".

Pavarësisht që në letër i atribuohen disa akuza, se për se ai nuk e quante UÇK-në dhe shqiptarët terroristë, por vetëm gueril, atë e vlerësojnë si trurin e manipulimit zgjedhor, të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, që shqiptarët i bojkotonin thuajse 100%, gjë që thuajse konfirmohet plotësisht edhe nga kjo letër: “edhe pse jo më shumë se pesë mijë shqiptarë dolën në zgjedhje, sipas raporteve zyrtare, më shumë se pesëqind mijë prej tyre (shqiptarë) votuan për SPS-në e Millosheviqit, dhe vetëm pak për JUL-in, për të mos e zemëruar zonjën Markoviq”.

Sidoqoftë nuk ka dëshmi apo gjurmë, se Fatmir Sheholli është i përzier në zgjedhjet në Kosovë, por mendja të ikë, se ndoshta Hashim Thaçi, e SHIK-u ku shërbente agjenti i UDB-së, mund t’i ketë përdorur ‘mësimet e mikut të Shehollit’, për t’i manipuluar rezultatet zgjedhore, të cilat që pas vdekjes së Rugovës, rregullisht e nxirrnin fituese PDK-në, shpesh nga votime të karakterizuara me vjedhje industriale votash.

Vetëm modelet e atilla negative mund të arsyetonin në kokat e Thaçit e Veselit, rezultatet ku votonin edhe të vdekurit, edhe mbi 110% e votuesve!

Më tej në letër përshkruhet se si Sheholli poshtërohej nga serbët, pavarësisht që po ju shërbente atyre devotshmërisht: “Më vonë, sipas rrëfimit më të detajuar të Fatmir Shehollit, ka rezultuar se ai nuk është lejuar të largohet nga vendi i punës, por e ka dërguar për t'i përcjellë Zhivkoviqit atë që kërkon shefi nga Beogradi. Kur Fatmiri e gjeti, Zhivkoviqi dyshohet se i tha me pafytyrësi: “Kush ...q.... nënë! Po ti, çfarë do të bësh në selinë e SPS-së, o spiun i njëqindfishtë...?!” Për pak sa nuk e goditi me shuplakë”.

Edhe shërbëtor, edhe agjent i dyshimtë, e njëkohësisht edhe i sharë e i përbuzur. Model tipik, për të gjithë tradhtarët!

Pra, ai gjendej në UDB, në makinerinë propagandistike serbe, në SPS-partinë të cilën e drejtoi kasapi Millosheviç, derisa përfundoi në Hagë, vazhdoi dhe vazhdon t’ju shërbejë konjunkturave të caktuara në Serbi, dhe po ashtu një modeli të ngjashëm në Kosovë, të kontrolluar dikur nga Thaçi e Veseli.

Po ashtu letra argumenton se Sheholli vazhdonte të punonte edhe për UDB-në, pavarësisht që ai do të deklaronte se ishte shkëputur nga ajo.

I shpërblyer me pushtet nga dy Çeku dhe Thaçi

“Megjithatë, Zhivkoviq kishte të drejtë. Fatmir Sheholin, të cilin Mihailoviqi e solli zëvendës për programin në gjuhën shqipe në Radio Prishtinë, në kohën kur edhe shqiptarët e bojkotonin, e më pas ai punoi në dy e më shumë pista”.

Pra, për serbët ai ishte një agjent i dyfishtë, kurrë nuk punoi vetëm për njërën palë.

Por, Qeveritë, ajo e Agim Çekut dhe e Hashim Thaçit, ishin zemërgjera me të, ia kishin dhënë pozitën e zëvendësministrit për Kthim!

Sipas vetë serbëve, ai ishte pjesë e kundërzbulimit.

“Më pas ai u bë kryeredaktor i një radioje të re në Prishtinë, ku edhe sot shpërblehet, sepse bëri një punë të mirë si kundërzbulues...”

Sipas kësaj, letre, gazetari serb Mihailoviç, mik i Shehollit, u mbulua nga DOS-i në vitin 2000.

Sipas letrës Sheholli rikthehet në Serbi, nën ndikimin e mikut të tij, Mihajlloviç, tashmë duke bërë analiza dhe komente.

Është e habitshme, se si e njëjta gjë ndodhte edhe në Kosovë. I njëjti njeri bënte komente e analiza për Kosovën në Serbi, dhe në Kosovë për Serbinë!

Pra, detyra e tij e dyfishtë vazhdon!

Por, çfarë dreqi duan mediat dhe politika që e mbështesin?!

A nuk është koha, që njerëzit e tillë të pensionohen nga jeta publike, pasi i kanë sjellur gjithmonë më shumë dëm se dobi vendit, Kosovës!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat