Tensionet mes VV-së e LDK-së/ Konjufca ironizon me LDK-në: Çka është kjo qasje përkundër natyrës suaj?

Aktuale

Tensionet mes VV-së e LDK-së/ Konjufca ironizon me LDK-në: Çka është kjo qasje përkundër natyrës suaj?

Më: 21 korrik 2022 Në ora: 07:12 Përditësuar në ora: 13:20 më 21.07.2022
Glauk Konjufca

Selmanaj ka një pyetje për ministrin Aliu: A po bëni tradhti ju, me marrëveshjen për hekurudhat?

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, e ka pyetur ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, se a është tradhtar ndaj Kosovës, tani kur është duke e kërkuar votimin e Kuvendit për projektligjin për marrëveshjen e nxjerrjes së fizibilitetit të hekurudhës Prishtinë-Durrës.

Selmanaj ka thënë se kjo çështje ishte pikë e Marrëveshjes së Washigtonit të nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020, kur kryeministër i vendit ishte Avdullah Hoti i LDK-së.

“Ministri Aliu atëherë ishit një opozitar i devotshëm, na ke akuzuar për tradhti kombëtari kur e patëm nënshkruar marrëveshjen. Na thoshit se po e mundësoni daljen e Serbisë në Detin Adriatik”.

“A po bëni tradhti tani ju,  ministër? E kam bindjen që pikë për pikë jeni duke e zbatuar marrëveshjen e Washingtonit, po provoni me forma të tjera”,ka thënë Selmani.

Votohet projektligji për hekurudhën Prishtinë-Durrës

Deputetët e Kuvendit  në seancën e sotme e kanë votuar projektligjin e marrëveshjes për studimin e fizibilitetit për hekurudhën Prishtinë-Durrës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se kjo pikë është votuar me 83 vota për, nga të gjithë deputetët që ishin në sallë, përfshirë pozitën dhe opozitën.

​Kurti e Haradinaj debatojnë për krizën energjetike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kruti dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kanë debatuar rreth situatës me energjinë elektrike në vend. Haradinaj ka kërkuar përgjigje nga Kurti nëse Qeveria ka një strategji për t’u përballur me një krizë të mundshme energjetike. Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova nuk është e varur në prodhimin e energjisë elektrike dhe se do të vazhdojë të implementojë strategjinë kombëtare që siç ka thënë ai është në përfundim e sipër.

Kurti i ka thënë Haradinajt që para se të arrijë në përfundim për gjendjen energjetike në Evropë, të mos bazohet në titujt e lajmeve pro t’i lexojë ato në tërësi.

Kurti: Kosova nuk është e varur në prodhimin e energjisë elektrike 

“Kosova nuk është e varur e nuk do të jetë e varur në prodhimin e energjisë elektrike, Kosova do të vazhdojë të implementojë strategjinë kombëtare që është në përfundim e sipër e që parasheh stabilitet përmes diversifikimit. Pos kësaj, Gjermania e ka edhe një arsye shtesë për rihapjen e termocentraleve me thëngjill ngase në fund të vitit të vitit 2021 me 9.5 gigavat kapacitete gjeneruese të energjisë bërthamore i ka mbyllur tre reaktorë që gjeneronin 4.5 gigavat energji elektrike”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se Ministria e Ekonomisë ka ndërmarrë të gjithë hapat për planifikim dhe ndërhyrje në rastet emergjente.

Kurti: Ministria e Ekonomisë është duke përgatitur edhe një masë për efiçiencë të energjisë për konsumatorët shtëpiakë 

“Ministria e Ekonomisë ka ndërmarrë të gjithë hapat për planifikim dhe ndërhyrje në rastet emergjente. Gjatë këtyre muajve, ministria është duke përgatitur edhe një masë për efiçiencë të energjisë për konsumatorët shtëpiakë. Përmes subvencioneve do të ndihmohen konsumatorët që të ulin shpenzimet e energjisë elektrike. Ndihma më e madhe do të koncentrohet të rastet e skemës sociale, dhe te rastet të cilat janë në nevojë mirëpo nuk janë të përfshira në skemë sociale. Me këtë ndërhyrje në eficiencë synojmë që konsumatorët të ulin shpenzimet e gjithashtu ta kursejnë xhepin e tyre. Në këtë kohë janë duke u bërë përgatitjet që të zgjerohet rrjeti i konsumatorëve vet gjenerues përmes paneleve solare që do të ndikojë direkt në uljen e shfrytëzimit të energjisë nga rrjeti”, ka thënë Kurti. 

Ndërsa deputeti Haradinaj ka kërkuar përgjigje konkrete nëse Kosova ka marrëveshje me Shqipërinë në rast të një krizë me energjinë elektrike.

Haradinaj-Kurtit: A keni marrëveshje me Shqipërinë për përballimin e krizës energjetike 

“A ta bëjë një pyetje të sinqertë, a i ke rënë pishman që e ke penguar investimin në Kosovën e Re 500mgv, a e kishe pranuar sot atë investim, ti e Haki Abazi yt e krejt ju që jeni këtu dhe çka kishit thënë sot për atë investim, po shihet që e keni mizën ndër kapuç dhe po shihet që po i bini rrotull kësaj pune. Ju po thoni keni investime në gjenerim me Shqipërinë, unë e kam një problem më afatshkurtër, a keni marrëveshje dhe sa na siguron ajo marrëveshje në këtë dimër që nëse kanë tepricë ata mos me lëshu në treg ndërkombëtar por me marrë ne të parët”, ka thënë Haradinaj.

Sipas Kurtit, me Shqipërinë ekziston dakordim edhe për këmbim.

Kurti: Me Shqipërinë kemi dakordim edhe për këmbim, KEK dhe KESh janë në kontakt të përditshëm 

“Ne kemi dakordim midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë edhe për këmbim, dhe tashmë jemi duke e funksionalizuar këtë dhe drejtori i KEK-ut dhe KESh-it janë në kontakt të përditshëm. Pra, jemi duke punuar për ta shfrytëzuar maksimalisht interkoneksionin ekzistues. Sa i përket gazsjellësit, ai nuk do të kishte fare të bëhet me këtë dimër. Shumë e shumë vjet do të kalonin për atë gazsjellës, mirëpo ne i kemi në remond njësitë e caktuara dhe po e bëjmë maksimumin me gjendjen dhe mekanizmat që i kemi trashëguar. Sa i përket Countur Global, unë edhe më tej mbaj të njëjtin qëndrim se ka qenë një kontratë e pafavorshme me Kosovën”,ka thënë Kurti.

Ministri Latifi: Kemi finalizuar projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në seancën e Kuvendit ka bërë të ditur se kanë finalizuar projektligjin e çmimit të pajisjeve dhe produkteve medicinale.

Latifi, mes tjerash, tha se pret nga të gjithë deputetët që të marrin pjesë në diskutimin publik para se i njëjti projektligj të dërgohet për procedim në Qeverinë e Kosovës.

“Kjo është një çështje me interes të përgjithshëm dhe secili prej nesh afektohet nga kjo. Megjithëse rregullimi i çështjes së çmimit të pajisjeve dhe produkteve medicinale në të kaluarën ishte tentuar të rregullohet sipas një udhëzimi administrativ i cili për arsye ende të panjohura nuk ishte zbatuar për disa vjet”.

“Duke i dhënë rëndësinë e duhur kësaj çështjeje kam kënaqësinë t’ju njoftoj juve dhe qytetarët e Kosovës se ne jo vetëm që kemi shqyrtuar këtë udhëzim, por tashmë e kemi finalizuar projektligjin për çmimin e produkteve dhe pajisjeve medicionale i cili në këto momente besoj se është duke u përkthyer dhe do të dërgohet për diskutim publik para se të procedohet në Qeveri”.

Kokaj – ministrit Pecit: Dikur kemi pasur edhe raketa anti-breshër!

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj ka thënë se “dikur kemi pasur edhe raketa anti-breshër”.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, Kokaj ka shtruar pyetje për ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, rreth planeve për sistemin anti-breshër.

“Ne kemi kompensuar me 3 milionë euro bujqit për humbjet e dy viteve të fundit nga breshëra. Jemi duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë ministri i Bujqësisë, Faton Peci në përgjigjen e tij.

Po ashtu Peci ka shtuar se “sistemi anti-breshër që e ka pasur Kosova tashmë në Evropë është i tejkaluar”.

Kastrati përmend postimin e Muratit për UÇK-në: Kam mendu që është Daçiqi

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati e ka rikthyer në seancë temën për postimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, bërë ndër vite kundër ish-ushtarëve të UÇK-së.

Kastrati e arsyetoi vonesën se nuk ishte këndej.

Ai tha se fillimisht ai postim i është dukur sikur ta kishte shkruar Ivica Daçiqi, por siç tha ai, më vonë e ka parë që ishte Hekuran Murati.

“E kemi obligim me i kontribu kujtesës çka ka ndodh në këtë shoqëri dhe me e stopu kujtesën e harresës të përbuzjes që ka bërë ky djaloshi me atë postim. Kur e kam parë atë postim kam menduar që është Ivica Daçiqi, por më vonë e kam pa që është Hekuran Murati. Ideja nuk është se kush e ka bërë, ideja është se gjuha është e njëjtë si e Ivica Daçiqit, por qëllimi dhe arsyeja janë të ndryshme”, tha ai.

Rreth postimit të Muratit për UÇK-në, ka pasur mjaft reagime në skenën politike, por më pas vetë ministri i Financave ka kërkuar falje publikisht.

Bajrami e pyet Kurtin nëse mund të garantojë që s’do të ketë shtrenjtim të rrymës

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke iu referuar një raportimi në media që KESCO, kompania e faturimit ka bërë kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave.

Ajo ka thënë se po fillon edhe një cikël tjetër i shtrenjtimit të rrymës.

“KESCO raportoi se po e kanë dorëzuar një kërkesë të tillë. ka disa muaj që e kemi ngritur çështjen që në vjeshtë ndoshta do të përballemi me një krizë energjetike por as ne nuk e kemi besuar që kjo do vijë në korrik. Tani pyetja z. Kryeministër është që ku është problemi i moszbatimit të subvencionit prej 100 milionë eurosh. A mund t’i garantoni sot qytetarët që nuk do të ketë edhe një ngritje tjetër”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se një çështje tjetër shqetësuese është që ka shifra alarmante të të infektuarve me COVID.

“Cilat janë veprimet tuaja konkrete a do të përballen spitalet me mbingarkesë, a kanë qytetarët mjete për t’i blerë barnat për shërim, a do të merr qeveria përsipër mbulimin e shpenzimeve të te infektuarve?”, ka pyetur ajo.

Deputetja e AAK-së: Profesionistët shëndetësor po punojnë mbi 40 orë në javë

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka thënë se profesionistët shëndetësor po punojnë më shumë se 40 orë në javë.

Ajo në seancën e së enjtes, ka thënë gjithashtu se disa prej tyre nuk po i paguhen kujdestaritë dhe ditët e vikendit.

“Gjatë vizitave që i kemi bërë në institucionet shëndetësore, e kemi pa që stafi shëndetësor dhe mjekët po punojnë më shumë se 40 orë në javë dhe ato nuk i kompensohen.

Duhet të kompensohen edhe kujdestaritë e natës dhe ditët e vikendit. Kjo nuk është e çudi tani që edhe mjekët edhe infermierët po e lëshojnë Kosovën”, ka thënë ajo.

Tahiri: Qeveria po e neglizhon sërish krizën e energjisë që po vjen

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se si GP i kanë vizituar të gjitha institucionet që janë përgjegjëse në sektorin e energjisë për të iniciuar një debat këtu për të ngritur vetëdijen dhe për të parandaluar mesazhin për një krizë energjetike e një kolaps në sektorin energjetik të Kosovës.

Ai ka thënë se në takimet që kanë pasur kanë vërejtur se ka një neglizhencë të qeverisë në trajtimin e krizës që po vjen.

“Qeveria ende nuk i ka transferuar mjetet për të cilat është zotuar për subvencionim të energjisë. Është e papranueshme të vazhdoje me avazin e vjetër, tri herë vitin e kaluar institucionet e patën paralajmëruar Qeverinë. Kërkojmë nga qeveria ta trajtojë urgjentisht këtë çështje. Marrëveshja për energjinë me Serbinë. Serbia ende nuk e ka dorëzuar listën e konsumatorëve dhe nuk ka ende asnjë fjalë të vetme nga Qeveria jonë”, ka thënë ai.

Lushtaku: Qeveria emëroi Nikçin në krye të Inspektoratit të Punës për t’i shantazhuar bizneset

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku në seancën e Kuvendit të sotëm, ka thënë se emërimi i Hekuran Nikçkit në krye të Inspektoratit të Punës, është i jashtëligjshëm.

Ai ka shtuar se raporti dhe vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, e ka shpallur të kundërligjshëm vendimin e Qeverisë për emërimin e Hekuran Nikçit në krye të Inspektoratit të Punës.

“Dy muaj më parë, me propozimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, Qeveria emëroi Hekuran Nikçin në krye të Inspektoratit të Punës, në pozitën e kryeinspektorit. Qeveria emëroi një militantë partiak me qëllim të vetëm kapjen dhe nënshtrimin e këtij institucioni dhe përmes tij të bëjë kërcënimin, dënimin dhe shtantazhimin e qindra mijëra bizneseve kosovare”, ka thënë Lushtaku.

“Edhe pse kjo e obligon Qeverinë që të anuloj vendimin e saj, ne nuk kemi parë asnjë veprim”, tha Lushtaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat