Raporti: Zyra e Auditimit të Kosovës, më e besueshmja në rajon

Aktuale

Raporti: Zyra e Auditimit të Kosovës, më e besueshmja në rajon

Më: 22 korrik 2022 Në ora: 18:33
Zyra e Auditimit të Kosovës

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës gëzon besimin më të lartë në Ballkan, me 74 përqind të të anketuarve që janë shprehur se i besojnë këtij institucioni, krahasuar me 36 përqind sa ka qenë në vitin 2020, sipas Barometrit Ballkanik të publikuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal.

“Ky është niveli më i lartë i besueshmërisë krahasuar me institucionet supreme të auditimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Auditimit.

Të dhënat e Barometrit Ballkanik po ashtu tregojnë se 67 përqind e qytetarëve të Kosovës e perceptojnë Zyrën Kombëtare të Auditimit si institucion të pavarur nga ndikimi politik, nga 32 përqind sa ishte në vitin 2020.

Barometri i Ballkanit ka matur gjithashtu përceptimin e qytetarëve në aspektin se sa institucionet publike përgjegjëse kanë shqyrtuar punën e Qeverisë për ta mbajtur atë përgjegjëse para qytetarëve. Edhe në këtë aspekt, ZKA-ja është vlerësuar mjaft pozitivisht nga të anketuarit.

“Nga ana pozitive, Kosova kryeson edhe në këtë aspekt: 68% e të anketuarve (22% më shumë se në 2020) mendojnë se ZKA-ja është në gjendje të shqyrtojë punën e qeverisë”, është theksuar në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat