​Jepen detaje pse Elektroserver s’po e zbaton marrëveshjen për energjinë në veri

Aktuale

​Jepen detaje pse Elektroserver s’po e zbaton marrëveshjen për energjinë në veri

Më: 27 korrik 2022 Në ora: 16:05
Foto ilustrim

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të insistojë për zbatimin e udhërrëfyesit për marrëveshjen për energjinë në veri.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, pas vizitës ne KOSTT, tha se ekzekutivi duhet ta ngritë këtë çështje edhe në Bruksel.

Ai tha se në bazë të diskutimeve me zyrtarë të institucioneve të sektorit të energjisë, janë dy mospajtime me Elektroserverin, njëra sipas tij është trafostacioni më Vallaç, dhe kërkesa e tyre për t’iu referuar Kosovës me fusnotë.

Lekaj: Qeveria të insistojë zbatimin e udhërrëfyesit për marrëveshjen në veri

“Për këtë vit prej janarit deri në qershor është rritur borxhi, diku 32 milionë euro për qytetarët që janë të pandërgjegjshëm në veriun e Kosovës. Qeveria, pas kësaj marrëveshje duhet të insistojë që e njëjta të implementohet sa më shpejt. Ne si opozitë do të insistojmë që mos të paguhet më për veriun pas kësaj marrëveshje... Problemet janë sa i përket kontrollit në Vallaç, meqenëse është pika kyçe e shpërndarjes së energjisë. Nuk është arritur marrëveshja sepse Elektroserver mendon se duhet me fusnotë të bëhet marrëveshje, ndërsa KOSTT nuk ka pranuar. Prandaj kjo është e tëra që nga ngecur marrëveshja dhe është obligim edhe i BE-së të ndërhyjë sipas udhëzuesit të marrëveshjes”, tha ai.

Krahas këtyre, ai kërkoi përgatitje më të madhe të ekzekutivit për krizën energjetike.

Lekaj: Duhet të merren veprime të shpejta për krizën energjetike

“Ka shqetësime sa i përket krizës energjetike dhe duhet të merren veprime të shpejta, pasi ne pas të gjitha vizitave që kemi pasur deri më sot në sektorin e energjisë, do të hyjmë në krizë të thellë energjetike në stinën e dimrit. Duhet të intervenojmë sa më parë, qeveria t’i kryejë obligimet e veta, të krijohet një task-forcë për të vepruar që mos të vijmë te kriza e njëjtë sikur vitin e kaluar”, shtoi ai.

Ndërkohë e mirëpriti takimin e djeshëm të presidentes Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Lekaj: E mirëpresim takimin e Osmanit e Kurtit me Blinken

“Sa i përket vizitës së presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, mendoj se është mjaft e mirëpritur dhe duhet t’i gëzohemi gjithë spektri politik. Aty ku kemi shtetin që na ka ndihmuar për krijimin e shtetit të Kosovës, andaj ne kemi vlerësuar lart, sidomos marrëveshjen me MCC-në”, tha ai.

Bashkë me Lekajn në këtë takim ishte edhe deputeti tjetër i AAK-së, Shemsedin Dreshaj. Ata u pritën nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KOSTT, Sabri Musiqi dhe kryesuesi i bordit, Jeton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat