Abdixhiku: Fukarallëku mendor i Qeverisë po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë

Aktuale

Abdixhiku: Fukarallëku mendor i Qeverisë po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë

Më: 30 korrik 2022 Në ora: 10:48
Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar lidhur me investimet kapitale në vend.

Ai, ka thënë se të njëjta janë më të ulëta në gjithë dekadën e fundit.

Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se Kosova ka nevojë për zhvillim; e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale.

Sipas tij, Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë.

Postimi i tij i plotë:

AS EDHE NJË SHENJË E LËNË

Realizimi i investimeve kapitale në Kosovë është më i ulëti në gjithë dekadën e fundit. Po kalon viti i dytë qeverisës, vera e dytë e kohës së punimeve, dhe asnjë projekt kapital nuk po merr formë në vendin tonë. As edhe një shenjë e lënë.

Kur keni parë kryeministrin e Kosovës të fillojë, përurojë apo edhe të flasë për ndonjë projekt madhor kudo në Kosovë? Cilën vendpunishte me punëtorë e ka nisur ai apo kjo Qeveri deri më sot? Premtimet e 40 çerdheve në Kosovë, të 4000 banesave sociale, të rrugëve rajonale, bankave zhvillimore e aseteve sovrane – nuk kanë filluar as edhe në letër. Dhe për aq sa merr kohë një projekt të nis e përfundojë, edhe dy verat e ardhshme të këtij mandati do të shkojnë pa asnjë shenjë të lënë.

Kosova ka nevojë për zhvillim; e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale. S’është ekonomia kaq e thjeshtë e shteti s’është vetëm bankë. Kosova megjithatë ka nevojë për projekte të guximshme dhe të mëdha; për investime kapitale në spitale, shkolla, infrastrukturë rrugore, stadiume, salla kulturore e në energji – në pothuajse çdo fushë të jetës publike.

Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë. Kosova sot duket e trishtë krahasuar me tempon e punimeve në secilin shtet në rajon. E në mungesë të projekteve kapitale, le të mjaftohemi me foto shëtitëse, arrogancë qeverisjeje e arsyetime të 20 viteve të shkuara. Është më e lehtë kjo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat