Reciprociteti “çmend” Vuçiqin, Kurti tregon a ka mundësi për destabilizim nesër

Aktuale

Reciprociteti “çmend” Vuçiqin, Kurti tregon a ka mundësi për destabilizim nesër

Më: 31 korrik 2022 Në ora: 12:47 Përditësuar në ora: 13:59 më 31.07.2022
Albin Kurti dhe Artane Rizvanolli

Parashikohet dimër i vështirë, Qeveria paralajmëron masa e subvencionim për këto kategori

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se kanë filluar përgatitjet për marrjen e disa masave për t’u përballur me krizën energjetike, e cila e bën të paprashakiueshëm situatën gjatë dimrit. Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, tha se shpejt pritet t’i publikojnë masat, disa nga të cilat i përmendi.

Fillimisht, Rizvanolli përmendi disa shtete dhe mundësinë e bashkëpunimit me to “për të mundësuar përfitimin e energjisë me kushte më të mira gjatë muajve të dimrit”.

Rizvanolli po ashtu paralajmëroi subvencione për disa kategori të qytetarëve, përveç shtresave të varfëra.

“Përveç kësaj, do të marrim masa të shpejta të rritjes së efiçencës së energjisë duke përfshirë këtu edhe subvencione që shfrytëzojnë burime të tjera për ngrohje, jo energji elektrike, mirëpo edhe shtresat më të varfëra për t’u siguruar që ato kanë mundësi që ta mbajnë shtëpinë ngrohtë gjatë dimrit”, tha ajo.

Ministrja foli edhe për çmimin e lartë të peletit. Ky produkt, Rizvanolli tha se do të përfshihet në ligjin të cilin po e përgatit Qeveria, e ku do të vihet një tavan si me rastin e produkteve të naftës.

“Sa i përket çmimit të peletit, e kemi parasysh situatën në treg. Kemi një rritje të çmimit e cila vjen si pasojë e rritjes së çmimit të importit. Këtu jemi duke shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe peleti do të përfshihet në ligjin që parashihet për përcaktimin e çmimeve tavan”, tha ajo.

“Përveç kësaj, do të shohim edhe mundësi të tjera të bashkëpunimit me sektorin privat, me prodhuesit vendorë të peletit për të parë nëse mund të rritet prodhimi”, shtoi Rizvanolli.

"Do të fillojmë një fushatë të luftimit më të rreptë të vjedhjeve të energjisë të cilat na kushtojnë me dhjetëra miliona si shtet, u kushtojnë konsumatorëve përfundimisht, sepse paguhen nga faturat e konsumatorëve."

Kurti: Kosova me bateritë akumuluese do të ketë kapacitete 10 herë më shumë se Italia

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova sa i përket baterive akumuluese do t’i ketë 10 herë më shumë se Italia, për kokë banori.

Kurti potencoi gjithashtu se Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që do t’i ketë bateritë akumuluese.

“Bateritë janë vendimtare kur ke politika për gjenerimin e energjisë me burime të ripërtritshme, edhe dielli edhe era mund të akumulohen e të përdoren më vonë, Në e dimë se diell natën nuk kemi, nëse do të duhet energjia natën, nuk mund ta akumulosh përmes diellit si burim, por nëse ke baterinë e cila energjinë që e kam hedhur ditën, mund ta përdorim natën, kjo bëhet e mundshme”, është shprehur Kurti gjatë një konference.

“Çka na ka bërë të lumtur e të gëzuar me këtë rast është fakti jemi edhe të parët në Ballkanin Perëndimor, të tjerët mund të na marrin neve si shembull. Në Ballkanin Perëndimore nuk ka bateri, duhet të shkosh në Itali e Slloveni, që të mbërrish te bateritë akumuluese, çfarë ne do t’i kemi në grantin me MCC-në”, shtoi ai.

Kurti mori shembull Italinë, se si për kokë banori, Kosova do të ketë kapacitete më shumë.

“Jo vetëm që duhet të shkosh ne Itali e Slloveni. Nëse shikojmë  për kokë banori, Kosova do të ketë kapacitete me bateri akumuluese 10 herë më shumë se Italia, Kosova do t’i ketë 340 megavat orë me 1.85 milionë banorë, ndërkaq Italia i ka 1250 megavat orë kapacitet energjetik me bateri, por i ka 60 milionë banorë”.

Kurti: Vendimi i Kushtetueses për Asociacionin është i qartë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi gjatë një konference për media sot se nuk ka vend për tensione e destabilizim të situatës për shkak të vendimit të nesërm për reciprocitet të letërnjoftimeve dhe hapjes së afatit për regjistrim të automjeteve me targat RKS për ata që kanë me akronime të qyteteve të Kosovës të lëshuar nga Serbia.

Kreu i ekzekutivit tha se pret që gjithçka të shkojë mirë, ndërsa paralajmërimet e Beogradit për tensionime thotë se tregojnë më shumë për ata sesa për Kosovën.

Kurti: Nuk ka vend per tensione

“Nuk ka kurrfarë vendi për tension. Nuk ka kurrfarë mundësie për destabilizim sepse po bëhet diçka që legjitime, diçka legale. Ata që flasin për dhunë, ata që flasin për bllokime, ata që flasin për destabilizim. Ata që flasin për tensione, flasin për vete. Nuk flasin për neve. Ata flasin për vete. Ne jemi Republikë demokratike, parlamentare, paqësore dhe besoj që gjithçka do të shkojë siç është më së miri, ndërkaq edhe një herë përfitoj nga rasti që ti ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët kanë targa të kohës së Millosheviqit që t'i konvertojnë në targa legale e legjitime me akronimin e vendit tonë, të shtetit tonë të përbashkët, RKS.”, deklaroi Kurti.

Kurti nuk deshi t’i përgjigjet presidentit serb Aleksandër Vuçiq që mbajti një konferencë për media, por tha se sundimi i ligjit dhe kushtetutshmëria nuk kanë alternativë.

Ai tha se qytetarëve serbë nuk do t’ju merren dokumentet por do të kenë një më tepër me fletë-deklarimin që do ta marrin në pika kufitare.

Kurti: Nuk do t’ju marrim dokumentet serbe

“Jam i kryeministër i progresit dhe i shpresës e di që në fqinjin tonë verior në skenën politike atje ka shumë politikanë e zyrtarë deri tek kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës e të frikësimit. Besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligjit, Republika, kushtetutshmëria nuk kanë alternativë andaj edhe uroj, besoj dhe punoj që nesër gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë. Ne nuk do t'ju marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë. Ne do t'ua shtojmë një fletë-deklarim. Ata vijnë me dokumente të lëshuara nga Serbia, ne nuk ua marrim ato, por ne ua lëshojmë një fletë-deklarim sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësoj me çdo qytetar të Republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Nga nesër ata do të kenë një dokument më shumë, jo më pak”, tha Kurti.

Kurti nuk u shfaq shumë i lumtur as kur u pyet të komentojë deklaratat e të ashtuquajturit drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq që paralajmëroi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri u shpreh se vendimi i Kushtetueses për Asociacionin është i qartë.

Kurti: Vendimi i Kushtetueses për Asociacionin është i qartë

“Për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe e ka thënë qëndrimin e qartë Gjykata Kushtetuese, peticioni i qytetarëve dhe në anën tjetër në zyrën time nuk ekziston as një letër e as një qytetari serb të Kosovës që thotë 'zbatoje Asociacionin', asnjë. Për çdo javë marr letra nga qytetarët serbë, por asnjëra nuk është për Asociacionin. Unë ju përgjigjem qytetarëve të Republikës së Kosovës, andaj besoj që duhet ta kemi parasysh se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga dhjetori i vitit 2015 por gjithashtu edhe interesi publik yni nuk e imponon me domosdoshmërinë destabilizuese të Beogradit temën e këtillë në Kosovë”, tha Kurti.

Më 19 qershor qeveria mori vendim për regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia e që konsiderohen të jashtëligjshme.

Në të njëjtën mbledhje u mor edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

Të dy vendimet hyjnë në fuqi nesër, datë 1 gusht 2022.

Rizvanolli: Bateritë që do të instalohen kursejnë minimum 15 milionë euro në vit

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dolën bashkë në një konferencë për media, ku folën për marrëveshjen e me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), të nënshkruar në Washington DC.

Pasi Kurti përsëriti deklaratat për përfitimet e Kosovës nga granti prej 202 milionë dollarësh, ndërsa Rizvanolli tha se bateritë që do të instalohen, do t’ia kursejnë Kosovës minimum 15 milionë euro në vit.

“Përdorimi i baterisë do të ndikojë në një masë në uljen e importit të shtrenjtë. Një kalkulim preliminar i MCC-së është që rezervat e energjisë do t’i kursejnë sistemit elektroenergjetik të Kosovës minimum 15 milionë euro në vit, kjo vlerë parashihet të jetë edhe më e madhe kur rriten çmimet e energjisë, siç po ndodhë këto ditë”, tha Rizvanolli.

Ajo theksoi se zbatimi i projektit nis zyrtarisht nga 18 deri në 24 muaj pas ratifikimit, i cili ndodhi të enjten në Kuvendin e Kosovës.

“Zbatimi i projektit zyrtarisht fillon 18 deri në 24 muaj pas ratifikimit, ratifikimi është bërë në kohë rekorde, më shumë se një muaj më herët sesa është planifikuar. Puna nuk do të fillojë menjëherë, gjatë 18 muajve në vijim do të krijohen parakushte, do të bëhen analiza shtesë, lokacioni për bateritë veçse është caktuar, do të vazhdojë puna në parapërgatitjet për zhvillimin e programeve të trajnimeve, do të selektohet institucioni partner. Me fillimin e zbatimit të projektit, mund të fillojë prokurimi i baterive, po flasim për 2-3 vjet deri në kohën kur t’i kemi bateritë e instaluara”, tha Rizvanolli.

Kurti për marrëveshjen me MCC: Është granti më i madh në histori të Kosovës së çliruar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në lidhje me marrëveshjen që është nënshkruar me MCC-në.

Kurti theksoi se me arritjen e kësaj marrëveshje janë thelluar edhe më shumë marrëdhëniet me SHBA-në.

“Deri më tani qytetarët e Kosovës kanë përjetuar kriza energjetike të vazhdueshme. Me nënshkrimin e marrëveshjes së Programit Kompakt për sektorin e energjisë, qeveria jo vetëm që i ka thelluar marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor Perëndimor, konkretisht ka filluar punën  për transformimin e sektorit energjetik duke pasur për bazë pavarësinë energjike”, është shprehur Kurti.

“Në Uashington DC nënshkruam marrëveshjen me të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit janë pajtuar t’i japin Kosovës grant në vlerë prej 202 milionë dollarë. Ky është granti më i madh në histori të Kosovës së çliruar”.

Kurti: Kemi ndarë 34.7 milionë euro shtesë për programin e MCC-së për energji

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës është zotuar t’i ndajë 34.7 milionë euro në formë të bashkëfinancimit të marrëveshjes së MCC-së të nënshkruar në SHBA këtë javë.

Në një konferencë për media bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli të dielën, Kurti ka thënë se vlera totale e programit shkon në 236.7 milionë dollarë.

“Me marrëveshje përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit janë pajtuar që t’i japin Kosovës grant në vlerë prej 202 milionë dollarë. Ky është granti më i madh i njëhershëm në histori të Kosovës së çliruar. Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta mbështesë programit 34.7 milionë dollarë në bashkëfinancim duke e quar kësisoj vlerën totale në 236.7 milionë dollarë”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, investimet e programit kompakt do të jenë pronë e Kosovës.

“Investimet e programit kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe do t’i përfshijë tri projekte: e para është rezerva apo bateritë me kapacitet 340 megavat, e dyta është zhvillimi i fuqisë punëtorë dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë dhe e treta është projekti i institucionit amerikan të katalizatorit në zhvillim. Paralelisht zhvillohen kuadro në fushën e energjisë si dhe nxiten investime”, është shprehur Kurti.

Kurti për reciprocitetin: S’ka kurrfarë mundësie për destabilizim

Kryeministri Albin Kurti tha se s’ka kurrfarë mundësie për destabilizim me fillimin e reciprocitetit në çështjen e letërnjoftimeve me Serbinë. Ai në një konferencë për media tha se po punon që nesër gjithçka të shkojë qetë dhe siç duhet.

Kurti tha se serbët që hyjnë në Kosovë, nga nesër thjesht “do ta kenë një dokument më shumë”.

“Unë jam kryeministër i progresit dhe i shpresës. E di që në fqinjin tonë verior, në skenën politike atje ka shumë politikanë e zyrtarë deri te kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës e frikësimit. Unë besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligjit, Republika, kushtetutshmëria nuk kanë alternativë, andaj edhe uroj, besoj dhe punoj që nesër gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë. Ne nuk do t’ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë. Ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim. Pra, ata vijnë me dokumentet e lëshuara nga Serbia. Ne nuk ua marrim ato. Ne ua lëshojmë një fletë-deklarim sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësoj me çdo qytetar të Republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Pra, nga nesër, ata do të kenë një dokument më shumë, jo më pak”, tha Kurti.

Ai tha se beson se nesër gjithçka do të shkojë “qysh është më së miri”.

“Nuk ka kurrfatë vendi për tension, nuk ka kurrfarë mundësie për destabilizim, sepse po bëhet diçka legjitime, diçka legale. Ata që flasin për dhunë, barrikada, për bllokime, për destabilizim, tensione, flasin për vete, nuk flasin për neve. Ne jemi Republikë demokratike, paqësore dhe besoj se gjithçka do të shkojë qysh është më së miri”, tha Kurti.

Kryeministri i ftoi sërish qytetarët serbë që t’i zëvendësojnë targat “KM” nga koha e Millosheviqit, me targa të Republikës së Kosovës.

“Janë organet e rendit dhe drejtësisë që i marrin vendimet për shkeljet e ligjit”, tha ai.

Ai nuk deshi t’i komentojë deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke shprehur indinjatën për citimin e deklaratave nga Beogradi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat