“Dora e zezë” mund të kryejë vrasje dhe incidente të rënda / Trazirat me urdhër të Beogradit do të ndodhin!

Aktuale

“Dora e zezë” mund të kryejë vrasje dhe incidente të rënda / Trazirat me urdhër të Beogradit do të ndodhin!

Nga: Idriz Morina Më: 22 gusht 2022 Në ora: 17:11
Foto ilustrim: Forcat speciale të Kosovës në veri

‘Trazirat me urdhër të Beogradit do të ndodhin’! Kjo tashmë duket si një ngjarje e paevitueshme.

Nëse vërtetë duan të ndeshen me shqiptarët, kësaj here nuk mund të llogarisin vetëm në humbjen e Kosovës, e cila ka ndodhur në vitin 1999.

Ata mund të kryejnë disa vrasje, të porositura nga shërbimet sekrete serbe, si “Dora e Zezë” apo nga GRU-ja ruse, e ndonjë shërbim tjetër i udhëhequr nga diktatori Putin.

Por, SHBA-ja dhe NATO-ja, sot i fluturuan aeroplanët më të mëdhenj të historisë, mbi qiellin e vendeve anëtare të Aleancës, Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi e Kroaci, e mbi Adriatik, për t’ia treguar zonën e ndalimit tokësor, detar dhe ajror, forcave ruse, dhe mbështetësve të saj.

Mesazhet për gjakderdhje nga Serbia

Por, cilat janë shenjat apo mesazhet për konflikt në veri, apo një trazirë, që Serbia do të mundohet ta bëjë të pakontrollueshme nga autoritetet e Kosovës?

Argumenti kryesor simbolik ishte prania e Millan Radojçiqit vetëm me një person ndërmjet, krahut të tij të djathtë.

Ishte Radojçiqi, që paralajmëroi rezistencën e donkishoteske, por për dallim nga heroi spanjoll që luftonte ‘mullinjtë e erës’, ky i ka zëvendësuar me ‘skuadra shqiptare të vdekjes’, që vrasin serb. Një ngjarje që kurrë nuk ka ndodhur nga shqiptarët në kohë paqeje nga forca shtetërore shqiptare.

Nuk u mjaftua Vuçiqi as me këto trillime, që i tha vetë në mënyrë të përsëritur, pasi shërbimi inteligjent gebellsian propagandistik serb, ia kishte dhënë t’i deklaronte i pari njërit prej kriminelëve më të kërkuar në Kosovë e në listë të zezë të SHBA-së, Millan Radojçiqit. Vuçiqi dhe shërbimi trillues serb, tha se në Kosovë paskëshin ardhur çeçen dhe çerkez nga Rusia, për të vrarë serb!

Një propagandë e llahtarshme. Lëre se nuk ekziston as si ngjarje, as si projekt, e as si plan, por me këtë trillim, propaganda serbe u mundua ta paraqiste Kosovën, si më të afërt me Rusinë se sa me Serbinë. Çeçenët, që nën udhëheqjen zyrtare të kuazi-shtetit që e kanë, po luftojnë nën komandën e të parit të saj, që po cilësohet si ‘i biri i Putinit”, përkrah forcave ruse në kryerjen e krimeve makabre në Ukrainë, ai mundohet t’i paraqes aleat të Kosovës. Kjo propagandë nuk bëhet rastësisht, pasi ajo do të shpërndahet me një sfond tjetër nga diplomacia serbe, se ato grupe janë myslimane, dhe se kanë hyrë në Kosovë për t’i ndihmuar shqiptarët, që kryesisht janë të besimit islam.

Pra, përveç se trillim për vrasjen e serbëve, mbart edhe dy mesazhe trilluese deri në neveri, se konflikti në veri mund të ndihmohet nga Rusia, dhe së treti se ekziston rreziku nga rritja e fuqisë dhe bashkëveprimit të islamistëve.

Me këto tri mesazhe, meqë Serbia është në koordinim dhe nën ndikim të fuqishëm të Rusisë, ajo po provon të përmbysë realitetin faktik, se kinse ajo nuk është kundër Perëndimit, por në esencë janë organizimet (inekzistuese) në Kosovë, që pretendojnë të luftojnë përkrah lindjes, Rusisë dhe shteteve islamike. Duke qenë se në trillimin serbe kjo është situata, atëherë vendet perëndimore, antiLindore, do ta miratojnë përkrahjen për të!

Në këtë mënyrë ajo po provon, ta përçajë unitetin e Perëndimit, i cili është i vendosur t’i jap leksione Serbisë dhe njëkohësisht po provon, të shfaqet si nënkuptueshëm dhe në kanale të tjera, si një frymë ‘antiruse’, që nuk mund ta vë në spikamë.

Image
Ramzan Kadyrov me Putinin dhe ish-presidentin Medvedev (në mes)

 

Institucionet t’i dekodojë mesazhet trilluese

Inteligjenca e Kosovës, shërbimet e sigurimit duhet t’i dekonstruktojnë këto mesazhe të Serbisë, si ngjarje që ajo po iu paraprin:

Serbia mund të ketë kontraktuar me Rusinë dhe vende të tjera armiqësore me Perëndimin, disa mercenarë aziatik, mbase edhe me dokumente të falsifikuara, si islamist, të cilët do të futen në veri sipas instruksioneve të shërbimeve sero-ruse, dhe të vrasin ndonjë civil të pafajshëm, për të krijuar trazira në veri, për të motivuar një pakënaqësi të detyrueshme atje.

Skenari i dytë është që “Dora e zezë”- (“Crna ruka”), pjesë e agjencive serbe të inteligjencës, që të ‘komplotojë’ dhe të vrasë serb, qoftë zyrtar, me mundësinë që ta përfshijë në akte edhe ndonjë shqipfolës, për të nxitur po ashtu trazira, si kërcënimi i fundit, i Vuçiqit dhe Serbisë, për të ‘korrigjuar’ humbjet në negociata, kryesisht që janë pasojë e qëndrimeve të saja proRusisë për luftën në Ukrainë!

Prandaj, siç kemi vlerësuar në vazhdimësi, shqiptarët në Kosovë, zyrtarët e shtetit, nuk kanë asnjë mundësi që të jenë luftënxitës, sepse nuk kanë kurrfarë force të mjaftueshme të luftojnë me Serbinë! Përpjekjet për të vendosur sovranitet në veri të vendit dhe zbatimi i shtetit ligjor, është abuzim të interpretohen si luftënxitje, një fjalor tipik, i vënë në përdorim nga shërbimet inteligjente serbe në gojën e disa politikanëve shqiptarë në Kosovë, dhe të disa analistëve.

Këtë qasje, sigurisht bazuar edhe nga përvoja e tij diplomatike në Kosovë e zbulon edhe ish-ambasadori amerikan, Greg Delawie, sipas të cilit është vetëm një luftënxitës. Ai është Vuçiqi.

“Luftënxitja në Ballkan bëhet nga Vuçiqi. Mos gaboni, Serbia është kërcënimi real për paqen këtu, jo Kosova”, ka thënë ai në Tviter.

Gjithashtu, ai ia ka kujtuar Serbisë dhe mbështetësve të saj, se çështja e Kosovës e ka të shkruar epilogun mirë, dhe kushdo që ballafaqohet e dinë mirë historinë.

“KFOR-i, forca paqeruajtëse e NATO-s, do të bëjë punën e saj. Kjo është një histori e shkruar mirë”, ka shkruar ai.

Serbia e ka skenarin e gatshëm të vrasjes së serbëve

Që Serbia e ‘zier’ skenarin e luftës, dhe se tashmë ai është thuajse i pashmangshëm, e provon deklarata po ashtu e Vuçiqit, i cili e ka kërcënuar edhe NATO-n, se nëse Aleanca nuk vepron, Serbia do të ndërhyjë në veri. “Nëse NATO s’i mbron serbët, atëherë këtë do ta bëjë Serbia”, ka deklaruar ai.

Pra, për Vuçiqin, vrasjet (dhuna) do të ndodhin, por varet vetëm nëse, ajo do të ndërpritet nga NATO-ja, apo nga vetë Serbia. Nga kjo skenari për gjakderdhje, rezulton se është aprovuar-miratuar nga Serbia.

Të vetmin hall e ka Serbia, se si ta lë fajtore Kosovën!

Në këtë kontekst, jo pak politikanë, dhe analistë me reagimet e tyre, se Qeveria dhe Presidenca e Kosovës po provokon në veri, po përdorin fjalor luftënxitës etj.

Rrezikun për organizim të trazirave tashmë pak kush nuk e pranon. Edhe profesori amerikan, Daniel Serwer, ekspert për Ballkanin thotë se mund të ketë trazira në veri të Kosovës, të cilat pa dyshim thotë se ndodhin me urdhër dhe mbështetje të Beogradit.

“Sigurisht që mundet. Por, ajo trazirë është urdhëruar dhe mbështetur nga Beogradi”, thotë Server.

Ndërkohë, të hënën Forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara, dy avionë bombardues “Stratofortress” B 52, më të famshmit për shqiptarët në luftën e NATO-s kundër Serbisë më 1999, kanë kryer sot fluturimin më të ulët të mundshëm, për tu parë mirë me sy nga qytetarët, në disa vende të Ballkanit. Ata fluturuan mbi ndërtesën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup, mbi Sheshin Skënderbej në Tiranë, Shqipëri, mbi bregdetin e Malit të Zi, dhe mbi Dubrovnik të Kroacisë.

“B-52H Stratofortress” është avioni më i madh bombardues, dhe që mund të fluturojë në distancat më të largëta për një aeroplan, me aftësi të kryerjes së një sërë misionesh. B 52-shi fluturon në lartësi të mëdha, mbi 15 mijë e 160 metra. Është i aftë të bartë dhe të hedhë armë bërthamore, dhe raketa të llojeve të ndryshme me precizitet shumë të lartë.

Image
Dy bombarduesit amerikan duke fluturuar mbi sheshin Skenderbej

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat