Punëtorët e “Kosova Thëngjillit” përplasen me policinë, tentojnë të futen brenda Ministrisë së Ekonomisë

Aktuale

Punëtorët e “Kosova Thëngjillit” përplasen me policinë, tentojnë të futen brenda Ministrisë së Ekonomisë

Më: 25 gusht 2022 Në ora: 14:43
Protesta

Punëtorët e kompanisë “Kosova Thëngjilli” kanë tentuar që të futen brenda objektit të Ministrisë së Ekonomisë, por janë ndaluar nga policia.

Ata kanë provuar që të hyjnë brenda duke u përplasur kështu me policinë, kryesisht verbalisht, derisa në një moment policët kanë zmbrapsur edhe fizikisht protestuesit.

Punëtorët e kësaj kompanie tash e disa orë janë duke protestuar para Ministrisë së Ekonomisë duke kërkuar takim me ministren Artane Rizvanolli.

Përfaqësuesit e punëtorëve dy herë janë ftuar për takim brenda kësaj ministrie, por në asnjërin rast nuk janë pritur nga ministrja Artane Rizvanolli.

Punëtorët e “Kosova Thëngjillit” janë shprehur të indinjuar me qasjen e zyrtarëve të ministrisë, për çka kanë kërkuar takim me vet ministren Rizvanolli.

Të njëjtit thonë se do të qëndrojnë gjatë tërë ditës në rrugë derisa të takohen me ministren Rizvanolli.

Kjo është hera e pestë që ata po protestojnë duke kërkuar rikthimin në punë pas ndërprerjes së punës nga Korporata Energjetike të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat