Zëdhënësja e LDK’së: Kurti po i kthen në armiq sindikalistët të cilët dikur i përkrahte nga “llogoret” opozitare

Aktuale

Zëdhënësja e LDK’së: Kurti po i kthen në armiq sindikalistët të cilët dikur i përkrahte nga “llogoret” opozitare

Më: 25 gusht 2022 Në ora: 18:25
Sibel Halimi

Zëdhënësja e LDK’së, Sibel Halimi, ka kritikuar ashpër kërkesën që bëri Ministria e Financave të listës së punëtorëve që hyn sot në grevë, për t’ua ndaluar pagat.

Halimi i është drejtuar kryeministrit Kurti duke i thënë se po i kthen në armiq sindikalistët grevistë që dikur i përkrahte sa ishte në opozitë.

Postimi i plotë i saj:

“Njeriu, për të lidhur njeriun, përdori lloj-lloj litarësh, por litari më i fortë doli të jetë litari i bukës” – ky monolog drithërues i aktores së madhe shqiptare Roza Anagnosti, më erdhi ndërmend sot, teksa lexoja gjuhën e urrejtjes së eksponentëve të afërt me pushtetin. Për ta vazhduar edhe më tej absurdin, këto kërcënime të marra në rrjete sociale, për përjashtime masive nga puna të sindikalistëve grevistë – pushteti po i shqyrton seriozisht për t’i bërë politika shtetërore.

Pa e përjetuar nuk do të besoni, se si politikani i vetëshpallur kinse ‘i majtë’ e ‘socialdemokrat’, si njeri ‘i afërt me klasën punëtore’ – sot si kryeministër, thuajse i ka shpallur armiq, të njëjtit sindikalistë të cilët i përkrahte hapur nga ‘llogoret’ opozitare. Me sa duket, edhe këta paskan qenë thjesht ‘mjet pune’ dhe instrument për të ardhur në kolltukun e sotëm të pushtetit. Po i kërcënon pa i pranuar madje si palë dialoguese, duke ua hedhur poshtë çdo shqetësim.

Si dikush që ka hyrë në politikë nga fusha e shkencave humane; kjo gjuhë, kjo mendësi, është tërësisht e papranueshme. Sindikalistët janë qytetarët e këtij vendi, ndaj si të tillë duhen trajtuar, duke diskutuar nga afër me ta, kërkesat dhe shqetësimet që i ngrisin, në emër të anëtarësisë së sindikatave që përfaqësojnë. Askush nuk thotë se duhet plotësuar çdo kërkesë që nuk e lejojnë mundësitë; por jam për njerëzoren e pashkëputur nga politika!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat