Naftëtarët nuk e pranojnë çmim tavan, thonë se disa pika të karburanteve janë buzë falimentimit

Aktuale

Naftëtarët nuk e pranojnë çmim tavan, thonë se disa pika të karburanteve janë buzë falimentimit

Më: 25 gusht 2022 Në ora: 21:40
Ilustrim

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës, u miratua unanimisht plotësim-ndryshimi i udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe karburanteve tjera.

Shpjegime për këtë udhëzim dha kryeministri Albin Kurti, në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Ai sqaroi se do të ketë sërish tavan për çmimin e naftës, derisa paralajmëroi se do të caktohet tavan i çmimeve edhe për produktet elementare ushqimore.

“Sot kemi pasur edhe vendimin lidhur me çmimin tavan sa i përket naftës, por edhe marzhës së fitimit të tregtarëve me pakicë dhe me shumicë. Pra, edhe duam ta mbrojmë konsumatorin nga rritja e çmimit të naftës, por në të njëjtën kohë edhe ta ruajmë konkurrushmërinë. E kemi edhe nismën legjislative për çmimet bazë që duhet të kenë tavan, sa i përket produkteve elementare ushqimore”, deklaroi Kurti.

Lidhur me këtë vendim kryetari i naftëtarëve, Fadil Berjani ka thënë se janë në pritje që ta shohin se çka parasheh saktësisht ai vendim.

Berjani tha se nëse aktivizohet vendimi paraprak, gjendje alarmante e pret sektorin e naftës.

“Ne kemi pas kontakt me ministren Rozeta Hajdari dhe jemi të njoftuar lidhur me vendimin të cilin e propozon Qeveria ne jemi në pritje që të njoftohemi se çka parashihet në at vendim. Vendimi paraprak ka qenë i dëmshëm për pikat e karburantit dhe shumë pika janë në buzë të falimentimit. Në qoftë se prap aktivizohet një vendim i tillë do të bëhet një gjendje alarmante në sektorin e naftës”, potencoi Berjani.

Sipas kryetarit të naftëtarëve, vendimet e Qeverisë nuk mund ta ulin çmimin pasi e përcakton Berza.

Ai thotë se nëse merren vendime të dëmshme për sektorin e naftës, atëherë do të kundërshtohen.

“Çdo vendim i Qeverisë duhet të respektohet po në qoftë se është i dëmshëm për biznese si ai vendimi paraprak do ta kundërshtojmë. Vendimet s’mundin ta ulin çmimin dhe çmimin e përcakton Berza. Në rritjen e çmimit ka ndikim edhe lufta Ukrainë & Rusi. Sot çmimi furnizues Dizell është 1,65 cent në pikat e karburantit përafërsisht është 1,69 cent”, u shpreh Berjani.

Qeveria e Kosovës në qershor pati marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale tregtare me shumicë dhe pakicë. Edhe atëherë një vendim i tillë ishte kundërshtuar nga naftëtarët e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat