​Grafitet në veri, alarmon eksperti i sigurisë: Ky është qëllimi i Serbisë!

Aktuale

​Grafitet në veri, alarmon eksperti i sigurisë: Ky është qëllimi i Serbisë!

Më: 26 gusht 2022 Në ora: 15:57
​Grafitet në veri

Grafitet e reja të vendosura të enjten në veri të Mitrovicës “NATO shko në shtëpi, këtu është Serbi” po vlerësohen të kenë për qëllim tensionimin dhe kërcënimin nga strukturat paralele serbe. Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami thotë se kjo është metodë e Serbisë për të bërë presion tek ndërkombëtarët në mënyrë që të bëhet realitet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Ai thotë se Serbia po synon që përmes Asociacionit të krijojë një nivel të tretë me institucionet e Kosovës. Derisa apelon Bashkimin Evropian dhe ShBA-në që të marrin seriozisht mesazhin e këtyre grafiteve. 

Sipas tij, çështja e grafiteve është vazhdimësi e politikave të Serbisë që ta paraqesë gjendjen sa më të rrezikshme në veriun e Kosovës.

Islami: E gjithë kjo situatë po ndodh për implementim të marrëveshjes së Asociacionit të Komunave

“Këtë situatë deri me 1 shtator vet shteti serb e ka krijuar dhe ka tensionuar. Si pasojë e gjithë këtyre është që ta mbajë situatën e tensionuar. E gjithë kjo është duke ndodhur lidhur me Asociacionin e Komunave, pra çështja e implementimit të marrëveshjes së Asociacionit të Komunave, ku Serbia është e interesuar që ta bëjë një Bosnjë të dytë brenda territorit të Kosovës, Asociacioni i Komunave të ketë kompetenca që të vendosë vet për vetën në mënyrë që të krijohet një nivel i tretë me institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo nuk do të ndodhë dhe nuk duhej të ndodhë, sepse edhe ShBA-ja është deklaruar se Asociacioni i Komunave duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, theksoi Islami.

Sipas tij grafitet në veri të Kosovës janë të vendosura si kundërpërgjigje e vendimeve të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin ëpr targa dhe letërnjoftime.

Islami: Siç po shihet, shkrimet në grafitë janë organizuar si kundërpërgjigje Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin

“Me vet faktin se në grafitë shkruan ne jemi këtu, kush janë ata që janë aty, pra i mbetet Me vet faktin se ata thonë dhe shkruajnë se ne jemi këtu, atëherë siç po shihet diçka është duke u organizuar që të jepet si kundërpërgjigje vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës për reciprocitetin, si dhe ndërrimin e targave të cilat duhet të vendosen në automjetet e secilit qytetar të Republikës së Kosovës, pavarësisht cilit nacionalitetit”, thotë ai.

Ai thotë se grafitet e krijuara nga shteti serb, janë pjesë përbërëse e kërcënimeve për ta destabilizuar vendin.

Islami: Këto grafite janë pjesë përbërëse e kërcënimeve për vendin

“Këto grafite janë pjesë përbërëse të kërcënimeve, qoftë nga presidenti i Serbisë, nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë por edhe serbëve lokalë të partisë së Listës Srbska, të cilët janë të koordinuar në mënyrë që ta destabilizojnë veriun e Kosovës dhe të përfitojnë atë çfarë dëshirojnë. Pra, Serbia nuk është e interesuar as për stabilitet, por edhe nuk është e interesuar që serbët të prosperojnë në veriun e Kosovës”, thotë ai.

Eksperti i sigurisë thekson se koha prej një muaj e cila iu është dhënë serbëve lokalë për reciprocitet me dokumente dhe ndërrimit të tabelave është e mjaftueshme.

Më tej, ai thotë se nga reagimet e BE-së dhe SHBA-ve, tregon se situata me grafitë e krijuar në veri është serioze.

Islami: Policia e Kosovës është dhe do të jetë në çdo cep të Kosovës

“Kemi parë edhe ditëve të fundit se sa janë aktive bashkësia ndërkombëtare, pra BE-ja dhe ShBA-ja, lëvizjet e tyre në Kosovë, Serbi dhe Bruksel. Kjo tregon se situata është serioze dhe besoj se pavarësisht asaj çfarë kanë paralajmëruar institucionet e Serbisë që në veriun e Kosovës të mos lëvizin njësitë speciale të Kosovës, e për këtë fatbardhësisht nuk pajtohen jo vetëm institucionet e Kosovës por edhe ndërkombëtare, sepse Policia e Kosovës është dhe do të jetë në çdo cep të Kosovës... Çështja e grafiteve është çështje e vazhdimit të politikave të Serbisë që të bëjë presion, jo vetëm në institucionet tona, por edhe në Bashkësinë Ndërkombëtare që ta paraqesë gjendjen sa më të rrezikshme në veriun e Kosovës”, thotë ai.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami apelon institucionet e sigurisë që të angazhohen në gjetjen e kryerësve të grafiteve në veri të vendit dhe të merret seriozisht mesazhi i mesazheve që ato përçojnë.

Kujtojmë se afishe të tjera me mbishkrimet "Këtu jemi, mos u brengosni" dhe "Këtu jemi, po presim", të shkruara në emër të të ashtuquajturës “Brigada veriore”, një javë më parë ishin vendosur nëpër lokacione të ndryshme në rrugët e veriut të Mitrovicës. Ato kanë shqetësuar qytetarët e kësaj pjese pa dallim, duke ngjallur panik tek ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat