Zgjidhje evropiane, ja çka shkruan DW për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Aktuale

Zgjidhje evropiane, ja çka shkruan DW për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Më: 28 gusht 2022 Në ora: 09:41
Kufiri Kosovë-Serbi

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, e cilëson marrëveshjen Kosovë-Serbi për dokumentet e udhëtimit si një zgjidhje evropiane. Vuҫiq tha se me njohjen e dokumenteve të Prishtinës nuk nënkupton njohjen e Kosovës.    

Kosova dhe Serbia ranë dakord që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve duke zgjidhur mosmarrëveshjen mbi lëvizjen e qytetarëve. Këtë e bëri të ditur shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell.

"Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, kemi një marrëveshje. Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse - dalëse për bartësit e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i zbatojë ato për qytetarët nga Serbia”, shkroi Josep Borrell, duke e cilësuar këtë një zgjidhje evropiane.

Image
Josep Borrell dhe Albin Kurti

Shefi i diplomacisë evropiane përgëzoi udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë për këtë marrëveshje e cila pasoi një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas vendimit të qeverisë së Kosovës që të zbatojë masat e reciprocitetitpër përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

Zgjidhje evropiane

Image
Veriu i Kosovës

I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, falënderoi edhe të dërguarin e SHBA-së, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për arritjen e kësaj marrëveshjeje. "Falënderoj emisarin Escobar dhe diplomacinë amerikane për përkushtimin e fuqishëm të tyre në mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, shkroi Lajҫak në Twitter.

Dy emisarët e dialogut Kosovë-Serbi, Escobar dhe Lajҫak, gjatë kësaj jave, qëndruan në Kosovë dhe Serbi, ku diskutuan me udhëheqësit shtetërorë dhe ata partiakë për çështjen e dokumenteve dhe të targave dhe thanë se palët u zotuan se do të shmangin dhunën më 1 shtator, kur parashihej që të hynte në fuqi reciprociteti i Kosovës për dokumentet e udhëtimit dhe targat e makinave.

Image
Aleksandar Vuçiq

Ministrja e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, shkroi se "Reciprociteti është parimi që na bën të jemi vend normal. Jo përkundër dikujt, por për hir të vetvetes”.

Vuҫiq: Njohja e dokumenteve të Prishtinës nuk nënkupton njohjen e Kosovës

Image
Dialogu në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, tha se pranimi i dokumenteve të udhëtimit të Kosovës nuk nënkupton që Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës. 

"Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës bëhet ekskluzivisht për arsye praktike të lehtësimit të pozitës së qytetarëve dhe mundësimit të lirisë së lëvizjes në përputhje me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes, që është arritur në dialog më 2011, dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Kosova, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara”, tha Vuçiq në një konferencë shtypi.

Image
Tabelat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar më parë, se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë, nëse edhe Beogradi do të vepronte njësoj.

Sa u përket targave të makinave presidenti Vuҫiq tha se "ende nuk është arritur një marrëveshje me Kosovën, por se ende ka një afat prej dy muajsh, kështu që do të shohim”./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat