Aprovohet padia e Kurteshit të LVV-së, “bllokohet” prodhimi i energjisë solare

Aktuale

Aprovohet padia e Kurteshit të LVV-së, “bllokohet” prodhimi i energjisë solare

Më: 30 gusht 2022 Në ora: 13:11
Sami Kurteshi dhe Ymer Fejzullahu

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar padinë e ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) lidhur me vendimin e vitit 2019 për caktimin e tarifave nxitëse për prodhimin e energjisë solare.

Gjykata, në arsyetimin e këtij vendimi, thekson se vendimi i ZRrE-së nuk është i bazuar në Udhëzimet e Bashkimit Evropian lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe energjisë.

“Vendimi i të paditurës ZRrE, si dhe akteve nënligjore të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk është bazuar në Udhëzimet e Bashkimit Evropian lidhur me mbrojtjen e mjedisit të energjisë”, shkruhet ndër të tjera në arsyetim.

Paditësi, Sami Kurteshi përmes padisë kishte kërkuar anulimin e vendimit të ZRrE-së, me të cilin kjo e fundit kishte vendosur tarifa nxitëse në vlerë 85.5 euro për MW për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet solare.

ZRrE, më 27 nëntor 2019, kishte nxjerrë vendim me të cilin kishte vendosur tarifa nxitëse për prodhimin e energjisë solare nga gjashtë kompani private, por që sipas paditësit këto tarifa bien në barrë të qytetarëve dhe nga ky vendim përfitojnë kompanitë.

Sipas padisë së ushtruar më 24 dhjetor 2019, paditësi Sami Kurteshi kishte kërkuar nga Gjy­kata The­melore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, të anulonte vendimin e ZRrE-së.

Krahas padisë, paditësi kishte paraqitur edhe kër­kesë për shtyrjen e ek­zekutimit të vendimit deri në vendosjen përfundimtare për këtë çështje.

Në padi thuhet se, paditësi Sami Kurteshi ka legjitimitet aktiv për të qenë palë paditëse kundër vendimit të atakuar për faktin se është konsumator i energjisë elektrike, të cilit përfundimisht do t’i faturohen tarifat e caktuara me vendimin e së paditurës.

Sipas padisë, e paditura ka nxjerrë vendimin në kundërshtim me të drejtën materiale dhe rregullat e parimet e procedurës, duke caktuar tarifa nxitëse pa bazë ligjore, duke paraparë për periudhë 12-vjeçare dhënien e ndihmës shtetërore, që duhet mënjanuar nga viti 2020, dhe duke caktuar vetë tarifa nxitëse për përfituesit tashmë të njohur, në vend se të caktojë tarifat dhe të përzgjedhë përfituesit përmes instrumenteve të tregut, duke caktuar tarifa dukshëm më të larta se çmimi i tregut, duke penguar konkurrencën e lirë, dhe duke dëmtuar konsumatorin që detyrohet të paguajë tarifat; dhe duke mos dhënë arsyetim me shkrim, duke mos kumtuar me kohë rendin e ditës, duke vendosur tinëz, dhe duke favorizuar një listë biznesesh që dihet se kush janë dhe gjasshëm kanë një pronar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat