​Abdixhiku: Dialogu pjesë-pjesë është interes vetëm i Serbisë

Aktuale

​Abdixhiku: Dialogu pjesë-pjesë është interes vetëm i Serbisë

Më: 30 gusht 2022 Në ora: 16:35
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se ky i fundit u ka bërë një prezantim të gjashtë pikave lidhur me dialogun me Serbinë.

Sipas kreut të LDK-së, opozita është njoftuar më në detaje nga ndërkombëtarët lidhur me këtë proces dhe shtoi se dialogu i copëzuar dhe teknik është interes vetëm i Serbisë. 

Duke përcjellë qëndrimin e partisë, Abdixhiku ka thënë se e mbështet një marrëveshje që sjell njohjen dhe mbron Kushtetutën dhe integritetin territorial të Kosovës.

Kryetari i LDK-së ka thënë se ftesa e Kurtit për takim është e vonuar.

Abdixhiku: Dialogu i copëzuar është interes vetëm i Serbisë 

“Partitë opozitare janë informuar në detaje nga ndërmjetësuesi ndërkombëtar në masën shumë më të thellë se çfarë na informoi sot kryeministri. Kryeministri bëri një prezantim të gjashtë pikave që tashmë janë të njohura për publikun dhe në këtë drejtim nuk pat ndonjë risi. Ne besojmë që dialogu i copëzuar, pjesë-pjesë është interes vetëm i Serbisë dhe jo i Kosovës, prandaj sa më shumë që Kosova merret me marrëveshje teknike, sa më tepër që mbesim në këtë proces, sa më gjatë që mbesim në këtë proces, Kosova ushqen status quo, ushqen interesat që nuk vinë në frymën që dëshirojmë ta ndërtojmë, andaj i kërkuam kryeministrit që të jetë i guximshëm , të shkojë në dialog së bashku me aleatët tanë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të kërkojë marrëveshjen finale me njohjen reciproke në thelb të saj, me respektim të Kushtetutës në thelb të saj dhe me respektim të integritetit territorial të vendit në thelb të saj. LDK një marrëveshje të tillë, pra që sjell njohje, e mbron Kushtetutën, e mbron integritetin territorial të Kosovës e mbështet pa dallim, dhe çdo vonesë në këtë drejtim nuk e mbështet dhe nuk e ushqen politikisht”, ka thënë ai. 

Abdixhiku ka thënë se kryeministri Kurti i ka të gjitha mjetet në dispozicion që të ushtrojë obligimin e tij kushtetues, ndërsa i ka kërkuar atij të raportojë në Kuvend mbi ecurinë e procesit të dialogut.

Abdixhiku: Marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës janë obligime kushtetuese 

“Marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës janë obligime kushtetuese për çdo qeveri, qeveritë vinë e shkojnë, marrëveshjet mbesin për vendin, po ashtu besojmë që ka një interpretim të Gjykatës Kushtetuese mbi asociacionin që duhet respektuar dhe duhet të jetë bazë e organizimeve të ardhshme që me këtë rast në Kosovë duhet t’i impelemtojmë. Ky është qëndrimi jonë, nuk është i ndryshueshëm, por është një platformë e dorëzuar tash e një vit te kryeministri në zyrën e tij. Qëndrojmë në ato bindje. Besojmë që respektimi i rendit kushtetues, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është jetësor, integriteti territorial dhe njohja reciproke, këto tri parimeve ne u japim mbështetje të plotë”, ka thënë kreu i LDK-së. 

Ai ka thënë se presin që procesi i dialogut të merr hapa të ri zhvillimor dhe të sigurojë njohje sa më parë duke shtuar që kjo duhet të bëhet në rrugëtim të ngushtë me shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas tij duhet shfrytëzuar momentumi politik me administratën e presidentit Joe Biden.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat