Ndryshime radikale në Polici, ndërrohen 40 udhëheqës

Aktuale

Ndryshime radikale në Polici, ndërrohen 40 udhëheqës

Më: 1 shtator 2022 Në ora: 21:04
Ilustrim

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është vënë në lëvizje për t’i bërë disa ndryshime radikale brenda Policisë së Kosovës.

I pari i MPB-së ka urdhëruar ushtruesin e detyrës së drejtorit të Policisë për shkarkimin e zyrtarëve të lartë të këtij institucioni.

Të njëjtit priten të zëvendësohen me njerëz të afërt me pushtetin. Siç ka mësuar media ga burimet e veta, ministri Sveçla tashmë ka përgatitur një listë prej 40 zyrtarësh policorë që mbajnë pozita menaxhuese e të cilët do të ndërrohen me të tjerë.

Lista e përpiluar nga Sveçla që do t’i zëvendësojnë të shkarkuarit përbëhet nga personat që janë të lidhur me partinë në pushtet; Lëvizjen Vetëvendosje.

Pretekst për këto shkarkime po përdoret rasti i dhunimit të 11-vjeçares nga pesë persona të dyshuar në Prishtinë.

Media mëson se ministri Sveçla ia ka dorëzuar listën e shkarkimeve ushtruesit të detyrës së drejtorit të PK-së, Fehmi Hoti.

Hoti i cili është miku i ish-shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, veçse ka filluar ta zbatojë “urdhrin” nga Sveçla.

Zyrtarët e parë të shkarkuar nga lista e ministrit Sveçla janë drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë, Fahredin Verbovci dhe shefi i operativës që ka vepruar po ashtu në kryqytet, Shkëlzen Xhafa.

Fahredin Verbovci tashmë është zëvendësuar nga nënkoloneli Fehmi Xhata. Kurse, në vend të Shkëlzen Xhafës, pushteti ka emëruar Bekim Bislimin.

Ndërkohë, që zyrtari policor Xhafa pritet ta vazhdojë punën si këshilltar i drejtorit të Policisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut.

Në anën tjetër, dy ditë më parë dha dorëheqje edhe drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Samedin Mehmeti.

Arsyeja e dorëheqjes së Mehmetit, sipas ministrit Xhelal Sveçla, lidhet me “arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, e cila bëri bujë në publik.

Gjithashtu, Ali Gashi, Drejtor i Drejtoratit për Trajtimit e të Burgosurve dhe të Miturve, ka dhënë të mërkurën dorëheqje nga kjo pozitë pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares.

Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë deklaruar se dorëheqja e Gashit ka ardhur si akt moral, meqë një prej të dyshuarve për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale.

“Pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares, si akt moral jep dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, z. Ali Gashi. Dorëheqja ka ardhur si akt moral i z. Gashi, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale. Dorëheqja është miratuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës”, thuhet në kumtesën e ShKK-së.

Për rastin e 11-vjeçares e cila dyshohet se u dhunua për shtatë orë radhazi, qytetarë të shumtë në Prishtinë protestuan më 31 gusht kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Me brohoritjet “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, “Shteti fajtor”, “Përdhunimi është krim”, “Jo, do të thotë Jo”, “Nuk po ndihem e sigurt” “Edhe sa”, qytetarët marshuan nga sheshi Zahir Pajaziti drejt ndërtesës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat