Jasharaj: Mungesa e nxënësve me 1 shtator, shkaktar është Qeveria Kurti

Aktuale

Jasharaj: Mungesa e nxënësve me 1 shtator, shkaktar është Qeveria Kurti

Më: 3 shtator 2022 Në ora: 07:19
Rrahman Jasharaj

“Nëntë muaj kemi lutur qeverinë të ulet për të biseduar, por nuk ka pranuar asnjëherë ta bëjë këtë. Bile as ministrja Nagavci nuk ka kryer punën e saj, derisa nuk ka përçuar kërkesën tonë te kryeministri Kurti për bisedime.”

Kështu deklaroi kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

I pyetur për takimin e nesërm, të thirrur nga presidentja Osmani, në ora 15:00, Jasharaj tha se “uroj që ajo ta shfrytëzojë autoritetin e saj pozitiv që ta sjellë qeverinë në tavolinën e bisedimeve”, ndonëse, siç shpreh ai, nuk ka informacione nëse do të vijë dikush nga pala qeveritare.

Duke arsyetur qëndrimin e tij dhe të SBASHK-ut për grevën, Jasharaj tha se është pritur 9 muaj që qeveria të ofronte bashkëpunimin për të zgjidhur problemin, duke plotësuar kërkesën për shumën prej 100 eurosh, për të mbështetur sado pak në zbutjen e krizës ekonomike.

I pyetur për vazhdimin e grevës, Jasharaj tha se greva do të vazhdojë, nëse qeveria nuk ndryshon qasjen e saj ndaj grevistëve.

E, sa i përket deklaratës së Këshillit të Prindërve, për zëvendësimin e orëve të humbura, Jasharaj tha se nuk ndiehet fajtor, ngase, siç u shpreh ai, BSPK ka dërguar 82 shkresa për takime me qeverinë, por pa rezultat.

“Pse 1 shtatori nuk kishte nxënës në shkollë, shkaktari është Qeveria Kurti”, tha Jasharaj, teksa përmendi një varg kërkesash të sindikalistëve kundrejt qeverisë për t’u realizuar, mes tjerash: “të ekzekutohen pagat pa dënime, pa mungesën e 90 eurove; të zbatohen pagesat me nga 100 euro; të miratohet ligji për pensione, duke hequr kriterin e 15 vjetëve, etj” tha në fund Jasharaj për RTK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat