Alarmon analisti malazez: Kosova në konflikt të ngrirë, rrezik për operacione malinje serbo-ruse

Aktuale

Alarmon analisti malazez: Kosova në konflikt të ngrirë, rrezik për operacione malinje serbo-ruse

Më: 3 shtator 2022 Në ora: 14:21
Gazetari dhe analisti nga Mali i Zi, Ljubomir Filipoviq

Gazetari dhe analisti nga Mali i Zi, Ljubomir Filipoviq thotë se në kohën kur siguria globale është në rrezik, Kosova ndodhet në një konflikt të ngrirë dhe rrezikohet nga propaganda serbo-ruse. Ai për KosovaPress thotë se përderisa Bashkimi Evropian ka një qasje të butë ndaj presidentit serb Aleksandër Vuciq, Kosova do të mbetet në status quo. Ndërkohë që kritika adreson për kryeministrin shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, për lidhjet e këtij të fundit me Rusinë. 

Ani pse thotë se kur bëhet fjalë për pjesët ku jetojnë shqiptarët, propaganda serbo-ruse e ka më të vështirë të përhapet, sipas Filipoviqit, Ballkani mund të shërbejë si terren i përshatshëm për përhapjen e dezinformatave ruse dhe ayre serbe, përfshirë edhe Kosovën. 

Filipoviq: Kosova në konflikt të ngrirë, rrezikohet nga propaganda serbo-ruse

“Në kontekstin e rreziqeve aktuale, situata aktuale e sigurisë globale është shumë e rrezikshme dhe është shumë e tensionuar. Fatkeqësisht, Kosova është në një gjendje të një konflikti të ngrirë, dhe kjo situatë nuk ka zgjidhje brenda, ku qeveria serbe po luan në mënyrë jokonstruktive, nuk po tregojnë përpjekje konstruktive për zgjidhjen e situatës në Kosovë duke pranuar realitetin e pavarësisë së Kosovës. Kjo situatë është një terren produktiv për përhapjen e dezinformatave, për operacione malinje të kryera kryesisht nga qeveritë ruse dhe serbe. Pra, është një situatë produktive që ky dezinformim të pranohet nga publiku i gjerë. Prandaj kjo është arsyeja pse situata në Kosovë dhe më gjerësisht në Ballkan është një situatë e pakompromis”, thotë ai. 

Gazetari malazez thotë se situata e Kosovës vështirësohet kur dihet se Serbia është nën ndikimin e Serbisë, ndërkohë që synimi rus është krijimi i tensioneve në Ballkan. 

Filipoviq: Serbia është nën ndikimin e Rusisë dhe synimi rus është krijimi i tensioneve në Ballkan

“Jemi, u bëmë më të zgjuar se në vitet '90 duke përfshirë Serbinë, por fatkeqësisht Serbia është nën ndikimin e madh të Rusisë, dhe synimi rus në Ballkan është krijimi i tensioneve, mbjellja e konflikteve midis popujve, midis shoqërive dhe brenda shoqërive, dhe një nga qëllimet e tyre kryesore është të dëmtojnë besimin në institucione dhe kohezionin social, kështu që ata po e bëjnë vazhdimisht, dhe për fat të keq, kjo mund të rezultojë në një konflikt në të ardhmen e parashikueshme”, thotë ai. 

Në kohën kur lufta në Ukrainë po vazhdon, Serbia ende nuk është deklaruar hapur se në anën e kujt qëndron, duke mos i vendosur as sanksione Rusisë. 

Kjo sipas Filipoviqit, është vazhdimësi e politikës serbe për t’u ulur në “dy karrige” njëkohësisht. 

Filipoviq: Vuçiq ka treguar se është i zoti të ulet në dy karrige njëkohësisht

“Ai (Vuçiq) ka treguar në të kaluarën se është shumë i zoti, sa të arrijë të ulet në dy karrige në të njëjtën kohë. Pra, për aq kohë sa ai mundet, për sa kohë i lejohet ta bëjë këtë nga të dyja palët, ai do të vazhdojë ta bëjë këtë. Mendoj se për ne, për shoqëritë e tjera në Ballkanin Perëndimor, nuk është aspak e rëndësishme nëse Vuçiq është pro-perëndimor apo pro-rus. Politika e tij është përçarëse, politika e tij është e rrezikshme për sigurinë e Ballkanit, nuk ka rëndësi nëse ai është pro-perëndimor apo pro-rus”, shprehet Filipoviq. 

Në intervistën për KosovaPress, Filipoviq flet edhe për situatën e shqiptarëve në Mal të Zi. 

Sipas tij, shqiptarët në shtetin malazez qëndrojnë mirë, por siç thotë ai, mosliberalizimi i vizave mbetet fakt shqetësues për të rinjtë e Kosovës, duke bërë që këta të fundit të jenë në situatën më të keqe në Ballkanin Perëndimor. 

Filipoviq: Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës, peng i politikës serbe  

“Kosovarët dhe veçanërisht të rinjtë kosovarë janë në situatën më të keqe në Ballkanin Perëndimor. Qeveria serbe po i mban peng të politikës së tyre. Dhe po, unë njoh shumë të rinj kosovarë që kanë probleme nëse duan të udhëtojnë lirshëm, dhe sa i përket jo vetëm kësaj, por ju e dini, vetëm për të udhëtuar në Bosnje duhen kaq shumë procedura, procedura burokratike për ta. Disa nga shqiptarët e Kosovës, kanë gjetur një mënyrë për të marrë pasaportën shqiptare, ose disa prej tyre e kanë bërë këtë me pasaportën serbe, këto janë supozime, sepse përderisa Serbia luan një rol shkatërrues në këtë, do të keni probleme. Dhe përderisa Bashkimi Evropian, për fat të keq dhe perëndimi po qetësojnë Aleksandër Vuçiqin dhe politikën e tij, mendoj se për një kohë të gjatë jemi duke u përballur me një situatë status quo në Kosovë, për fat të keq”, thotë gazetari malazez.

Ai kritika adreson për kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, për të cilin thotë se për interesa të Kishës Ortodokse serbe dhe kërkesave të pushtetit serb ishte i gatshëm të rrezikojë stabilitetin e qeverisë së tij por edhe atë të vendit në përgjithësi. 

Filipoviq: Abazoviq është i nënshkruar ndaj politikave serbo-ruse 

“Zotri Abazoviq, siç ju thashë, kohët e fundit thoshte se njerëzit janë kundër tij sepse ai është shqiptar dhe mysliman, dhe kjo nuk është e vërtetë, sepse njerëzit që po protestojnë kundër tij, malazezët, janë njerëz që vijnë nga idealizmi, nga shoqëria qytetare në Mal të Zi, shoqëria multi-etnike në Mal të Zi. Kështu që unë mendoj se më e mira, dhe ndoshta e vetmja e mirë e Dritan Abazoviqit si politikan, është se ai është shqiptar dhe se është mysliman, pjesa tjetër, politika e tij është shkatërruese, pra ai është i nënshtruar ndaj kërkesave të kishës serbe dhe kërkesave të pushtetit serb, dhe për nënshtrimin e tij ndaj Kishës Ortodokse Serbe ai ishte i gatshëm të sakrifikonte stabilitetin e qeverisë së tij dhe stabilitetin e Malit të Zi. Dhe siç mund ta shohim në ditët e fundit, ky kërcënim i sigurisë në Mal të Zi, mund të përhapet në rajon dhe ky është problemi më i madh”, thekson ai. 

Për fund, Filipoviq lavdëron raportet e mira shqiptaro-malazeze, duke thënë se të dyja palët kanë tejkaluar një situatë të vështirë duke ndërtuar një marrëdhënie besimi në 20 vitet e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat