Osmani, Pahorit: Na jepni një shtytje të fundit për viza, NATO e BE

Aktuale

Osmani, Pahorit: Na jepni një shtytje të fundit për viza, NATO e BE

Më: 7 shtator 2022 Në ora: 16:49 Përditësuar në ora: 18:24 më 07.09.2022
Vjosa Osmani

Osmani falënderon homologun Pahor për forcimin e partneritetit Kosovë-Slloveni

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka falënderuar homologun slloven, Borut Pahor, për përkushtimin e tij të palëkundur në forcimin e partneritetit Kosovë-Slloveni.

Ajo po ashtu e ka falënderuar atë për rolin e tij aktiv në mbështetje të integrimit euroatlantik të Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Faleminderit president Pahor për përkushtimin tuaj të palëkundur në forcimin e partneritetit Kosovë-Slloveni”.

“Në vizitën e tij të fundit në Kosovë në rolin e presidentit të Sllovenisë, e falënderova presidentin Borut Pahor për angazhimin e tij përgjatë dekadave të fundit në përafrimin e dy vendeve tona dhe për rolin e tij aktiv në mbështetje të integrimit euroatlantik të vendit tonë”.

​Asociacioni, ndër dallimet e pakta mes Kosovës dhe Sllovenisë

Kosova dhe Sllovenia kanë shumë qëndrime të përbashkëta, por dallojnë në çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kjo u konfirmua gjatë vizitës së presidentit slloven Borut Pahor në Prishtinë dhe konferencës së përbashkët me homologen e tij, Vjosa Osmani.

Pahor erdhi në Prishtinë, ndoshta për herë të fundit në cilësinë e presidentit për shkak të përfundimit të mandatit, për të ftuar Osmanin në samitin e radhës të Procesit të Brdo-Brijunit, deklaroi se pret që marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë të implementohen, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

Pahor: Pres implementimin e marrëveshjes për Asociacionin

Kosova dhe Sllovenia kanë shumë qëndrime të përbashkëta e këndvështrime të njëjta në çështje me problematike në rajon dhe botë, por mes nesh, është dhe një dallim i rrallë e që është implementimi i marrëveshjeve të arritura. Edhe në Beograd kam thënë, edhe këtu herën e kaluar, e shoh si rrugëtim për përforcimin e besimit mes Beogradit dhe Prishtinës që të implementohen marrëveshjet e arritura. Marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit ishte për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Pres që, pavarësisht se mbështes të drejtën ligjore, që të gjendet një zgjidhje për implementimin e kësaj marrëveshjeje. Nuk e di nëse Vjosa do të na thotë për alternativë, por derisa nuk kemi alternativë, nuk ka një propozim, vlen ajo marrëveshje e arritur më përpara”, deklaroi Pahor.

Megjithatë, presidentja Osmani nxitoi të argumentonte se në marrëveshjen për Asociacionin, Gjykata Kushtetuese ka gjetur 23 shkelje dhe si e tillë bie ndesh me rendin kushtetues të vendit.

Osmani: Asociacioni bie ndesh me Kushtetutën

Nga të gjitha ato dokument që janë nënshkruar, Kosova ka zbatuar 99% të obligimeve të saj dhe ekziston një që nuk e ka zbatuar e që është marrëveshja për Asociacionin, për një arsye shumë fondamentale, sepse ajo marrëveshje bie ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, sepse Gjykata Kushtetuese ka gjetur 23 shkelje të kushtetutës sonë në atë marrëveshje ajo çka unë mund t'ju them si presidente e Kosovës është që ne do ta respektojmë dhe zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetutës, ne nuk mund të krijojmë entitete mono etnike përderisa bazamenti mbi të cilin është ndërtuar kushtetua jona është multietniteti”, tha Osmani.

Kryetarja e shtetit shtoi se nuk janë për zgjidhje që krijojnë segregacion por për integrim të të gjitha komuniteteve.

Osmani: Nuk mbështesim zgjidhje që krijojnë segregacion

Ne nuk mund të shtyjmë përpara zgjidhje të shekullit të kaluar të cilat i ndajnë njerëzit, krijojnë segregacion, krijojnë mure, por qëllimi ynë është që të gjithë njerëzit të integrohen, të jetojnë bashkë, të realizohen të drejtat kushtetuese dhe ato të parapara në instrumente evropiane e ndërkombëtare sipas parimit të multietnicitetit”, vijoi Osmani.

Gjatë konferencës me presidenten Osmani, kreu i shtetit slloven ka përsëritur sërish mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën duke thënë se duhet të mbahen premtimet e dhëna ndaj Prishtinës.

Për këtë angazhim për liberalizim, Osmani e ka falënderuar homologun e saj dhe i ka kërkuar që të bëjë edhe një shtytje të fundit rreth kësaj çështjeje.

Osmani: Mirënjohje për angazhimin tuaj për liberalizim

Gjersa po i afrohemi finalizimit të procesit të gjatë e të padrejtë të liberalizimit të vizave për Kosovën dua t’ju falënderoj për angazhimin tuaj dhe t’ju kërkoj edhe njëherë që të jepni një shtytje të fundit këtij procesi në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës të kenë mundësi të vizitojnë vendin tuaj të bukur por edhe të gjithë Evropën njësoj sikurse edhe evropianët e tjerë”, tha Osmani.

Pahor është pyetur edhe për deklaratat e homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq. Ky i fundit ishte pyetur se përse Serbia nuk po i vendos sanksione Rusisë, ndërsa ishte përgjigjur se “Rusia nuk e ka shkelur integritetin territorial të Serbisë ndërsa Sllovenia e ka shkelur dhe siç e shihni, ne kemi raporte të mira me Slloveninë”, duke nënkuptuar këtu njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Pahor këtë deklaratë e ka quajtur tendencioze dhe të papranueshme dhe tha se dihet që Sllovenia e Serbia kanë dallime sa i përket çështjes së Kosovës.

Pahor: Deklarata e Vuçiqit e papranueshme

Unë të dy shteteve ju them se Sllovenia dhe Serbia sa i përket çështjes së Kosovës kanë qëndrime të ndryshme. Sllovenia e ka njohur Kosovën si shtet, ndërkaq Serbia nuk e njeh. Deklarata e presidentit Vuçiq ishte e papranueshme dhe tendencioze”, u shpreh Pahor.

Menjëherë pas kësaj deklarate të presidentit serb të bërë pas vizitës së Pahor në Bograd, Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë kishte ftuar ambasadoren serbe në Slloveni, Zorana Vlatkoviq, për të biseduar rreth këtyre deklaratave. Ministria e Jashtme sllovene ishte shprehur e “shumë e befasuar” nga deklaratat e Vuçiqit, duke përsëritur qëndrimin se Sllovenia e njeh si shtet të pavarur dhe sovran Republikën e Kosovës.

​Osmani: Njohja reciproke Kosovë-Serbi, rruga e vetme që siguron paqe

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi sot se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme që siguron paqe dhe afron të dyja vendet në Bashkimin Evropian.

Pas takimit me homologun e saj slloven Borut Pahor, Osmani përmendi edhe nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.

Ajo në konferencën e përbashkët për medie, theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Sllovenisë në rrugën e saj euro-atlantike.

Përkrahje për liberalizimin e vizave ofroi presidenti slloven, i cili tha se BE-ja duhet t’iu qëndrojë prapa premtimeve. Nga ana tjetër, tha se dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet të ketë ngecje.

​Osmani: Marrëveshja për asociacionin bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka kërkuar formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një konferencë për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, presidenti Pahor tha se me Kosovën kanë shumë qëndrime të përbashkëta, por kanë dallim në implementimin e marrëveshjeve të Brukselit me Serbinë.

Sllovenia dhe Kosova kanë shumë qëndrime të përbashkëta, por një dallim është implementimi i marrëveshjeve të arritura. Në mes të tyre është edhe formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Mirëpo, presidentja Osmani tha se marrëveshja për asociacionin bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Ajo marrëveshje bie ndesh me rendit kushtetues të Kosovës. Ne do të respektojmë vendimin e kushtetueses. Lista e marrëveshjeve që nuk ka zbatuar Serbia është shumë e gjatë”, tha ajo

​Osmani: Lista Serbe përfaqëson interesat kriminale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu është kundërpërgjigjur Listës Serbe, e cila e quajti të padëshirueshme në veri.

Osmani tha se Lista Serbe është shndërruar në përfaqësim të interesave kriminale.

Ajo tha se qytetarët serbë në Kosovë nuk duhet të bien pre e propagandës së tyre.

Këto komente i bëri në konferencën për medie me presidentin slloven, Borut Pahor.

Osmani po ashtu shprehu mbështetjen për vendimin e Shqipërisë për ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike me Iranin.

Osmani, Listës Serbe: Unë jo veç presidente, por jam edhe Komandante Supreme e ushtrisë në të cilën ka edhe serbë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur Listës Serbe të cilët deklaruan se paralajmërimi i saj për vizitë në veri paraqet provokim.

Osmani tha se Lista Serbe më së paku është përfaqësuese e interesave të serbvë të Kosovës, teksa shtoi se ajo jo vetëm që është presidente e vendit, por edhe Komandante Supreme.

“Unë jo që vetëm jam presidente e Kosovës, e të gjithë qytetarëve pa dallim, por jam edhe Komandante Supreme e Ushtrisë së Kosovës e cila në mesin e saj edhe shqiptarë, serbë, turq e të komuniteteve të tjera”, është shprehur Osmani, njofton Klankosova.tv.

Ajo tutje tha se këto ditë, qytetarët serbë në Kosovë po kërcënohen e frikësohen nga strukturat ilegale serbe.

“Ata s’frikësohen nga unë por nga udhëheqësit e organizatave kriminale të cilët i kanë bllokuar dhe po i mbajnë peng në mënyrë që të krijohen tensione në stilin e Putinit”.

“Prandaj, edhe një herë i ftojë të gjithë qytetarët serbë në Kosovë që të mos bien pre e propagandës që burimin e ka në Rusi dhe tek njerëzit që i takojnë të kaluarës së Millosheviqit”, është shprehur Osmani, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ajo tha se qëllimi i Listës Serbe është tensioni e dhuna, ku shtoi se për të gjithë ata që synim e kanë tensionin e dhunën, përgjigja e institucioneve të Kosovës është sundimi i ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat