Mimoza Kusari-Lila pohon se është çuditur nga ikja e Doarsa Kicës

Aktuale

Mimoza Kusari-Lila pohon se është çuditur nga ikja e Doarsa Kicës

Më: 9 shtator 2022 Në ora: 01:01
Mimoza Kusari Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila duke folur për largimin e deputetes Doarsa Kica- Xhelili nga Lista Guxo, e cila është pjesë e GP të LVV-së në Kuvendin e Kosovës, ajo  tha se janë dy rrethana të ndryshme, për atë çka ka përfaqësuar fitorja e 14 shkurtit dhe programi e mesazhi, e në veçanti rrethanat që e karakterizojnë formimin e Listës Guxo, tash partisë Guxo.

Kusari Lila u shpreh se presidentja Vjosa Osman, si ish anëtare e LDK-së, ka kaluar nëpërmjet një procesi goxha dramatik në raport me rolin e saj.

“Pastaj me përjashtimin e saj në qershor të vitit 2020 me mbledhje nga partia, e cila është ftuar për ta përjashtuar një anëtare, diçka e paparë më herët. Kur zonja Osmani ka marrë guximin për të formuar Listën Guxo, të gjithë këta kanë qenë në njëfarë forme ata që janë munduar ta ndalojnë”, tha deputetja Mimoza Kusari Lila.

Sipas saj, Osmani ka shërbyer si shembull edhe për Doarsen dhe për të tjerët, e për të gjithë ata që i kanë besuar.

“Dhe tash të ketë kthimin e një deputeteje në partinë e cila ka gjetur metodë për ta persekutuar zonjën Osmani, është absolutisht e çuditshme dhe e pa pritshme”.

Më tej, Kusari Lila e cila është edhe kryetare e “Alternativës”, parti që është pjesë e LVV-së, u shpreh se në rrethanat aktuale, si shefe e Grupit Parlamentar, rikujton se deputetja Doarsa Kica-Xhelili, ka mbajtur dy pozita në kuadër të Grupit Parlamentar.

“Kryetare e Komisionit për Media, Pushtet Lokal dhe Administratë dhe anëtare e Komisionit për Legjislacion. Në të dyja nuk ka pasur asnjë çështje në të cilat brenda  grupit është diskutuar dhe ka pasur mospajtime të paafrueshme ose çështje të cilat i është cenuar e drejta, d.m.th deri në këtë ditë kur ka dalë lajmi me fotografi, nuk e kemi një dorëheqje të Doarsës, zyrtarisht në Grupi Parlamentar”.

Deputetja Kusari-Lila u shpreh se si grup parlamentar, në fakt edhe si shefe e tij, e ka kontaktuar në rastin e parë kur ka dalë njoftimi për tërheqjen e saj nga Partia Guxo.

“Më ka thënë se do të ketë informacione me kohë edhe kryeministri edhe presidentja në kuptimin e informatës si ish bashkëpunëtorë dhe se do të më informojë drejtpërdrejtë për pozicionin e saj në Grupin Parlamentar”, shpjegoi Kusari-Lila.

Ajo tregon se më pas e ka ftuar në një takim dhe më nuk e lajmëron se nuk mund të vijë.

“Unë i kërkoj informacione kur prapë del lajmi se do të kalojë në LDK dhe ajo nuk më përgjigjet. Kjo ka qenë dhe heshtja e saj ka vazhduar me të gjithë anëtarët e Grupit Parlamentar”, u shpreh Kusari-Lila, sipas së cilës, nuk është se ka pasur çështje të pazgjidhur apo konflikte të hapura, apo diçka të kësaj natyre.

“Ende çudia më e madhe është fakti se po flasin për orientim politik i cili disi po bie në kundërshtim me vet kauzën dhe me vet programin e nisur të Listës Guxo, në këtë rast dhe fillet e para të Listës Guxo, në raport edhe me ish udhëheqësen e saj”.

“Të  gjitha të tjerat tashmë do të mbeten për votuesit”, tha Kusari Lila.

Ajo u shpreh se nuk ka pasur “gozhdim” për Doarsen për aderimin e saj në një parti tjetër .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat