Procesi i Berlinit me 3 nëntor, takim i mundshëm Kurti-Scholz-Vuçiq

Aktuale

Procesi i Berlinit me 3 nëntor, takim i mundshëm Kurti-Scholz-Vuçiq

Më: 9 shtator 2022 Në ora: 06:48
Olaf Scholz dhe Albin Kurti

Janë ende edhe disa muaj përpara, por përgatitjet kanë nisur. Madje, ka kohë edhe tetë javë, por kjo nuk do të thotë që Berlini zyrtar të mos fillojë përgatitjet për mbajtjen një takimi.

Në fakt, ky takim për Gjermaninë, mund të jetë një nga shumë të tillë, por për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën, është vetëm një si ky. Bëhet fjalë për Procesin e Berlinit. 

Në një takim të tillë, kontaktet mes liderëve të këtyre vendeve janë të pashmangshme. Aq më tepër kur vetë takimi u kushtohet këtyre shteteve. 

Sidoqoftë, media ka pyetur në Qeverinë e Gjermanisë mbi mbajtjen e Procesit të Berlinit. 

Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet me 3 nëntor në Berlin”, thanë në përgjigje me shkrim, nga Zyra për Media në Qeverinë e Gjermanisë.

Një takim të tillë e ka deklaruar kancelari Olaf Scholz, javën e kaluar në një konferencë për media gjatë qëndrimit të tij në Pragë (Çeki)”, shpjegojnë nga Qeveria gjermane. 

Ndërkohë, ditëve të fundit, ka pasur raportime nga disa media në rajon, se pritet të mbahet një takim trepalësh mes kancelarit Scholz,  kryeministrit kosovar, Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

Sipas këtyre raportimeve,  të bazuar në burime të paidentifikuara, një takim të tillë do të ketë, por dilema është nëse do të mbahet para takimit në kuadër të Procesit të Berlinit apo pas tij.Në lidhje me këtë çështje, RTKLive ka kërkuar sqarime nga Qeveria e Gjermanisë, përkatësisht zyra e kancelarit Olaf Scholz.

Nuk ka takime të tjera si ato që përmendët ju, për të cilat mund t'ju konfirmoj në këtë moment”, deklaron Qeveria e Gjermanisë për rtklive, duke kërkuar mirëkuptim.

Kërkojmë mirëkuptimin tuaj sepse ne nuk mund të parashikojmë përmbajtjen e bisedimeve”, shkruan në përgjigje, pasi media pyeti për temat që mund dhe pritet të diskutohen.

Ndërkohë, sot ën Kosovë pritet të mbërrijë emisari special për bisedimet Kosovë-Serbi, sllovaku Miroslav Lajçak, i cili për herë të parë do të ketë në krah edhe dy këshilltarët e caktuar për këtë çështje, njëri nga kancelari gjerman, Scholz dhe tjetri nga presidenti francez, Macron.

Ata pritet të takohen me kryeministrin Albin Kurti kurse pas Kosovës, do të udhëtojnë drejt Serbisë, ku pritet të takohen me presidentin e vendit fqinj, Vuçiq.

Aktualisht, të interesuar për këtë pjesë të Ballkanit, me të emëruar specialë, janë BE-ja, SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Greqia e së fundi edhe Sllovenia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat