Tentuan ta vrasin Gazmend Halilajn/ Edhe sot dështon gjjykimi ndaj të akuzuarve - kjo është arsyeja

Aktuale

Tentuan ta vrasin Gazmend Halilajn/ Edhe sot dështon gjjykimi ndaj të akuzuarve - kjo është arsyeja

Më: 9 shtator 2022 Në ora: 14:00
Pamje nga atentati që iu bë Gazmend Hlilajt

Në mungesë të anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Adnan Isufi, si dhe dëshmitarëve Taulant Prenku dhe Avni Gjinovci, ka dështuar të mbahet gjykimi për tentim vrasjen e Gazmend Halilajt.

Në këtë rast, Xhelal Zeqiri dhe Ibrahim Lushtaku po akuzohen për tentim vrasjen e avokatit Halilaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së premtes, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Alltëne Murseli ka thënë se anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Isufi mungon, pasi që i njëjti gjendet jashtë vendit në udhëtim zyrtar.

Ndërsa, lidhur me mungesën e dëshmitarëve Prenku dhe Gjonovci, ka thënë se të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Pas kësaj, i dëmtuari Halilaj ka thënë se procesi gjyqësor është duke u zvarritur për shkak se në çdo seancë mungon dikush edhe pse paraprakisht ka qenë i njoftuar.

Kurse, për dëshmitarët që mungojnë pa asnjë arsyeje, sipas tij nuk aplikohet dispozita e cila është shumë e qartë për personat që zvarrisin procedurën.

Meqenëse nuk kishte kushte për mbajtjen e gjykimit, seanca e radhës është caktuar për 11 tetor 2022.

Gjykatësja Murseli ka deklaruar se për seancën e radhës gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj dy dëshmitarëve.

Ndryshe, në këtë rast i akuzuari ka qenë edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili pasi ka pranuar fajësinë është shpallur fajtor për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj përmes një shkrimi në Facebook dhe u dënua me 2 mijë euro gjobë.

Më 28 tetor 2020, Lushtaku si dhe i akuzuari Zeqiri e kishin pranuar fajësinë vetëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, derisa ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë.

Ibrahim Lushtaku nuk e kishte e pranuar fajësinë as për veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë.

Sipas aktakuzës, pasi që avokati Gazmend Halilaj kishte bërë një shkrim në rrjetin social “Facebook”, më 11 prill 2020, kundër Sami Lushtakut, kushëriri i këtij të fundit, Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes dhe në bashkëkryerje edhe me të akuzuarin Zeqiri, më 14 prill 2020, ia kishin zënë pritën Halilajt.

Në aktakuzë thuhet se me të parë Halilajn, i akuzuari Ibrahim Lushtaku me dashje që ta privojë nga jeta e ka goditur fuqishëm veturën e të dëmtuarit Halilaj, ashtu që në këtë moment ky i fundit kishte dalë nga vetura dhe kishte filluar të ikë.

Sipas aktakuzës, edhe të akuzuarit Lushtaku dhe Zeqiri kishin dalë pastaj nga vetura dhe kishin shtënë me armë në drejtim të Halilajt por nuk kishin arritur ta godasin.

Me këto veprime, prokuroria i akuzon Ibrahim Lushtakun dhe Xhelal Zeqirin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë.

Për shkak se i kishte shkaktuar dëme në lartësi prej 2 mijë e 700 euro veturës së të dëmtuarit Halilaj, Ibrahim Lushtaku akuzohet nga prokuroria edhe për veprën penale të “asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë”.

Po ashtu, Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri akuzohen edhe se në kundërshtim me ligjin për armët kanë mbajtur armë pa leje. Lushtaku akuzohet se ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Ekol”, kurse Zeqiri një armë të tipit “Cervena Zastava”.

Me këtë, të dy këta akuzohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat