Petritsch: Një shkallë e caktuar autonomie është e nevojshme për serbët në Kosovë

Aktuale

Petritsch: Një shkallë e caktuar autonomie është e nevojshme për serbët në Kosovë

Më: 9 shtator 2022 Në ora: 15:27
Wolfgang Petritsch

Ish-ndërmjetësuesi evropian për Kosovën dhe ish-shefi i BE-së në negociatat në Rambuje, Wolfgang Petritsch e ka cilësuar si sinjal pozitiv angazhimin e dy këshilltarëve në dialog nga ana e Francës dhe Gjermanisë.

Petrisch tha se ky zhvillim është shenjë se situata po shihet me seriozitet dhe me shkallën e frikës për një konflikt në zemër të Evropës.

“Për mendimin tim, qasja nuk duhet të jetë dogmatike, si në të kaluarën, por të synojë normalizimin e marrëdhënieve për një jetë më të mirë të qytetarëve”, thotë Petritsch në një intervistë për Kosovo Online, me rastin e emërimit të këshilltarëve specialë nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, të cilët vizitojnë sot Prishtinën dhe Beogradin së bashku me Lajçakun.

“Më duhet të them se ardhja e të dërguarit është një sinjal se Serbia është një vend i rëndësishëm dhe kyç në Ballkanin Perëndimor, pa të cilin nuk mund të arrihet asnjë zgjidhje”, tha ai.

Diplomati austriak, u shpreh se beson që një shkallë e caktuar e autonomisë është e nevojshme për serbët në Kosovë.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është padyshim një nga gjërat më të rëndësishme që duhet zgjidhur për të arritur një zgjidhje të përhershme. Ka disa arsye për këtë, praktike dhe simbolike. Nga ana praktike, është shumë e arsyeshme dhe e kuptueshme që në kontekstin historik të situatës, serbët në Kosovë duan të kenë autonomi dhe vetëqeverisje. Është gjithashtu e kuptueshme që pala serbe në dialog insiston në zbatimin e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare të kahershme para se t’i bëjë lëshime të tjera palës tjetër. Përveç kësaj, fakti që kjo nuk është zgjidhur për një kohë të gjatë e ka ngritur çështjen në një rëndësi simbolike, të cilën Serbia mund ta vërë në dukje duke treguar se Prishtina nuk është e gatshme për kompromis. Nga ana e Prishtinës, ekziston një shqetësim i kuptueshëm se zbatimi i plotë i Asociacionit mund të çojë në stagnim dhe mosfunksionim administrativ – Bosnja dhe Hercegovina shpesh përmendet si shembull. Unë personalisht besoj se një shkallë e caktuar autonomie është e nevojshme dhe e rëndësishme dhe është treguar se funksionon. Bosnja dhe Hercegovina nuk duhet të jetë një shembull – ne mund të shikojmë Tirolin e Jugut si një shembull ku autonomia në një mjedis pas konfliktit funksionoi si një rrugë drejt marrëdhënieve paqësore ndëretnike. Pra, jam i bindur se Marrëveshja e Brukselit duhet të zbatohet për t’iu afruar një zgjidhjeje të përhershme, por se kur do të arrijnë palët është e vështirë të parashikohet”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat