Haziri: Qeveria dhe sindikalistët ta gjejnë mesin e artë

Aktuale

Haziri: Qeveria dhe sindikalistët ta gjejnë mesin e artë

Më: 14 shtator 2022 Në ora: 00:32
Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se ky subjekt është ruajtur për ta mos politizuar çështjen e grevës në arsim, teksa ka kërkuar nga të dyja palët që ta gjejnë mesin e artë për t’i dhënë fund grevës dhe kthimit të nxënësve në shkolla.

Haziri në një intervistë në “Lajmet e Fundit” në RTK, ka thënë se është bërë gabim për mos parandalimin e grevës, sepse sipas tij kanë qenë 3 muaj verë të mjaftueshme për ta parandaluar grevën.

“Jemi ruajtur si LDK mos ta lejojmë politizimin, mos me marrë pjesë në këtë zhurmë të grevës, por në parim kemi bërë presion publik, që Qeveria me u taku dhe me e zhvillu dialogun social. Organizimi sindikal është pjesë përbërëse e dialogut por u refuzua dhe çuditërisht po vazhdon të refuzohet përkundër takimit të sotshëm. Shpresojmë që takimi të sjellë rezultate sepse duhet të gjendet një mes i artë që i kënaq kërkesat e sindikalistëve dhe të kthehen fëmijët në bankat shkollore, pasi humbja është e pakompensueshme”, ka theksuar Haziri.

Aktualisht palët kanë mbetur duke I mbrojtur qëndrimet e veta. Sindikalistët kërkojnë 100 euro, derisa Qeveria ka ofruar 50 euro. Haziri nuk e sheh këtë si çështje të pazareve. “Është çështje parimore e dialogut të brendshëm, duke e nxjerrë në plan të parë kapacitetin buxhetor i cili është me mundësi për t’i mbuluar kërkesat sindikale sot sepse kemi një pako 150 milionë. Nëse është e pamundur duhet t’i thuhet sindikalistëve se ky është tavani buxhetor dhe përtej kësaj mund të na shkaktohet avari”, ka thënë Haziri.

Ai ka folur edhe për vizitën e emisarëve të presidentit francez, Macron dhe kancelarit gjerman, Scholc. Haziri ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë momentumin dhe të mos lejojë vonesa në dialog dhe në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

“Duhet ta lexojmë së pari simbolikën, sepse francezët dhe gjermanët kanë qenë armiq historik, por janë themelues të Evropës. Nuk mund të krahasohet kjo me situatën tonë, por është një simbolik. Pas zgjedhjeve të fundit roli politik i presidentit Macron është fuqizuar shumë. Në anën tjetër kancelari Scholz pas kancelares Merkel po e merr veten në lidership dhe po e nxjerr Gjermaninë në një rol të ri. Kancelari Scholz është kah e kthen vëmendjen kah Ballkani dhe kjo është shumë e rëndësishme. Roli i tij në dialog për integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor po shihet. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë momentum dhe mos të lejojmë vonesa, sepse Serbia e ka në doktrinën e politikës së jashtme ‘status-quon’ dhe vonesën”, ka theksuar Haziri.

Sipas tij Qeveria duhet të jetë shumë e përgatitur në dialog, derisa duhet ta zhvillojë edhe dialogun e brendshëm me opozitën në Kuvendin e Kosovës. Ai ka thënë se nuk duhet lejuar që autoritetet si ambasadori amerikan, Christofer Hill të na cilësojnë si jo të gatshëm për t’u përballur me specifikat e negociatave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat