Deklarohen të pafajshëm katër mjekët e akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm ndaj një 36 vjeçareje e cila vdiq në QKUK

Aktuale

Deklarohen të pafajshëm katër mjekët e akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm ndaj një 36 vjeçareje e cila vdiq në QKUK

Më: 14 shtator 2022 Në ora: 13:39
Foto nga vendi i ngjarjes

Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale “Trajtm i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit Zejnullahu, Demolli, Muja dhe Sheholli, e dhanë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bashkim Zeqaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas deklarimeve të tilla, gjykatësi i rastit Avni Syla, i njoftoi të akuzuarit lidhur me të drejtën e tyre për të paraqitur kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe sipas aktakuzës së lexuar nga prokurori Zeqaj, ekziston dyshimi i bazuar që të pandehurit në cilësinë e mjekëve më 20 janar 2016 në Prishtinë, në QKUK, duke qenë të vetëdijshëm që me veprimet e tyre mund të sjellin deri te vdekja pacienten, kanë përdorur haptazi metoda të papërshtatshme të trajtimit dhe në atë rast kanë shkaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore së të dëmtuarës, tani të ndjerës S.F nga Prishtina.

Tutje sipas aktakuzës, e pandehura e parë Vjosa Zejnullahu nuk ka kërkuar mendimin e mjekëve të tjerë për të vendosur nëse e dëmtuara duhet të trajtohet fillimisht me urgjencë apo terapi intensive, ajo ka dëgjuar ankesën e pacientes për reagimin ndaj transfuzionit të gjakut dhe kanë vazhduar me dhënien e gjakut gabimisht.

Gjithnjë sipas aktakuzës së lexuar nga prokurori, e njëjta duke anashkaluar konsultimin me tranfuziologun, kur ajo e ka dërguar pacienten në qendrën urgjente nuk ka dërguar edhe qesen me gjak, për të parë cili gjak i është dhënë të dëmtuarës duke ditur faktin që ka grupe të ndryshme të gjakut, por e shkatërroi si provë kryesore në këtë rast.

Tutje, thuhet se i pandehuri i dytë Selman Demolli dhe e pandehura e tretë Myzeine Muja nuk kanë vepruar sipas protokollit standard për trajtimin e pacientit sepse nuk kanë dhënë rekomandime për konsultim me transfuziologun, pasi që të dëmtuarës i është keqësuar gjendja dukshëm gjatë marrjes së gjakut, në atë mënyrë të gjithë ata nuk kanë marrë veprime për trajtimin e pacientes me anti-reaksion, pastaj dhanë konkluzione të gabuara duke vendosur që në vend që të thërrasin për konsultë transfuziologun, e kanë thirrë neurologun-të pandehurin e katërt Bashkim Shehollin.

Në aktakuzën e lexuar nga prokurori, thuhet se i pandehuri i katërt Bashkim Sheholli nuk ishte mjek kompetent për këtë rast, por urdhëroi diçka tjetër që nuk ishte në përputhje me protokollin duke rekomanduar edhe të bëhet CT e trurit të pacientit, duke e anashkaluar konsultë me transfuziologun.

Gjithnjë sipas aktakuzës së lexuar nga prokurori, të gjithë si ekip nuk kanë rekomanduar mbajtjen e qeses me gjak të cilën e ka marrë e dëmtuara, për analiza të mëtejshme ku në këtë rast gjendja përkeqësohet dhe ndodh vdekja e të dëmtuarës, të ndjerës S.F.

Në këtë rast, secili prej tyre akuzohet se ka kryer vepër penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 260, par. 4 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat