Ndërpritet seanca/ Përplasje të forta mes pozitës dhe opozitës në Kuvend

Aktuale

Ndërpritet seanca/ Përplasje të forta mes pozitës dhe opozitës në Kuvend

Më: 15 shtator 2022 Në ora: 07:25 Përditësuar në ora: 15:53 më 15.09.2022
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi ndërpret punimet, shkak përmbyllja e Javës së Gruas

Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë seancën për shkak se në ora 16:00 Instituti Kombëtar Demokratik mban konferencën përmbyllëse të Javës së Gruas me mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.

Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se kjo seancë do të vazhdojë javën e ardhshme.

​Abdixhiku e quan Kurtin kopshtar në luftë, e luftëtarë në kopsht

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti dhe e ka kritikuar atë kur foli para deputetëve për pakon e re për përballje me inflacionin dhe për mbështetjen e qytetarëve.

Deputeti Abdixhiku e ka quajtur kryeministrin Kurti kopshtar në luftë, e luftëtar në kopsht.

Madje, ai tha se Kurti është dorëzuar dhe i ka çuar duart prej këtij vendi.

Abdixhiku: Kurti të jep përshtypjen se është një kopshtar në luftë

“Kur dëgjova kryeministrin kuptova që ai është dorëzuar. Albin Kurti është i dorëzuar, i ka çuar duart. Ai s’i besonte as vet masave e politikave që po i lexonte këtu në seancë, dhe më jep përshtypjen se është një kopshtar në luftë, e një luftëtar në kopsht. Pra, kur gjërat janë qetë merr zemër si luan, por na bëhet një kopshtar kur është gjithandej i rrethuar me kriza. Pra, përtej paranojës që e kishte, s’e armiqtë e padukshëm iu kanë bërë bashkë për ta rrëzuar, e siç ju thash më shpesh e përmendin këtë rrëzimin se sa ne, mendoni këtë gjë pak”, tha ai. 

​Kurti për grevat: Komplet opozita po e mbështetë, po shihet se çështja është diku tjetër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur shantazh dhe kërcënim kërkesën e SBAShK-ut për 100 euro deri në hyrjen fuqi të Projektligjit për paga.

Ai para deputetëve të legjislativit, tha se dizajnimi i kësaj kërkesë është i papranueshëm, madje tha se 50 eurot e ofruara nga ekzekutivi janë përballje ndaj inflacionit.

Kurti: Kërkesa e SBAShK-ut është e papranueshme

“Nuk mund të thuhet që ne i mirëmbajmë në mënyrë demokratike financat shtetërore nëse një grupi të caktuar ia plotësojmë kërkesën që t’ia japim një shtesë të caktuar. S’ka rëndësi sa është ajo deri sa të bëhet projektligji për paga i plotfuqishëm. Përballje me inflacion po, ama kërcënim dhe shantazh se i dua çdo muaj kaq para deri sa të kalon projektligji, kështu nuk bënë. Ky lloj dizajnimi i kërkesës është i papranueshëm. Ai 50 euro është më i madh se sa përqindja e rritjes ekonomike kur përkthehet në pagën e mësimdhënësit fillor dhe klasor...Kjo kërkesë kaq partikulare as nuk mund të maskohet dhe gjithsesi zbulohet me shprehjet vëlla. Ndihmom si vëlla, na ndihmo të dalim prej krizës si vëlla. Ama 100 euro, nuk bën ashtu”

Gjatë debatit parlamentar për grevat në Kuvend, Kurti tha se kanë pasur mbi 30 takime me sindikatat dhe se dialogu social s’ka munguar.

Kurti: Dialogu social s’ka munguar

“S’ka munguar dialogu social. Me krerët e SBAShK-ut takohet ministrja e arsimit, me krerët e BSPKS-së jam takuar unë dhe të gjitha degët sindikale kanë takuar ministrat përkatës. Takimin e fundit që pata nuk ishte me ndonjë degë të sindikatës, por këshillin grevist, i cili ka ardhur me iniciativë timen. Pra s’është problemi tek mungesa e komunikimin apo arrogancë ose inati. Por kemi një mospajtim themelor, pasi unë jam i bindur që në këtë krizë duhet të dalin përmes pakos që mundëson përballje me inflacion dhe jo përmes kërkesave partikulare deri sa të votohet Projektligji për pagat, i cili që nga sot është në diskutim publik” , tha ai.

Ai tha se s’ka inat dhe hatërmbetje me asnjë sindikalist, derisa s’ka pasur asnjë marrëveshje më herët me sindikatat.

Por theksoi se marrëveshje më herët kanë pasur opozitarët e tanishëm sa kanë qenë në pushtet.

Ai shprehu dyshimet e tij për mbështetjen opozitare karshi grevës.

Kurti: Komplet opozita po e mbështet grevën

“S’ka dilema se mbështetja opozitare për grevën tregon se çka bëhet fjalë. Vetëm që të sulmohet qeveria ka mos kokëçarje për shtetin. Pak a shumë është mënyra e njëjtë me ato të 30 për qind të Trustit. Këtu po shihet se çështja është diku tjetër. Komplet opozita e mbështet grevën dhe për bindjen time nuk është e rastësishme që bartës i këtij mocioni është deputeti më shurdhues”, theksoi ai.

Pas fjalimit të tij, kreu qeveritar lëshoi sallën plenare.

Kurti ‘godet’ sindikatat: Kështu nuk bën - i dua kaq para për çdo muaj!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se deri tani janë zhvilluar mbi 30 takime me përfaqësuesit e sindikatave.

Gjatë fjalës së tij në seancën e parë plenare për sesionin vjeshtor, kreu i qeverisë tha se dialogu nuk ka munguar, dhe problemi nuk është tek mungesa e komunikimit, arrogancës apo inateve, por siç tha ai, ka një mospajtim themelor.

“Me përfaqësuesit e sindikatave kemi pasur takim dhe komunikim të vazhdueshëm, janë zhvilluar mbi 30 takime. Dialogu nuk ka munguar, as bashkëbisedimi. Me krerët e SBAShK-ut takohet ministrja e Arsimit, me krerët e BSPK-së, jam takuar unë dhe të gjitha degët sindikale kanë takuar ministrat përkatës. Takimin e fundit që e pata s’ishte me ndonjë degë të sindikatës apo me BSPK-në, por me këshillin grevist. Unë i kam ftuar unë dhe kanë ardhur. Pra nuk është problemi të mungesa e komunikimit dhe të kurrfarë arrogance ose inati, por kemi një mospajtim themelor sepse unë jam i bindur që në këtë krizë duhet të dalim përmes pakos që mundëson përballjen me inflacionin e jo përmes kërkesave partikulare deri të votohet projektligji për Pagat. S’mund të thuhet që ne i  mirëmbajmë në mënyrë demokratike të ligjshme dhe të shëndetshme financat shtetërore nëse një grupi të caktuar ia plotësojmë kërkesën që t’i japim një shtesë të caktuar deri të bëhet projektligjit për paga”.

“Përballje me inflacion po, mirëpo kërcënim apo shantazh – i dua kaq para për çdo muaj deri të kalojë projektligji kështu nuk bën, ky lloj dizajnimi i kërkesës është i papranueshëm. Ai 50 euroshi është më i madh sesa përqindja e rritjes ekonomike kur përkthehet në pagën e mësimdhënësit. Ne i kemi marr për bazë të gjitha kërkesat jo vetëm të një sindikate dhe jemi përpjekur t’i akomodojmë në projektligjin që është në diskutim publik”, tha kryeministri.

Kurti tutje tha se me projektligjin për Pagat janë përkujdesur që të bëjnë trajtim të barabartë për mësimdhënësit.

“Kemi paraparë shtesa për mësimdhënësit në bazë të kualifikimit dhe në të njëjtën kohë kërkesat e sindikatës janë adresuar. Kemi trajtuar edhe çështjen e mësimdhënësve me 180 kredi, do të vazhdojmë mbështetjen për ngritjen profesionale të mësimdhënësve”.

​AAK: Qeveria është duke e ndarë popullin, “Kush është me Albin Kurtin e kush me Rrahman Jasharaj”

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se Qeveria e Kosovës nuk është unike, sipas tij ka është po e ndan popullin se “kush është me Albin Kurtin e kush është me Rrahman Jasharaj.

Deputeti Tahiri tha se qëllim tjetër është me i përçarë sindikatat të cilat nuk ka mundur kryeministri Kurti ende me i kap ashtu sikur që ka vepruar me bordet e ndërmarrjeve publike dhe të agjencive të pavarura.

Tahiri: Qeveria është duke e ndarë popullin dhe përçarë sindikatat

“Gjithandej globit shohim shtete dhe qeveri që kanë marrë masa për t’u ballafaquar me krizat, qeveria jonë është e zënë me shpërfaqjen e pa shembullt të një arrogance, dhe për më keq për prodhimin e krizave një pas një. Sot jemi duke folur për një krizë serioze, e cila lidhet me fëmijët tanë dhe e cila e kërkon një zgjidhje. Kjo papërgjegjësi e qeverisë tashmë po e thellon krizën në çdo aspekt, në mirëqenien sociale, në fëmijët që nuk mund të shkojnë në çerdhe, në shkolla dhe mbi të gjitha është duke na e ndarë popullin, se kush është me Albin Kurtin e kush është me Rrahman Jasharaj. Dhe kjo nuk është tema që ne duhet ta kemi… Qëllimi politik është me i përçarë sindikatat të cilat nuk ka mundur me i kap qysh i ka kap bordet”, theksoi ai.

Tahiri tha se sindikatat nuk po bëjnë pazare, por qeveria, sepse është duke ofruar nga 50 euro për punëtorët dhe duke zvarritur miratimin e Ligjit të pagave.

​Nagavci: Udhëheqësit e SBAShK-ut kanë injoruar gjitha kërkesat dhe nuk dëshirojnë kompromis

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavaci, ka kritikuar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit (SBASHK), se nuk dëshiron kompromis dhe se po injoron të gjitha zgjidhjet e ofruara nga Qeveria e Kosovës.

Gjatë debatit parlamentar për grevat në Kuvend, Nagavci tha se dialogu me sindikatat s’ka munguar asnjëherë.

Nagavci: Udhëheqësit e SBAShK i kanë injoruar të gjitha kërkesat dhe nuk dëshirojnë kompromis

“Udhëheqësit e SBAShK i kanë injoruar të gjitha këto dhe nuk konsiderojnë as mundësinë më të vogël të kompromisit. Ndryshe nga të gjitha praktikat sindikatave të rajonit dhe Evropës dhe ndryshe nga praktikat me qeveritë e mëhershme”, tha ajo.

Ministrja Nagavci tha se Qeveria ka bërë disa lëvizje duke plotësuar kërkesat e mësimdhënësve, duke ofruar edhe 50 euro deri më miratimin e Projektligjit për paga, i cili sot ka dal në konsultim publik.

Nagavci: Dialogu s’ka munguar asnjëherë

“Dialogu s’ka munguar asnjëherë, me dhjetëra takime të mbajtura, dhjetëra orë diskutimi me kryesinë e SBAShK- dhe mësimdhënës për të adresuar gjitha kërkesat e drejta të tyre, për të adresuar gjitha problemet që ne jemi të vetëdijshëm që kanë ekzistuar në arsim. Vlerësoni si vështirësohet situata me paralizimin e tërësishëm të shkollave dhe kopshteve publike si rezultat i grevës”, shtoi ajo.

​Krasniqi-Kurtit: Gjej zgjidhje me sindikatat, mos u barrikado

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të gjej zgjidhje me sindikatat për grevat dhe jo të jetë bllokues.

Lideri opozitar, në seancën e sotme të Kuvendit, tha se kreu qeveritar nuk duhet të sillet si Don Kishoti duke krijuar armiq imagjinarë.

Krasniqi: Gjej zgjidhje me sindikatat, mos u barrikado

“Po ju kërkojë dhe po ju them se duhet të zgjidhësh nyjën që ke bërë edhe vet. Kështu ecet përpara duke bërë zgjidhje dhe jo duke bërë bllokada. Unë e kuptoj se kërkesat që janë në grevë janë jashtë planifikimeve që ti ke bërë. Por, po ashtu ti e din shumë mirë se gjërat dhe situatat e tilla ndodhin, na kanë ndodhur edhe neve kur kemi qenë në qeverisje, kjo është normale. Veçmas kur kategoritë e caktuara shoqërore nuk e përballojnë koston e jetesës me pagat që i marrin. Sindikatat historikisht kanë qenë aleat me ty se me neve kur kemi qenë bashkë... Në vend që në fokus ta vendosje problemin ti e ke vendosur Rrahman Jasharin duke u treguar i fuqishëm para tij... Gjej zgjidhje ne do të mbështesim, por e ndjej mos u sill si Don Kishoti duke luftuar me mullinjtë e erës duke krijuar armiq imagjinarë të cilët realisht nuk i ke”, ka thënë ai.

​PDK: Një kuvend i hapur e shkollat e mbyllura nuk është fotografia që e duam

Në debatin parlamentar për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se një Kuvend i hapur e shkollat e mbyllura nuk është fotografia e duhur për vendin.

Tahiri: Një kuvend i hapur e shkollat e mbyllura nuk është fotografia që e duam

“Qytetarët që na shohin sot në këtë debat, mund të kenë pikëpamje të ndryshme dhe emocione të përziera, por të gjithë e kanë një hall të përbashkët. Fëmijët i kanë në shtëpi në vend se me i pasur në shkollë. Kolegë një kuvend i hapur e shkolla të mbyllura nuk është fotografia që e duam për Republikën tonë. Sepse një pamje të tillë do të duhej ta kishim fuqinë që ta parandalonim”, tha ai.

Tahiri tha se kjo është java e tretë që nxënësit nuk shkojnë në shkolla dhe pjesa më e madhe e administratës shtetërore vazhdon grevën. 

​Kuvendi miratoi tri Projektligje për FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes

Deputetë e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar plotësim-ndryshimet e tri projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Përkrahje këtyre projektligjeve i dhanë edhe grupet parlamentare opozitare.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se këto ndryshime dhe plotësime të projektligjeve janë në përmbushje të detyrave dhe objektivave që ka FSK-ja.

Mehaj: Këto ndryshme dhe plotësime janë bërë në koordinim të plot me partnerët tanë ndërkombëtar

“Shqyrtimi dhe miratimi i këtij projektligji është i nevojshëm për krijimin e bazës ligjore, lidhet me të drejtat dhe obligimet për pjesëtarët e FSK-së, gjithashtu ky ligj do të jetë në funksion të përmbushjes së detyrave dhe objektivave që ka FSK-ja. Vlen të theksohet se këto ndryshme dhe plotësime janë bërë në koordinim të plot me partnerët tanë ndërkombëtar”, tha ai.

Deputetët miratuan Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes.

​LVV: Qeveria bëri disa lëvizje me qëllim të përmbushjes së kërkesave sindikale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka bërë disa lëvizje me qëllim të përmbushjes së kërkesave sindikale.

Gola, në debatin parlamentar për grevat sindikale në Kuvend, tha se ekzekutivi nuk është barrikaduar karshi sindikatave, por ka ofruar pwr zgjidhjet.

Gola: S’ka barrikadim nga Qeveria Kurti

“Shpesh herë po dëgjoj se qeveria Kurti është barrikaduar, s’ka lëvizje, por përbesë kjo është duke prodhuar një inflacion të fjalëve. Nuk ka barrikadim, unë nuk mundem me kuptu qysh munden me u quajt barrikadim, kur Qeveria Kurti ka bërë disa lëvizje me qëllim të përmbushjes së kërkesave sindikale. Ka qenë kërkesë që të sigurohet një garanci financiare për mësimdhënësit me sëmundje kronike, janë ndarë 1.7 milionë euro. Ka qenë kërkesë që mësimdhënësit që po rezultojnë si tepricë për shkak të pakësimit të numrit të nxënësve t’iu ofrohet një mbështetje financiare që t’i ruhet një ekzistencë e dinjitetshme. Më pastaj është hartu edhe udhëzimi administrativ që rregullon statusin e mësimdhënëseve për marrëdhënie pune mbi 10 vite. Është e qartë se edhe kërkesa që është themra e akilit që është 100 euro. Praktikisht kjo kërkesë është dhënë nën supozimin që do tatohet. 50 eurot e ofruara nga qeveria Kurti është e patatimueshme, nëse t’i e largon tatimin mbet 80 euro dhe anën tjetër 50 eurot e ofruara nga qeveria. Pra jemi në një relacion konstruktiv sa i përket qeverisë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat