Ambasadori Berishaj vjel rrush e pi verë me presidentin kroat

Aktuale

Ambasadori Berishaj vjel rrush e pi verë me presidentin kroat

Më: 15 shtator 2022 Në ora: 17:24
Martin Berishaj

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, po vazhdon shërbimin në misionin diplomatik të Kosovës në Zagreb.

Berishaj ka marrë pjesë në “Vjeljen Diplomatike” në Kroaci e organizuar për shefat e misioneve diplomatike.

Ambasada e Kosovës në Zagreb ka shpërndarë fotografi nga ngjarja, ku ambasadori Berishaj vjel rrush dhe pi verë me presidentin kroat Zoran Millanoviq.

“Presidenti i Republikës, Zoran Millanoviq, si mikpritës, mori pjesë në “Vjeljen Diplomatike” në Pleshivicë, vjelje e rrushit e organizuar për shefat e misioneve diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare të akredituar në Republikën e Kroacisë. Organizator i vjeljes është qyteti Jastrebarsko, kurse “Vjelja diplomatike” e shtatë në Jaskë u zhvillua në vreshtin e familjes Tomac në Pleshivicë”, njofton ambasada e Kosovës në Zagreb.

Më 21 prill 2022, mediumi slloven “Planet TV” raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluar si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.

Berishaj supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Në anën tjetër, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kishte mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka bartur para ‘cash” rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat