Pse Ismet Haxha ishte cak i një atentati të planifikuar?! / Kush po e kërkon kokën e tij dhe pse?

Aktuale

Pse Ismet Haxha ishte cak i një atentati të planifikuar?! / Kush po e kërkon kokën e tij dhe pse?

Nga: I. M. Më: 19 shtator 2022 Në ora: 16:21
Ismet Haxha, ish-epror në SHIK

Ismet Haxha, një nga njerëzit me shumë ndikim në SHIK, por edhe një emër i frikshëm jo vetëm në rajonin Mitrovicë-Vushtrri, por edhe më gjer, ka rezultuar se ka qenë një cak i mundshëm për atentat.

Informacioni është dhënë sot, kur u publikua lajmi nga mediumi në Shqipëri A2, sipas të cilave informacione, fillimisht do të qëllohej për vdekje Ismet Haxhai, një njeri që ka punuar në SHIK.

Shënjestra e dytë, pas një muaji, sipas atij plani ishte vrasja e Xhavit Halitit, aktualisht deputet i PDK-së, dhe që shumë gjatë është konsideruar si udhëheqësi në hije i PDK-së. Kjo vrasje duhej të ndodhte sipas planifikuesve, në mënyrë që të shihej si një konflikt i brendshëm, ‘larje hesapesh’ dhe në këtë kontekst, që vrasja e dytë të dukej si hakmarrje.

Ndërsa, për t’i dhënë vulë planit për destabilizim, ishte planifikuar vrasja kryesore, pas rreth 4 muajve nga fillimi i planit, e kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit.

Sipas komunikimit dhe dëshmisë së ofruar është e qartë se policia e Kosovës, njësia antiterror ka qenë e informuar.

Qeveria e Kosovës po ashtu e ka konfirmuar se ka qenë në dijeni Kryeministri për përpjekjet.

Po ashtu edhe i apostrofuari i parë, Ismet Haxha e ka konfirmuar se ai e dinte të paktën 6 muaj më parë, se çfarë do të ndodhte, pasi sipas tij e kishte informuar AKI-ja dhe policia e Kosovës. Megjithëse duket pak paradoksale, pse duhej ta informonte AKI-ja Ismet Haxhen, por kjo ka mundur të ndodhte për shkak se Haxha, siç e cilëson informacioni ishte me ndikim në SHIK, kështu, që jo pak informator apo bashkëpunëtorë të SHIK-ut janë në atë shërbim.

Ismet Haxha nuk bën pjesë në njerëzit me një të kaluar të ndritur ligjore. Ai përveç se konsiderohet një luftëtar i UÇK-së, është akuzuar pikërisht se gjatë luftës ka kryer akte dhune, por që gjykata nuk gjeti prova të mjaftueshme për ta dënuar.

Por, sipas një informacioni të botuar, gjatë luftës, ai i kishte shpëtuar tre shqiptarë nga pushkatimi nga forcat serbe.

Haxha ishte i akuzuar në procesin Drenica 1 dhe Drenica 2, për cenim të integritetit trupor të një femre shqiptare.

Sipas akuzave të prokurorisë speciale, Ismet Haxha akuzohej se “kishte kryer krime të luftës kundër popullatës civile duke cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e Dëshmitares A, duke torturuar Dëshmitaren B dhe duke i trajtuar në mënyrë çnjerëzore dëshmitaret A dhe B”.

Gjykata, “asnjë prej provave nuk i ka ndërlidhur në mënyrë të bindshme këta dy të pandehur me këto vepra”.

Ismet Haxha, po ashtu ishte një nga të arratisurit nga QKUK-ja, si i paraburgosur, në të njëjtin proces me Sami Lushtakun dhe Sahit Jasharin.

Ismet Haxha, Sahit Jashari e të tjerë, kanë qenë të akuzuar për keqtrajtim dhe krime lufte ndaj civilëve në Qendrën e Ndalimit në Likovc nga pranvera e vitit 1998 deri në muajt e parë të 1999-ës.

Në procesin Drenica 2, ai u shpall i pafajshëm, pasi që sipas vendimit, nuk ishin provuar akuzat në procesin Drenica 1.

Shikuar në këtë kontekst, Ismet Haxha, ia kishte hedhur paqtë dhe nuk kishte pse të frikësohej nga drejtësia.

Por, kush mund ta drejtonte gishtin ndaj tij?!

Sikur të kishte qenë vetëm ai cak, do të ishte shumë e komplikuar të hamendësohej si serioz një supozim.

Duke qenë pjesëtar i luftës, i lidhur me Kadri Veselin, a mund të ketë qenë apo të jetë kundër një grupi, që mbase po e shikon si të rrezikshëm, që mund të flasë për veprat që i kanë bërë në luftë, të patreguara dhe me pasoja apo që në ndonjë mënyrë bota e tij, sekrete apo veprimet e tij, janë të padëshirueshme për dikë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat