“Keqkuptim i medias daneze”/ Ministria e Drejtësisë flet për raportimet se Danimarka anuloi planin për burg me qira në Kosovë

Aktuale

“Keqkuptim i medias daneze”/ Ministria e Drejtësisë flet për raportimet se Danimarka anuloi planin për burg me qira në Kosovë

Nga: M.L. Më: 19 shtator 2022 Në ora: 16:34
Foto ilustrim

Gjatë ditës së sotme u raportua se plani i Danimarkës për të marrë një burg me qira në Kosovë, është pezulluar nga autoritetet në Kopenhagë.

Këto raportime erdhën pas një publikimi në median daneze “Ekstra Bladet”, sipas të cilës planet për të marrë një burg me qira me kapacitete prej 300 vendesh në Gjilan, e ku do të vendoseshin të huajt që dëbohen nga Danimarka, përkohësisht janë anuluar.

Zyra për Komunikim me Publikun e Ministrisë së Drejtësisë, e pyetur nga “Bota sot” lidhur me këto raportime, ka deklaruar se bëhet fjalë për një keqkuptim të medias aneze.

Sipas MD-së, kjo gjë do të sqarohet së shpejti nga autoritetet kompetente të Ministrisë në Danimarkë.

Lidhur me këtë çështje, ju njoftojmë se jemi në komunikim me Ministrinë e Drejtësisë në Danimarkë, dhe mesa duket gjithçka ka të bëjë me një keqkuptim nga një medie atje. Së shpejti pritet që këtë çështje ta sqarojnë autoritetet kompetente të Ministrisë në Danimarkë”, thuhet në përgjigjen e MD-së për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e pyetur sot në lidhje me këtë çështje, deklaroi se nuk ka asnjë paqartësi.

Ajo u shpreh se pas disa procedurave, kjo çështje do të kalojë, ndonëse nuk dha ndonjë afat kohor se kur mund të ndodhë dhënia me qira e burgut në Gjilan.

Ministri paraprak i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Hækkerup, nënshkroi një traktat që Danimarka mund të marrë me qira 300 vende në një burg në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat