Kush po e kërkon kokën e Albin Kurtit, Xhavit Halitit? / Grupet kriminale, rivale politike apo më keq?!

Aktuale

Kush po e kërkon kokën e Albin Kurtit, Xhavit Halitit? / Grupet kriminale, rivale politike apo më keq?!

Nga: Idriz Morina Më: 19 shtator 2022 Në ora: 19:20
Foto ilustrim Albin Kurti e Xhavit Haliti

Një rrjet hakerësh që kanë arritur të depërtojnë në të dhënat shtetërore të Shqipërisë, kanë nisur të nxjerrin në publik informacione sensibile.

Sot, vendi thuajse u godit, nga zbulimi i një plani të vrasjeve të planifikuara për ta tronditur Kosovën.

Ende asnjë e dhënë nuk është në publik, se kush mund ta kenë porositur planin.

A duan hakmarrje?!

Ky lloj plani mund të jetë i dobishëm për disa grupacione, ndonjë parti opozitare, por edhe nga ish-struktura të përbashkëta kriminale, si ish-SHIK-u dhe elementë të tij, të cilët duan hakmarrje, nën urdhrat e ish-shefave të tyre.

Por, është interesante ‘amalgama’ e emrave që vihen në shënjestër, që në parim nuk kanë asgjë të përbashkët: Ismet Haxha, Xhavit Haliti dhe Albin Kurti. I pari pas luftës veç veprimtarisë në SHIK, njihet edhe për figurën negative dhe rolet e padëshirueshme që ka ndjekur në shoqëri.

I dyti, ka probleme të theksuara me imazhin, veçanërisht për shkak të kritikave, shkrimeve të gjata dhe akuzave, që nga vitet e ‘80-ta, gjatë luftës e deri më sot.

Siç ka deklaruar edhe vet Haliti, ka qenë edhe më parë cak i përmendur apo cak i një sulmi të mundshëm ndaj tij. Po ashtu të paktën në një deklaratë Shkumbin Mehmeti, i burgosur për krime të rënda, ka deklaruar se kishte një përpjekje që ta likuidonin Halitin.

Pyetja e parë është pse që të tre deshën t’i ekzekutonin, në një periudhë 4 mujore? E vërteta është se sipas informacioneve përpjekja ka qenë që nëpërmjet këtyre vrasjeve të destabilizohej Kosova.

Në një vend ku janë kryer vrasje politike për rreth një dekadë, nuk është e pamundshme që ato të organizohen sërish. Ndërsa, vrasje të ndryshme që lidheshin po me vrasjet politike dhe të tjera kanë vazhduar deri para më pak se dy vitesh.

Meqë këso vrasje kanë ngjarë, dhe qëllimi i realizimit të tyre edhe kësaj here është politik, atëherë bëhet thuajse e padiskutueshme, që destabilizimi vjen si vullnet i politikanëve të caktuar dhe grupeve të caktuara, sigurisht se me të kaluar kriminale, sepse ndryshe as që mund të merret me mend një nismë e tillë.

Xhavit Haliti ka qenë njëri prej atyre që i ka kontrolluar apo ka pasur ndikim në mbledhjen e fondeve të “Vendlindja thërret”. Duke e ekzekutuar Xhavitin, do të konsiderohej në mënyrë të përkryer se vrasja kishte ndodhur për para!

Të tjerët do të mund të ndërtonin një pistë të dytë, se ishin hakmarrje ndërmjet grupeve, për shkak se dështuan t’i përmbushnin parimet e besnikërisë, fitimet, pozitat, ndikimet, apo se pushtetet nuk rezultuan të barabarta (ndikime proporcionale në institucione).

Duke vrarë në fund Albin Kurtin, kjo do të mund të lexohej, se kishte ndodhur si pasojë e pakënaqësisë, revoltës, se kryeministri nuk i kreu detyrat, ‘humbën figura të shquara të luftës’, dhe se për këtë përgjegjësi kryesor do të duhej të ishte Kurti.

Si rezultat vendi do të rrëshqiste shumë shpejt në kaos.

Por, a mund të ketë pasur një autoritet të jashtëm?

Sigurisht se Serbia është njëra prej shteteve që me dëshirë dhe vullnet e mirëpret këtë dhe ndihmon planin.

Po Rusia, e cila ka futur në lojë, nga 2016-ta diku 300 milionë euro për ta shtrirë ndikimin? Sigurisht se po!

Atëherë çfarë nuk dimë ne?!

Atë që nuk e dimë ne, duket se shteti nuk deshti që ta merrnim vesh ne!

Duke kryer arrestime, bastisje, gjërat do të dilnin për sheshi! Pra, do të ishte e qartë se çfarë në të vërtetë duan apo donin, lider dhe parti të caktuara.

Duke dashur gjak dhe vrasje, askush nuk do të mund t’i mbështeste ambiciet e atilla!

Por, ky ishte një skenar perfekt edhe për Serbinë, për ta rrotulluar procesin politike edhe njëherë siç ia doli me trazirat e vitit 2004!

Jo seriozja!?

Ajo që nuk tingëllon aspak si zhvillim serioz është se si është e mundur, që meqë institucionet e sigurisë së Kosovës e kanë ditur për kërcënimin, planin, madje edhe vetë Kryeministri dhe nuk është bërë asgjë. Ky është një shqetësim më vete!

Po ashtu sipas pohimeve edhe Haxha e Haliti, kanë pasur informacione për planin!

Nisur nga këto tri deklarime, rezulton se së paku 6 veta e kanë ditur jashtë institucioneve të sigurisë, por me kalimin e kohës, mund ta kenë kuptuar me dhjetëra veta.

Por, duke mos e marrë seriozisht as Qeveria, të tingëllon si mundësi, që klane të caktuara e kanë sajuar për momente të caktuara, aq sa disa shkruajnë se ky lajm u dha, për të mbuluar propozimet e paraqitura në media, për një kornizë, që mund të shpie në marrëveshjen Kosovë-Serbi!

Por, gjithashtu mundet, që meqë institucionet e sigurisë i kanë pasur këto informacione, gjatë këtyre javëve apo më parë të jenë shtuar përpjekjet e realizimit të këtij plani, dhe disa nga aktorët të jenë zbuluar. Nëse kjo është kështu, atëherë, pas zbulimit të informacionet, duhet ta konfirmojnë zhvillimet e mëtejshme, arrestimet, nxjerrja e emrave të tjerë dhe lidhjet që mund të kenë me politikën në Kosovë apo me shtete armiqësore, si Serbia apo Rusia etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat