Trendafilova s’dihet kur vjen në Kosovë, ekspertët duan transparencë

Aktuale

Trendafilova s’dihet kur vjen në Kosovë, ekspertët duan transparencë

Më: 21 shtator 2022 Në ora: 15:09
Ekatarina Trendafilova

Është hera e dytë që kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekatarina Trendafilova anulon vizitën e saj të paralajmëruar në Kosovë.

E para herë u shënua të hënën e 4 korrikut para më shumë se dy muajsh, ndërsa e dyta që do të duhej të mbahej sot u anulua, por takimin e planifikuar, Trendafilova e zhvilloi virtualisht.

Në të dyja herët për të kundërshtuar vizitën e saj ishte planifikuar protestë nga PSD-ja e mbështetur nga Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Por, nuk dihet nëse një plan tjetër për vizitë në Kosovë gjatë këtij viti e ka gjykatësja bullgare.

E pyetur nëse ishte e brengosur për të ardhur në Kosovë, për arsye të sigurisë, ajo tha se nuk e ka pasur këtë shqetësim.

“Nuk e di nëse do të vijë në Kosovë deri në fund të këtij viti sepse gjithashtu kam shumë punë”, tha ajo.

Punë tha Trendafilova se u bë edhe gjatë kohës së pushimeve me të gjithë gjykatësit.

 “Natyrisht se varet nga rrethanat, por do të vij sërish në Kosovë, por nuk dua të shihem sikur dua ta sfidoj dikë”, tha ajo.

Juristi, Yll Zekaj, në një deklarim për RTKlive tha se kryetarja e Dhomave të Specializuara e ka obligim të bëjë transparente punën e saj.

Dhomat e Specializuara janë  të themeluara me vetë Ligjin i cili është aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe si i tillë të gjitha organet e këtyre Dhomave janë të obliguara  që të jenë transparente për punën e tyre, sidomos në raste kur ka shumë dyshime rreth çështjeve që janë duke u trajtuar në këtë Gjykatë”, tha ai.Sipas Zekajt, Trendafilova dhe gjithë përfaqësuesit e këtyre Dhomave duhet të organizojnë  takime sa më  të shpeshta me qytetarët e Republikës së Kosovës, me grupet e interesit qoftë me studentët e Fakultetit Juridik dhe të tjerët për ta shpjeguar punën që po bëhet pranë këtyre Dhomave.

“Besoj që Trendafilova duhet të organizojë takime sa më të shpeshta, është dashur edhe në të kaluarën për ta bërë sa më transparente punën e Dhomave të Specializuara  dhe proceseve që po ndodhin pranë këtyre Dhomave, derisa kemi dyshime për zvarritje të paarsyeshme të këtyre procedurave dhe çështje të tjera ligjore për çka çdo ditë e më shumë po ankohen ekipet e mbrojtjes për të akuzuarit që janë duke u trajtuar në këto Dhoma”, tha Zekaj për RTKlive.

Ndërkohë sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala anulimi i vizitës se Kryetares së Dhomave të Specializuara po dëshmon faktin që ka ndryshim të qasjes se kësaj trupe në opinion publik.

 “Pse zonja Trendafilova po tenton që të imponohet në opinion publik? Cila është arsyeja e vizitave të saja në këto format që vjen në Kosovë? A ka dorëzuar ende ndonjë raport në institucionet e Kosovës kjo trup? A ka ndonjë informatë që ende nuk e dimë e që zonja Trendafilova po tenton ta gjejë përmes vizitave të saja? A ka mospërputhje në mes të deklaratave të marra në proces hetimor dhe tani me fillimin e gjykimit?, ka pyetur ai”.Tutje eksperti i sigurisë thotë se duke parë proceset e zhvilluara deri më tani kjo trupë gjykuese, sipas tij, ka humbur kredibilitetin në këtë fazë, derisa protestat i ka quajtur legjitime.

“Protestat janë legjitime dhe duhet të përkrahjen nga grupet e ndryshme të interesit, por gjithmonë duke mos ia mohuar askujt të drejtën në drejtësi. Vizitat e tilla duhet të organizoheshin ndryshe në format dhe mënyrë duke ruajtur raportet institucionale në rend të parë në mes kësaj trupe dhe Ministrisë së Drejtësisë si dhe mekanizmave brenda sistemit juridik, siç janë KGJK-ja dhe KPK-ja”, ka thënë Shala për RTKlive.

Vetë Trendafilova gjatë diskutimeve virtuale sot tha se është e vetëdijshme për kritikat që drejtohen ndaj Dhomave të Specializuara, duke premtuar që gjithçka do të jetë transparente dhe e hapur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat