Kosovë- Serbi si dy Gjermanitë? Ja lëvizjet e fundit të SHBA dhe BE

Aktuale

Kosovë- Serbi si dy Gjermanitë? Ja lëvizjet e fundit të SHBA dhe BE

Më: 21 shtator 2022 Në ora: 15:46
Wolgang Ischinger

Ridalja nga sirtari i planit të hershëm të diplomatit të njohur austriak Wolgang Ischinger për Kosovën, ka nisur të diskutohet vrullshëm në mediat serbe. Të cilat e shohin si një shteg dalje nga qorrsokaku, për të mos bërë hapin e madh prapa siç e quajnë ato.

Ischinger mendon se Kosova dhe Serbia, duhet të pranohen në OKB edhe pse nuk e njohin njëra-tjetrën. Saktë, siç ka ndodhur gjatë Luftës së Ftohtë ndërmjet Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore, të cilat ishin anëtare në OKB dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përpos që nuk e njihnin njëra tjetrën.

Televizioni serb B92, shkruan se Vuçiç mund ta pranojë këtë opsion, edhe pse e quan kurth.

“Është kurth i madh, pasi është një zgjidhje e përkohshme- kalimtare, e në përfundim të procesit, shqiptarët me përkrahjen e Perëndimit, mund të kërkojnë edhe Luginën e Preshevës, e kush e di çfarë tjetër. Por së paku na le kohë të marrin frymë dhe të rigrupojmë aleancat”, mësohet se ka thënë Vuçiç në një takim të ngushtë me këshilltarët e tij kryesorë.

“Kam presion të madh për njohjen urgjente të Kosovës, nëse se pranoj këtë opsion, duhet të mos refuzoj tjetrin. Jemi të rrethuar”, ka thënë presidenti serb, i cituar nga mediat e vendit të tij.

Megjithatë, diplomatë të vjetër të Beogradit, nuk se e quajnë një zgjidhje të leverdisshme, e bëjnë thirrje që Serbia të aktivizojë “diplomacinë e Daçiçit”, pra të rinisë procesin e lobimit për vendet mike që të tërheqin njohjen e Kosovës.

E siç mësohet, Vuçiç ka gjasa ta nxjerrë këtë opsion gjatë takimeve që do të zhvillojë në Nju Jork, ku ndodhet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ischinger, propozoi modelin e dy gjermanive në vitin 2007, kur në krye të bisedimeve ishte Marti Ahtisari, i cili në fund zgjodhi një Kosovë multietnike, ku pakica serbe duhet të jetë shtetformuese, e cila edhe pse u ka dhënë shumë favore, nuk është pranuar nga serbët.

Ischinger e ka bërë këtë publike, gjatë një përgjigje në twitter me ish- zv.ministrin e Jashtëm të Kosovës, Petrit Selimi.

“Në fund të vitit 2007, ne, Trojka e Kosovës, pothuajse ia dolëm me modelin “dy Gjermani” që propozova. Ai ende mund të sigurojë një urë për një zgjidhje në drejtimin e duhur”, theksoi Ischinger.

Ischinger ishte përfaqësues i Bashkimit Evropian në trojkën negociatore në të cilën përfaqësues i Rusisë ishte Aleksandar Bochan Kharchenko, ambasadori aktual i Rusisë në Serbi, ndërsa përfaqësues i SHBA-së ishte Frank Wisner.

Diplomati austriak, duket se ka provokuar kështu, një pjesë të diskutimeve që po kryhen mes Kosovës e Serbisë, ku Gjermania dhe Franca kanë caktuar dy negociatorë specialë, të cilët i kanë dhënë Vuçiçit vetëm një mundësi alternative. “O njih Kosovën tani, e pranohesh në BE menjëherë, ose prano Planin B, e gjithçka do të shtyhet deri në zgjidhjen finale”, shkruan B92.

Megjithatë, versioni ‘Ischinger’ është i paplotë, pasi e lë çështjen pezull e sërish Kosova me Serbinë janë në një konflikt të ngrirë si tani. Por së paku, Prishtina nuk është më një shtet i izoluar ndërkombëtarisht, përveçse një “dele e zezë” për aleatët e Serbisë, të cilët me dobësimin e Rusisë mund të pakësohen. Megjithatë në qoshe është Kina, një tjetër antagoniste e Perëndimit, që po e ysht Beogradin të mos ulet në prehrin e SHBA dhe aleatëve të saj.

Ambasadori i SHBA në Beograd, Chris Hill, ka deklaruar se Uashingtoni do të pranojë çdo zgjidhje që arrihet e negocuar, edhe nga përpjekja e re e Bashkimit Europian.

Siç bën të ditur B92, Hill theksoi se ky problem ka vazhduar për një kohë të gjatë dhe duhet të zgjidhet.

“Nuk më takon mua të komentoj propozimet, përveçse të them se ato tani janë të mbështetura nga BE-ja, e cila po përpiqet shumë të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë dhe kjo nuk është e lehtë”, tha Hill.

Siç bën të ditur B92, Serbia ka një paketë vendesh, me të cilat ka diskutuar që ata të tërheqin njohjen e Kosovës. E këta janë 18 shtete: Sierra Leone, Surinami, Togo, Gana, Nauru, Bashkimi i Komoros, Sao Tome dhe Principe, Guinea-Bissau, Burundi, Liberia, Lesoto, Grenada, Madagaskari, Commonwealth of Dominica, Papua Guinea e Re, Ishujt Solomon, Palau dhe Republika e Afrikës Qendrore.

Por Vuçiç ka deklaruar se kjo nuk do të thotë se të tjerët flenë gjumë.

“Nuk është çudi që SHBA të ketë nisur presionin me të gjithë këto vende”, deklaron Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç./Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat