Sindikalistët e MPJD-së: Është instaluar frika dhe shantazhi në ministri

Aktuale

Sindikalistët e MPJD-së: Është instaluar frika dhe shantazhi në ministri

Më: 22 shtator 2022 Në ora: 13:50
Albert Prenkaj

Zyrtarë dhe diplomatë që janë pjesë e Shoqatës Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm sot kanë protestuar para objektit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës lidhur me zhvillimet në këtë dikaster. Përmes kësaj proteste ata prezantuan 14 kërkesat e tyre.

Ambasadori, Albert Prenkaj u shpreh se në MPJD është instaluar sistemi i frikës, shantazhit dhe kërcënimit.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i kësaj ministrie thotë se në këtë dikaster nuk ekziston ambient i sigurt për punë që mbron integritetin fizik dhe moral të zyrtarëve.

Prenkaj: Në MPJD është instaluar sistemi i frikës, shantazhimit dhe kërcënimit

“Të gjithë së bashku jemi dëshmitarë të një presioni ndaj secilit prej nesh, dhe ne i pamë kolegët tanë duke u larguar sepse janë të frikësuar. Në MPJD fatkeqësisht është instaluar në mënyrë të jashtëligjshme sistemi i frikësimit dhe shantazhimit dhe kërcënimit dhe privilegjeve të pamerituara në mënyrat nga më të ndryshmet ndaj zyrtarëve tanë. Kjo mënyrë e të funksionuarit ndaj diplomatëve dhe zyrtarëve të MPJD-së është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë prekur fundamentet e Kushtetutës, liria, demokracia, ligji dhe të drejtat e njeriut. Në këtë institucion nuk ekziston ambient i sigurt i përshtatshëm pune për mbrojtjen e integritetit fizik, profesional e moral dhe dinjitetit të zyrtarëve”, tha Prenkaj.

Ai paraqiti edhe 14 kërkesat e Shoqatës Sindikale e të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm përmes të cilave kërkohej të ndërpriten shpalljet e konkurseve në mënyrë të kundërligjshme.

Po ashtu, protestuesit kërkuan që të ndërpritet përndjekja dhe diskriminimi i diplomatëve nëpër komisione të kurdisura, dhe po ashtu të ndërpritet përndjekja e diplomatëve me përvojë të gjatë diplomatike me prapavijë administrativo-politike.

Prenkaj: Të ndëpriten gradimet selektive, privilegjuese dhe diskriminuese

Të shfuqizohet nga Qeveria e Kosovës rregullorja 1/2022 mbi riorganizimin dhe sistematizimin në MPJD. Kërkojmë të nxirret ligji i ri për shërbimin e jashtëm që ka qenë plan i kësaj ministrie që në qershorin e vitit të kaluar të nxjerrët... Të ndërpritet menjëherë sulmi kundër aktivitetit sindikal gjegjësisht kryetarit të sindikatës, Agron Maloku, të shfuqizohet vendimi për largimin e tij dhe të kolegëve të tjerë që janë larguar në mënyrë të dhunshme dhe kthimi i menjëhershëm i tyre në MPJD në bazë të aktevendimeve që i kanë... Të ndërpriten gradimet selektive, privilegjuese dhe diskriminuese, të vendosen në pozita të udhëheqësve të Sekretarit të Përgjithshëm dhe në pozita tjera bazuar në ligjet në fuqi dhe sipas hierarkisë së administratës dhe gradave diplomatike, të largohen menjëherë nga detyrat joprofesionistët dhe grupi i ngushtë menaxhues i vendosur në mënyrë të jashtëligjshme .Të shfuqizohen të gjitha vendimet arbitrare që kanë shkaktuar largimin e kolegëve nga puna, të kthehen në vendet e punës sipas aktvendimeve dhe vendimeve paraprake dhe të mos merren vendime për largim nga puna pa verdikt përfundimtar gjyqësor”, u shpreh Prenkaj.

Në përkrahje të zyrtarëve të diplomatëve që dolën për të protestuar para MPJD-së, erdhën edhe përfaqësuesit nga Bashkimi i Sinikdatave të Bashkuara të Kosovës.

Ali Gashi, kryetari i Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Administratës Publike tha se si BSPK janë shokuar me veprimet dhe diskursit përndjekës nga kjo ministri në raport me diplomatët.

Gashi: MPJD t’i respektojë këta diplomatë dhe ta ndal ndjekjen e tyre

“Një tendencë që tu mohohet e drejta dhe të devalvohet një kuadër i tillë për BSPK është e padrejtë. Së fundmi kemi edhe një lëvizje e cila është drejtuar në raport me kryetarin Shoqatës, Agron Maloku ku kjo ministri, konkretisht ministrja ka bërë një shkelje të ligjit mbi organizimin sindikal pasi ka prituar ta lexoj atë ligj... I kërkojmë kësaj ministrie që t’i ndal këto ndjekje, t’i respektojë këta diplomatë, ta respektojë kryetarin e Shoqatës Sindikale dhe ta respektojë mbi të gjitha ligjin, dhe i bëjmë apel dhe kërkesa jonë si BSPK është që ajo ta anulojë atë vendim dhe ta kthej z. Malokun në pozitën e tij të mëparshme”, theksoi Gashi.

Ali Sefaj nga Shoqata Sindikale e Shërbyesve Civilë ka kërkuar revokimin e të gjitha vendimeve përmes të cilëve zyrtarë dhe diplomatë janë larguar nga puna në këtë ministri.

Sefaj tha se nëse kjo nuk ndodh do të vazhdojnë të ndjekin rrugët ligjore.

Sefaj: Kërkojmë që të revokohen vendimet që njerëzit të kthehen në pozitat në të cilat kanë qenë

“Komfor legjislacionit në fuqi kërkojmë që të revokohen vendimet që njerëzit të kthehen në pozitat në të cilat kanë qenë dhe në rast se për ndonjërin mund të ketë mos-përmbushje të detyrave, legjislacioni në fuqi ka paraparë edhe mundësi të tjera. Thjesht formati që tu ndërpriten marrëdhëniet e punës të transferohen bien ndesh me legjislacionin në fuqi. Ajo që ne kërkojmë është të respektohet ligji ne duhet t’i bindemi vetëm ligjit… Do të duhej të revokoheshin të gjitha këto vendime në rast se nuk revokohen si BSPK do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore në mënyrë që ta kthejmë ligjshmërinë”, u shpreh Sefaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat