Kurti i del në mbrojtje Bashës për përplasjen me Jasharajn

Aktuale

Kurti i del në mbrojtje Bashës për përplasjen me Jasharajn

Më: 22 shtator 2022 Në ora: 14:22
Rrahman Jasharaj

Kryeministri Albin Kurti i ka dalë në mbrojtje në mënyrë indirekte deputetit të partisë së tij, Dimal Bashës, i cili dje pati një përplasje në Komisionin për Arsim me Kryetarin e SBASHK’ut, Rrahman Jasharajn.

Sipas Kurtit, diskutimi për këtë rast po bëhet për ta zhvendosur vëmendjen.

Ai ka thënë se në këtë rast viktima s’janë as krerët sindikalë e as Qeveria, por nxënësit e mësimdhënësit.

“Për mua është e qartë se këtu nuk janë viktima krerët sindikalë. Nuk jemi viktimë as ne si qeveri, nuk jeni viktimë as ju si deputetë, viktimë janë nxënësit, mësimdhënësit, arsimi e ardhmja  e shtetit tonë. Kjo është e vërteta. Po tash në këtë polarizim të skajshëm, ka përpjekje të vazhdueshme për vetviktimizim të individëve…Këto tezat për viktimizime të individëve, çfarë gjuhe u përdor, kush qysh u ofendua, a e dëgjove çka i tha e çka si tha, unë besoj që këto janë pikërisht për zhvendosje të vëmendjes dhe për mosadresim të çështjes”, ka deklaruar Kurti.

Ndryshe, Jasharaj ka lëshuar mbledhjen e e Komisionit për Arsim ku ishte duke raportuar sot mbi grevën e mësimdhënësve.

Arsyeja e lëshimit të sallës ishte një përplasje e tij me deputetin e Vetëvendosjes, Dimal Basha, i cili i ka thënë atij se e kthyer dinjitetin në para.

“Unë i jap zor se jam në shtëpinë teme, midis Parlamentit. Veç më ngon kur ta kryj fjalën unë. Unë t’i kallxova zgjidhjet që i ka dhënë Qeveria e Kosovës”, tha Basha kur Jasharaj lëshoi mbledhjen.

Përplasja e tyre vazhdoi edhe në hollin e Kuvendit.

“Ti je i pasinqertë në kërkesat e tua, e ke mbajt peng këtë Republikë. A ke punuar para lufte pa pare, tash për 50 euro po i mban fëmijët peng a? Piskat se ti s’merr vesh ndryshe”, i tha Basha Jasharajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat