Pritet të zë ulëse në kuvend, deklarohet zëvendësuesi i Vasfije Krasniqit

Aktuale

Pritet të zë ulëse në kuvend, deklarohet zëvendësuesi i Vasfije Krasniqit

Më: 22 shtator 2022 Në ora: 17:57
Nasuf Bejta

Ish-kandidati për president të Kosovës, Nasuf Bejta, pritet ta zë një ulëse në Kuvendin e Kosovës, në vend të Vasfije Krasniqit e cila të mërkurën njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetes për shkaqe shëndetësore.

Media ka kontaktuar me arsimtarin nga Vushtrria, i cili figuron si deputet potencial pas kësaj situate ku Lëvizjes Vetëvendosjes iu largua një anëtare e grupit parlamentar.

Bejta, deklaroi se ende nuk ka asgjë zyrtare se kur pritet të hyjë si deputet i ri në Kuvendin e Kosovës.

Ai shtoi për mediumin të enjten se është në pritje të një njoftimi nga Komisioni Zgjedhor i Kosovës (KQZ) lidhur me këtë çështje.

“Ende nuk ka asgjë zyrtare. Jam duke pritur. Unë jam në radhë për ta zëvendësuar (Vasfije Krasniqin). Jam kandidat i denjë. Po pres njoftimin e KQZ-së. Deri atëherë shohim. Unë nuk bëj zë pa u krye puna..”, theksoi ai.

Bejta kishte bartur numrin 64 në listën e kandidatëve të deputetëve të LVV-së në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Rrjedhimisht, ende nuk është bërë e ditur se kur do të betohet Bejta si deputet i grupit parlamentar të LVV-së.

Ndërkohë, Vasfije Krasniqi bëri të ditur një ditë më parë se për dorëheqjen e saj e ka njoftuar edhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Vendimi i saj për ta dorëzuar mandatin, siç tha ajo, vjen si pasojë e gjendjes jo të mirë shëndetësore me të cilën po përballet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat